Intervistë me zonjën Bukurie Kukaj-Grajçevci, një nënë dhe motër e fortë që mban në zemër kujtimet për lirinë e Kosovës

Intervistë me zonjën Bukurie Kukaj-Grajçevci, një nënë dhe motër e fortë që mban në zemër kujtimet për lirinë e Kosovës

Në këtë intervistë, kemi nderin të kemi një grua të rrallë, një nënë dhe motër që ka kaluar përjetime të paharrueshme e të dhimbshme gjatë luftës së UÇK-së. Zonja Bukurie Kukaj – Grajçevci, është një simbol i sakrificës dhe i përkushtimit të pashoq, një shembull që rrëfen forcën e palëkundshme të grave dhe familjeve shqiptare përballë sfidave më të mëdha. Në historinë e Kosovës, rrëfimi i saj është i veçantë dhe thellësisht prekës. Ajo, në luftën e UÇK-së, kishte dy njerëzit më të dashur –të birin Burimin vëllanë e saj Fitushin  – të cilët ranë dëshmorë në lule të rinisë së tyre duke luftuar për lirinë e popullit tonë.

RKL: E nderuar zonja Bukurie, ju falënderojmë për gatishmërinë për të ndarë këto momente të rëndësishme të jetës suaj me ne. Rrëfimet tuaja nuk janë thjesht histori vuajtjesh dhe sakrificash, por janë edhe një pasqyrë e forcës dhe e përkushtimit të popullit shqiptar për liri. Për të nisur këtë intervistë, a mund të na flisni për jetën tuaj para luftës në Kosovë? Si ishte jeta juaj dhe, e familjes suaj para se të fillonte lufta?

Bukurie Kukaj – Grajçevci: E falënderoj shumë redaksinë e Radios Kosova e Lirë, për mundësinë që më dha për të ndarë kujtimet e mia dhe historinë e sakrificës së familjes sime.

Është një nder për mua të flas për kontributin dhe heroizmin e djalit tim, Burimit, dhe vëllait, Fitushit, dhe të gjithë atyre që dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës. Jeta ime, para se të fillonte lufta në Kosovë, ishte e lumtur dhe e plotë, sepse i kisha pranë të gjithë anëtarët e familjes: bashkëshortin, Ajetin, djalin e madh Burimin, Blerinën, Besartin dhe Blertën. Gjithashtu, kisha edhe vëllanë e vogël, Fitushin, i cili ishte shumë i lidhur me Burimin. Çdo ditë kalonim kohë së bashku dhe kjo ishte ajo që e bënte jetën tonë të veçantë dhe të bukur.

RKL: Çfarë roli kishte familja juaj në luftën për çlirimin e Kosovës? Si kontribuoi secili prej jush në këto përpjekje të mëdha?

Bukurie Kukaj – Grajçevci: Familja jonë gjithmonë ka pasur traditë dashurinë dhe përkushtimin për atdheun. Ne kemi dhënë shumë për Kosovën, duke pasur edhe më parë heronj dhe aktivistë që kanë kontribuuar për lirinë e vendit. Njëri prej tyre ishte Fazli Graiçevci, i cili ra dëshmor për flamur, dhe Fatmir Graiçevci, i cili kaloi 8 vite në burg gjatë demonstratave të vitit 1981. Gjyshi im, Milazim Kukaj, ishte bashkëluftëtar me Shaban Polluzhën dhe u plagos e u burgos për idealet e tij. Babai im ka kontribuuar me të gjitha mënyrat e mundshme, ai i dha UÇK-së një veturë (WartBurg) dhe gjithashtu lëshoi shtëpinë tonë për Fakultetin e Gjeografisë, pasi serbët kishin ndaluar studimet nëpër shkolla dhe universitete.

RKL: Në ato kohë të vështira, a kishit dijeni të drejtpërdrejtë për përfshirjen e Burimit dhe Fitushit në radhët e UÇK-së?  Si një nënë dhe motër, çfarë ndjesish përjetuat kur mësuat për angazhimin e tyre në UÇK? Ishte një vendim që e morën me miratimin tuaj dhe të familjes apo ata vepruan në mënyrë të pavarur?

Bukurie Kukaj – Grajçevci: Unë nuk kam qenë në dijeni se Burimi dhe Fitushi do të merrnin pjesë në UÇK, por kisha dyshime sepse ata vazhdimisht flisnin për luftën dhe UÇK-në.

Herë pas here, Burimi, në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, mundohej të merrte miratimin tim. Vura re që ishte shumë i vendosur për të shkuar në luftë dhe ndjenja e nënës më thoshte që Burimi veçse do të shkonte. Nuk doja që ai të kishte peng lejen time, kështu që e ula pranë dhe i thashë: “Burim, djali im, Kosova është në një situatë shumë të vështirë dhe vendi ynë ka nevojë për ushtarë. Edhe pse je shumë i ri, je shumë i pjekur dhe po e shoh që e ke shumë dëshirë të bëhesh ushtar i UÇK-së, pasi që sa muaj, prej kur ka filluar lufta, asnjëherë nuk je ndalur duke na folur për ta. Andaj tashmë je i rritur, djali jem, vendos vetë!”

Kur i thashë kështu, ai sikur u lirua, buzëqeshi dhe më tha: “Faleminderit, Mam. E di që është e vështirë për ty, por të lutem mos më thuaj të mos shkoj, sepse kam frikë se më ndodh diçka rrugës dhe nuk mund të marr pjesë në UÇK dhe nuk mund të luftoj i qetë. Mam, edhe sikur vetëm një serb të vras për mua, mos qaj!”

Në atë moment, kisha një dhimbje të madhe kur e pashë vendosmërinë e Burimit dhe iu luta Zotit që të mos e përjetoja atë ditë kur Burimi do të më dilte nga shtëpia.

Ditën që u nis, unë nuk e dija, sepse më tha se po shkonte te një shok, ndërsa Fitushi më tha që po shkonte te daja. Të nesërmen, më telefonoi Burimi dhe më tha: “Mami, jam në Tiranë.” Unë e pyeta me kë ishte dhe nëse kishte para; më tha se kishte dhe se ishte me Fitushin. Atëherë mërzia ime u bë dyfish më e madhe, sepse Fitushi ishte shumë i ri, sapo kishte mbushur 17 vjeç.

Fitushi më porositi t’ia tregoja babait, megjithëse e kisha shumë të vështirë. Shkova dhe ua tregova prindërve të mi, e ky ishte një moment shumë i vështirë për mua.

Burim Grajçevci
Burim Grajçevci

RKL: A mund të na përshkruani marrëdhënien mes Fitushit dhe Burimit? Si ishte lidhja e tyre me njëri-tjetrin dhe si e përjetonin ata përgatitjen për luftë?

Bukurie Kukaj – Grajçevci: Burimi dhe Fitushi kishin një marrëdhënie të jashtëzakonshme mes vete, ata ishin vazhdimisht bashkë, ditën dhe natën, herë tek ne në shtëpi e herë tek babai atje. Ata vazhdimisht bënin plane për të gjetur një mënyrë për të shkuar në luftë. Pothuajse e gjetën zgjidhjen, kur ishin disa herë tek dajat e mi në Drenicë, Skënderaj, Makërmal dhe në Likofc, ku përfundimisht nuk i pranuan për shkak të moshës së re që kishin. Gjithashtu, ishin edhe në Llap në një promovim të një libri, ku u takuan me eprorë të UÇK-së, të zonës së Llapit. Edhe ata iu thanë që mosha e tyre ishte shumë e re dhe me një humor u kishin thënë se gjithsesi do të inkuadroheshin kur të arrinin në Prishtinë.

Gjithsesi, ata ishin të vendosur në këtë drejtim dhe në çdo mënyrë kërkonin një zgjidhje për veshjen e uniformës së UÇK-së, dhe kështu, përmes kontakteve të ndryshme, e gjetën lidhjen për të shkuar në Shqipëri dhe për të vazhduar hyrjen në UÇK, përmes kufirit në Koshare, ku kishin fatin të udhëtonin me autobusin e fundit që mbante linjën Prishtinë-Tiranë.

RKL: A keni ndonjë histori të veçantë ose një ngjarje që do të donit të ndanit rreth Burimit dhe Fitushit gjatë luftës? Një moment që mbetet i gjallë në kujtesën tuaj?

Bukurie Kukaj – Grajçevci: Unë zakonisht fëmijëve u festoj ditëlindjet, por ditën kur Burimi kishte ditëlindjen më 1 Nëntor 1998 nuk deshi të festonte, sepse tha: “Në Drenicë dhe gjithandej luftohet, vriten gra e fëmijë, dhe unë të festoj këtu, kurrë!” Sikur të dinte që ajo do të ishte ditëlindja e tij e fundit. Edhe Fitushi, kur e kishte ditëlindjen më 16 Mars 1999, nuk na ftoi si zakonisht dhe as nuk erdhi. Pastaj e thirra në telefon dhe i thashë: “Sot e ke ditëlindjen, nuk na ftove që të të urojmë e të festojmë. A jeni në shtëpi, se po vijmë?” Ai m’u përgjigj: “Hajdeni gjithsesi, por nuk ka festë për ditëlindjen time, sepse shumë motra mbeten pa vëllezër këto ditë dhe nuk festoj unë kështu.” Këto janë disa nga ngjarjet që kanë mbetur në kujtimet e mia dhe i kujtoj e i përjetoj për çdo ditëlindje të tyre.

RKL: Sot, kur kujtoni sakrificën e tyre, si ndiheni për kontributin e tyre në luftën për liri?

Bukurie Kukaj – Grajçevci: Sot, kur kujtoj sakrificën e Burimit dhe Fitushit, ndjej një krenari dhe dhimbje të thellë. Kontributi i tyre për lirinë e Kosovës është një kujtim që ma mbush zemrën me mall, por edhe një ndjenjë të pathyeshme krenarie. Ata dhanë jetën e tyre për lirinë dhe të ardhmen e vendit tonë. Ky është një amanet që duhet ta ruajmë dhe ta çmojmë të gjithë, duke punuar çdo ditë për të mbajtur gjallë atë për të cilën ata luftuan.

RKL: Mund të na flisni për momentin kur mësuat lajmin e rënies së tyre si dëshmorë? Ku ishit dhe kush ishte personi që ju dha lajmin e dhembshëm?

Bukurie Kukaj – Grajçevci: Shtabi i UÇK-së, kishte gjetur një letër në xhepin e Burimit, ku ishte numri i telefonit të vëllait tim, Hakifit, që ndodhej në Gjermani. Ata e kontaktuan atë numër dhe e informuan Hakifin për rënien e Burimit dhe Fitushit. Hakifi lajmëroi vëllain tonë të madh, Ragipin, i cili ishte ushtar i UÇK-së në zonën e Pashtrikut.

Ne, ndodheshim refugjatë në një shtëpi në Korçë të Shqipërisë, ku telefonoi Ragipi dhe më tha se të dy ishin të plagosur. E pyeta me ankth nëse ishin në gjendje të rëndë dhe a janë të dy të plagosur, dhe ai më tha se po, të dy janë rëndë dhe se nesër do të vinte për të na parë. Në atë moment, ndjeva se lajmi i vërtetë ishte më i rëndë se sa thoshte. Atë natë nuk fjetëm as unë dhe as bashkëshorti im, Ajeti. Kemi qarë tërë natën, sepse nga biseda me Ragipin dhe parandjenja jonë si prindër na bëri të kuptojmë që ata të dy tashmë kishin ndërruar jetë.

Të nesërmen erdhi Ragipi me shokë në Korçë dhe atëherë mësova që Burimi dhe Fitushi me të vërtetë kishin rënë dëshmorë. Ishte një moment tepër i vështirë dhe i pashlyeshëm në kujtesën time.

RKL: Si e shihni kontributin e tyre për lirinë e Kosovës sot, në kontekstin e krenarisë që ndieni për ta si familjare, por edhe si pjesë e popullit shqiptar?

Fitush Kukaj

Bukurie Kukaj – Grajçevci: Sot, kontributin e Burimit dhe Fitushit për lirinë e Kosovës e shoh si një sakrificë që ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë dhe në zemrën time si nënë dhe motër. Ata dhanë gjithçka për një qëllim të madh, për lirinë e popullit tonë dhe të ardhmen e Kosovës. Ndjehem krenare dhe e përulur para atij kontributi që sot ne e gëzojmë si një komb i lirë. Sakrifica e tyre ishte një pjesë e domosdoshme e rrugës drejt pavarësisë sonë.

RKL: Si e keni përballuar periudhën pas përjetësimit të dy njerëzve më të dashur për ju? Cilat ishin sfidat më të mëdha për ju dhe familjen tuaj gjatë kësaj periudhe?

Bukurie Kukaj – Grajçevci: Humbja e Burimit dhe Fitushit ka qenë një sfidë e jashtëzakonshme për mua dhe familjen time, përballja me dhimbjen dhe zbrazëtinë që ndjenim çdo ditë. E gjithë familja përpiqej të përballonte dhimbjen në mënyrën e tij. Për më tepër, mbështetja emocionale për fëmijët e mi, Blerinën, Besartin, Blertën dhe Biondinën, ishte tepër e rëndësishme. Duhej të isha e fortë për ta, edhe kur vetë ndihesha e dobët. Ne kaluam një periudhë të vështirë, duke u përballur me emocionet e humbjes, por gjithashtu duke u përpjekur të kujtonim dhe të nderonim kujtimin e Burimit dhe Fitushit.

RKL: Duke parë gjithë sakrificën që bënë Burimi dhe Fitushi dhe shumë të tjerë si ata, si ndiheni kur i kujtoni sot? Çfarë mesazhi do të kishit për të gjithë ata që e ruajnë lirinë e Kosovës si një amanet?

Bukurie Kukaj – Grajçevci: Kur kujtoj sot sakrificën e Burimit, Fitushit dhe të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, ndjej krenari të madhe dhe dhimbje që nuk shuhet kurrë. Sakrifica e tyre është një testament i forcës dhe dashurisë së pakushtëzuar për atdheun.

Vlerësojeni çdo ditë këtë liri, sepse ajo u fitua me sakrifica të mëdha dhe gjak të derdhur, punoni me përkushtim për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, duke nderuar ata që dhanë gjithçka për këtë qëllim.

RKL: E dashur Bukurie, faleminderit nga zemra që u bëtë pjesë e intervistave, ndatë me ne, një periudhë mjaftë të dhembshme, por edhe  të jetës tënde. Shëndet e gjitha të mirat në jetë.

Me respekt, Bukurie Grajçevci.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI: Intervistë me poetin Fejzi Murati, “ Nderi i qytetit ” të Kuçovës, ish-mësues letërsie

Intervistë me poetin Fejzi Murati, “ Nderi i qytetit ” të Kuçovës, ish-mësues letërsie: – …