Isë Arif Havolli (11.01.1943 – 24.12.1998)

Isë Arif Havolli (11.01.1943 – 24.12.1998)

Isë Arif Havolli u lind në fshatin Llapashticë të Epërme, më 11 janar të vitit 1943 në një familje të varfër fshatare, por me traditë kombëtare. Nga kjo familje në kohën e Jugosllavisë së Kralit vriten tre anëtarë nga serbet e ardhur në këtë vend gjegjësisht nga familja e Jeremiqëve që ishte vendosur në Llapashticës. Kjo ndodhi në vitin 1915 kur në atë kohë Serbia e Kralit shtonte zullumet mbi popullin shqiptarë e posaçërisht ndaj kësaj familje atdhetare në Llapashticë. Me presione të mëdha i detyrojnë tua shesin tokën kolonëve dhe me ato pak para nisen për në qytet për të rregulluar dokumentet për tu shpërngulur për Turqi. Mirëpo në vendin e quajtur “Ura e Bajrushit” Jeremiqët me ndihmën e xhandarmërisë serbe ua zënë pritën dhe i vrasin tre anëtarë të familjes Havolli dhe një mysafir nga Tetova me ç’ rast i plaçkitin dhe ua marrin edhe paret e tokës. Në mesin e të vrarëve ishte edhe Rexhë Havolli, atdhetar dhe luftëtar i betejave të vitit 1912 për çlirimin e tokave shqiptare.

Kështu për shkak të mosnënshtrimit ndaj xhandarmërisë së Kralit një pjesë e kësaj familje shpërngulet për në Turqi, kurse pjesa tjetër e mbetur në Llapashticë por gjithherë ishte halë në sy për pushtetin okupator. Edhe pas luftës së Dytë Botërore mbi familjen Havolli ushtrohet një represioni të paparë ushtarako-policor. Në vitin 1944 forcat sllavo-çetnike komuniste duke përdorur metodat më barbare e rrahin në mënyrë brutale babin e Isës , Arifin të cilin e detyrojnë që ta hap vetë varrin tri herë. Mirëpo në momentin e fundit para pushkatimit atypari kalon një serb lokal i cili duke e ditur qëndrimin kombëtar të kësaj familje ua tërheqë vërejtjen serbo-çetnikëve që mos ta pushkatojnë Arifin sepse po të mbetet gjallë Zymer Havolli do të hakmerret shumëfish në serbët e këtushëm tha ai. Kështu nga pushkatimi shpëton Arifi por pas disa ditësh si pasojë e torturave të shkaktuara nga serbët ai vdes.

Vlen të ceket se axha i Isës , Ali Havolli në vitin 1946 vritet në dyluftim me forcat sllavo-çetnike në fshatin Kështjellas (ish Popovë).

Për historikun e kësaj familje dhe jetën,vuajtjet, trimërinë dhe heroizmin e Isës sot me dëshirë fletë kushëriri,bashkëmoshatari dhe bashkëluftëtari i Isës,Rasim Havolli. Pas vdekjes së babit Isa me vëllain Ganiun mbesin të vetmuar, mirëpo ata fillojnë të punojnë punë të ndryshme dhe të rënda nëpër fshat për të jetuar nga djersa e vetë. Por, UDB-a sero-sllave me ndihmën e disa bashkëpunëtorëve shqiptarë duke e njohur traditën kombëtare të kësaj familje për asnjë moment nuk i lenë të qetë. Ata shpesh merreshin në biseda informative , i rrahin, i keqtrajtonin në forma të ndryshme. Përditë e më shumë Isën dhe të vëllain Ganiun i kërconin me likuidim fizik por për asnjë moment ata nuk nënshtroheshin edhe përkundër torturave të mëdha. Dhuna e ushtruar nga UDB-a mbi vëllezërit Havolli sa vinte e shtohej përditë e më shumë sa që ata detyrohen që me një çmim simbolik të shesin pasurinë dhe të marrin jetën në sy. Ata shkojnë në Sarajevë ku fillojnë të punojnë punë të rënda fizike por në mënyrë të sinqertë sigurojnë ekzistencën.

Dashuria ndaj Kosovës siç thoshte shpesh Isa nuk e linte të qetë atje. “Më dukej se dielli lindte mbrapshtë, por jeta është jetë dhe duhej jetuar” thoshte Isa. Punojnë disa vite dhe gjatë kësaj kohe i vëllai Ganiu martohet me një myslimane ku krijon familje dhe i lindin tre fëmijë. Isa nuk pranon të martohet atje por dëshiron që të afrohet sa më afër Kosovës për të jetuar dhe largohet nga Bosnja e vendoset në Maqedoni. Aty fillon të ushtroi zejen e muratorit dhe si thoshte ai këtu i rrihte zemra më lirshëm ngase kishte raste të dëgjonte duke folur shqip dhe të rrijë me ndonjë bashkëkombës dhe ishte më afër Kosovës që nuk e hiqte asnjëherë nga mendja. Ndërkohë martohet dhe i lindin dy fëmijë.

Ndonëse këtu ai kishte filluar veprimtarin kombëtare bie në sy të pushtetit sllavo-maqedonas të cilët e përcillnin në çdo hap.

Në vitin 1981 ai veprimtarinë e tij e thellon edhe më shumë nëpërmes të nipit të tij, Abdyl Lahu nga Vendenisi veprimtar i njohur i çështjes kombëtare. Isa gjatë kësaj kohe nëpër Shkup shpërndante afishe të cilat ia përgatiste Avdyli në të cilat shkruante për diskriminimin e shqiptarëve në Maqedoni dhe në ish Jugosllavi. Pasi që kishte kohë që punëtorët e sigurimit shtetëror e përcillnin dhe një ditë i bien në gjurmë dhe gjatë kontrollimit në banesën e tij ia gjejnë makinën e shkrimit me të cilën përgatiteshin afishet dhe disa libra të Abdyl Lahut. Me këtë rast ata e arrestojnë Isën të cilin e dënojnë me burg të cilin e mban në burgun e Idrizovës dhe në burgun famëkeq të Goli Otokut. Pas daljes nga burgu Isa qe betuar se më nuk do të jeton askund vetëm në Kosovë. Kthehet në vendlindjen e tij në Llapashticë ku fillon të punojë në ndërtimtari e po ashtu fillon edhe ndërtimin e një shtëpie të tij ku kryen një pjesë të vogël (vetëm një bodrum që më shumë i ngjasonte një shpelle) të cilën nuk e përfundoi asnjëherë. Më pas kthehet edhe i vëllai Ganiu me të birin Aliun.

Siç rrëfen Sylejman Lutolli në bodrumin bunker të Isës mblidheshin shumë të rinj të fshatit ku luanin shah me bacën Isë dhe bisedonin tema të ndryshme por dominonte tema për çështjen kombëtare të cilën Isa ua përkujtonte të rinjve gjithnjë.

Edhe këtu Isën nuk e linin të qetë forcat policore të okupatorit duke e kontrolluar dhe keqtrajtonin shumë herë por ai qëndron i pathyeshëm. Pas vitit 1990 shërbimi shtetëror serb shumë herë e merr në të ashtuquajturat biseda informative në të cilat e rrahin dhe e torturojnë rëndë por ai si gjithherë nuk përkulet. Shumë herë e detyruan që të mih në oborrin e shtëpisë për të kërkuar armë aty ku ata dyshonin dhe e akuzonin se ai po ndërton bunkerë për fshehjen e armatimit që më vonë të armatosen “terroristët” dhe kërkonin armë nga ai. Isa përgjigjej armë për tu dhënë nuk kam, por për të luftuar kundër jush do të gjej. Nga kjo vendosmëri e Isës ata tërboheshin dhe e rrihnin deri në alivanosje.

Në ndejat që ai bënte me të rinjtë e fshatit ai haptas u fliste se duhet luftuar kundër Serbisë . Kjo tokë është e jona kurse këta këtu janë kolonisë-okupator. Jeni të rinj nuk ia dini vlerën kësaj toke, këtij vendi. Ky vend është i artë, më i bukuri në botë. Edhe përkundër represionit asnjëherë mos e lëshoni Kosovën i porosiste ata Isa .

Me tu shfaqur në skenë të formacioneve të para të UÇK-së tek Isa zgjojnë një kënaqësi të jashtëzakonshme dhe një ditë thotë :” tash edhe në vdeksha se kam dert pasi arrita ta shoh ushtrinë tonë duke ia kthyer pushkën shkuat. Por,edhe unë kësmet do të jem pjesëtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës se moti këtë ditë e kam pritur”.

Posa vijnë nga Shala e Bajgores njësitet e para në fshatin Llapashticë Isa menjëherë lajmohet në Shtabin e ZOLL-it ku kërkon të rreshtohet në radhët e UÇK-së. Në shtab i thonë se ti baca Isë je pak në moshë por ky me këmbëngulësi kërkon të bëhet ushtar i UÇK-së . Kjo dëshirë e kahershme e tij plotësohet duke u rreshtuar në radhët e UÇK-së dhe vendoset në pikën “Tek Nelakët”që për komandant kishte Bedri Ahmetin (dëshmor i kombit) dhe zëvendës Afrim Kadriun të cilët e pritën mirë dhe e çmuan lartë gatishmërinë e tije për tu radhitur në radhët e ushtarëve të lirisë. Si komandanti dhe zëvendëskomandanti ashtu edhe ushtarët tjerë kishin një respekt të veçante për Bacën Isë si e thërrisnin të gjithë. Ai me këtë rast betohet se Isë Havolli do të ecë vetëm përpara dhe kurën e kurës nuk do tija kthej shpinën shkuat. Kur e veshë uniformën e UÇK-së ai thotë “Djem unë po lindi për së dyti, kënaqësi më të madhe nuk kam pasur kurrë në jetën time”. Ecte lehtë me uniformën ushtarake sikur të ishte me krah.

Edhe pse i shtyrë në moshë baca Isë me përkushtim dhe në mënyrë të zellshme kryente të gjitha detyrat ushtarake. Me urdhëresë të Shtabit të zonës ky njësit vendoset në pikën tek “Tabet e Llapashticës”. Aty Isa betohet edhe një herë dhe puthë tokën ku thotë se për së gjalli Isa tabet nuk i lëshon. Atij i buzëqeshte fytyra,i gëzohej zemra sepse pozicionet të cilat i mbante para pak ditësh ushtria serbe ,tani i mbante UÇK-së. Ai nga pozicioni çdo herë përcillte lëvizjet e forcave të armikut të cilat lëviznin shiritit të asfaltit Besianë –Prishtinë vetëm tre-katërqind metra larg pozicioneve të UÇK-së.

Ai kishte bindjen se shkau njeh vetëm gjuhën e pushkës e jo të dialogut siç mendonin disa. Kjo do ta çliroi Koosvën thoshte Isa duke puthur pushkën që e mbante në dorë. Tek ushtarët e rinj ngjallte entuziazëm, moral dhe trimëri.

Isa çdo herë ishte I gatshëm të dal në roje në pozicione edhe kur nuk e kishte radhën ai I kursente të rinjtë. Kështu ndodhi edhe me rastin e 28 nëntorit të vitit 1998 kur një grup muzikantësh shkuan nga qyteti në Llapashticë për të argëtuar luftëtarët e lirisë dhe aty për një kohë qëndroi edhe Isa por më vonë ai u ngrit dhe u tha këndoni e vallëzoni sa të doni unë do të bëjë roje në tabe dhe mos keni dert se për së gjalli nuk ka me shkel këmbë e shkau këtu.

Njëra nga betejat e lavdishme të UÇK-së të ZOLL-it ishte ajo e Tabeve të Llapashticës , në të cilën tërë Llapi përjetësoi lavdin e Tabeve. Ai vend i njohur ishte fole dhe fortifikatë e UÇK-së , ku prej 15 shtatorit 1998 deri më 24 mars 1999 u thyen me dhjetëra ofensiva serbe , që mësyn pozicionet e UÇK-së. Për këtë betejë të gjithë ndjejnë krenari kur kihet parasysh raportin e forcave dhe diferencën e madhe në armatim. Humbjet e serbëve në këtë betejë ishin shumë të mëdha . Jehona e asaj beteje ,si edhe e betejave të Prekazit, Llapushnikut, Gllogjanit e shumë betejave tjera ,ishin jehonë e lirisë, ardhmërisë së vendit tonë.

Në këtë betejë u mposhtë fryma e pushtuesit njëherë e përgjithmonë,u shua miti se ushtria serbe është e pamposhtur. U tregua se UÇK-ja ishte bërë faktori kryesor i cili do të shpinte drejtë realizimit të synimeve tona shekullore. Kjo fitore erdhi me shumë sakrifica .

Në mëngjesin e hershëm të 24 dhjetorit të vitit 1998 forcat serbo-sllave ndërmorën ofensivë befasuese tinëzare në drejtim të pozicioneve të UÇK-së në Llap. Mirëpo luftëtarët e lirisë ishin në vendin e duhur,në pozicione dhe nuk mund ti befasonte asgjë. Edhe baca Isë ishte në pozicionin e tij në tabe. Me një arsenal të madh luftarak forcat e okupatorit mësyn tabet drejt pozicioneve të UÇK-së por hasën në rezistencë të fortë të luftëtarëve të lirisë. Zmbrapsen disa herë dhe pas një beteje të ashpër që u zhvillua atë ditë dhe pas përforcimeve të mëdha që ju erdhën forcave armike në teknikë dhe njerëz dhe pas humbjeve të mëdha të pësuara ata prapë mësynë tabet dhe tanku i parë që deshi të depërtoi në tabe aty në pozicion ishte Isë Havolli i cili me trimëritë e pashoqe hidhet mbi tankun e armikut ua fut bombën në tak. Tanku tjetër shtinë në drejtim të Isës ku dhe bie baca Isë , bie “Mic Sokoli i Llapit”. Aty u derdh gjaku i lirisë, aty u thye miti se ushtria e shkau është e pathyeshme , aty u dëshmua vendosmëria e djemve të lirisë.

Atë ditë qëndresa e ushtarëve shqiptar ishte heroike dhe i shkaktoi humbje serioze ushtrisë pushtuese serbe ,e cila në fushën e betejës la disa ushtar të vrarë dhe disa makineri lufte të shkatërruara. Për seriozitetin e këtij ballafaqimi të UÇK-së me ushtrinë pushtuese serbe, flet edhe prania në vendin e betejës të z. Viliam Voker, atëbotë përfaqësues i OSBE-së në Kosovë,një ditë më vonë e cila prani qe komentuar si ndërhyrje e ndërkombëtarëve për të ulur tensionet midis palëve ndërluftuese. Ndërkaq nga radhët e UÇK-së në vijën e parë të frontit patën rënë heroikisht dëshmorët Isë Havolli, Ismet Dërguti, Lulëzim Jashari, Skënder e Miftar Zejnullahu, Bajram Murati.

Nga Beteja e Tabeve të Llapashticës luftëtarët e UÇK-së me heroizmin e tyre shpërndan anekënd botës mesazhin domethënës se do të luftohet deri në ushtarin e fundit për lirinë e këti vendi. Isë Havolli edhe atë ditë ringjalli edhe një herë trimëri dhe qëndresën e Mic Sokolit. Në këtë betejë luftohej duke u kënduar këngë trimërie e lavdie këndoheshin trimat shkuar trimave Zahir Pajazitit, legjendës së ditëve tona Adem Jasharit e trimave të tjerë .Në këtë betejë të fituar u bënë bashkë dija ushtarake, sakrifica dhe heroizmi i luftëtarëve trima të UÇK-së të cilët e mbajtën të gozhduar me muaj të tërë makinerinë serbe dhe ju krijuan hapësirë për tu riorganizuar të gjitha zonat tjera të UÇK-së.

Luftëtarët e lirisë hidheshin si luaj mbi tanket e okupatorit dhe nuk i lëshonin pozicionet. Ata dëshmuan me veprën e tyre se si duhet jetuar, luftuar dhe si duhet të vdiste për lirinë e atdheut. Këtu u zhvillua beteja për Kosovën , për historinë e re shqiptare e cila po shkruhej me gjak. Në botë u hap lajmi se në Tabet e Llapashticës tanket e shkaut po ndalen me gjokset e luftëtarëve të lirisë .

Gjaku i Isësë tek Tabete Llapashticës ngriti pavdekësinë e tij dhe shokëve të tij të cilët ranë në këtë betejë .

Mu në vendin ku zhvillua beteja e Tabeve të Llapashticës , qëndron përmendorja ,në të dy krahët e së cilës qëndrojnë fotografitë e dëshmorëve të brigadave 151 “Zahir Pajaziti” dhe 152 “Shaban Shala” të UÇK-së të ZOLL-it,që ranë në këto anë jo vetëm në këtë betejë. Aty qëndron edhe fotoja e dëshmorit të kombit Isë Havolli dhe dëshmorëve të tjerë si Rushit Selmani, Bajrush Murati, Murat Murati, Raif Haliti, Faton dhe Avni Selmani, në krahun tjetër Skënder e Miftar Zejnullahu, Lulëzim Jashari, Remzi Demolli, Jetullah Kastrati dhe Driton Azemi, kurse në mes fotografitë e dy komandantëve të këtyre dy pikave : Bedri Ahmeti – Bedi dhe Ismet Dërguti.

Rezistenca e fuqishme në Tabet e Llapashticës riktheu jehonën e betejave të mëdha shqiptare si të Grykës së Kaçanikut e Grykës së Carralevës.

Trupin e pajetë të Isë Havollit e kishin marr serbët dhe e kishin dërguar në Spitalin e Prishtinës të cilin më pas e merr kushëriri i tij Hasim Havlli i cili më pas i ndihmuar edhe nga Adem Havlli e tjerë e sollën në vendlindje dhe më 27 dhjetor 1998 u varros me nderime të larta ushtarake.

Pas rënies së Isës rrugën e tij e vazhdoi nipi i tij Aliu,djali i Ganiut. Ndërsa i vëllai Ganiu që nga atëherë konsiderohet si i zhdukur Nga kjo familje me traditë të lartë kombëtare në njësitet e UÇK-së ishin edhe Rasimi (moshatar i Isës), Skënderi, Hamiti, Aliu dhe Milazimi të gjithë të një familje.

Tani në Tabe ruhet i gjallë kujtimi për betejat e zhvilluara , ku falë organizimit të mirë dhe disiplinës ushtarake dhe udhëheqjes së mirë të luftës nga eprorët e UÇK-së në këto beteja nuk pati humbje të mëdha as në njerëz dhe teknikë luftarake.

Tani përmendorja e ngritur në Tabet e Lalpshticës flet dhe porosit: “Nderone gjakun e dëshmorëve, nderoni gjakun e derdhur për Kosovën. Nderoni Kosovën, kjo s’na len neve të vdesim, ne ju dëgjojmë ,ju shohim e ju a na dëgjoni neve?”

Isë Havolli është i gjallë në Tabe. Isë Havolli me shokë është në pozicione në Tabe. Ata edhe një herë porositin : Ruajeni, dune, mos e tradhtoni Kosovën.

Isë Havolli pas vetes la një djalë dhe një vajzë të cilët jetojnë në Shkup. Në shenjë respekti për dëshmorin dhe heroizmin e treguar në luftën për liri për Isën janë shkruar shumë poezi dhe kanë shkruar gazeta e revista si dhe janë thurë këngë nga rapsodët llapjanë ndërsa pas familja e Isës nga SHP i UÇK-së u nderua me mirënjohje. (M.K)

Kontrolloni gjithashtu

Zabit Ahmet Shabandula (5.4.1964 - 29.3.1999)

Zabit Ahmet Shabandula (5.4.1964 – 29.3.1999)

Menjëherë pas 24 marsit të vitit 1999, pas bombardimeve të NAT0-s mbi forcat çetnike serbe, …