Isuf Ismaili: Lufta e UÇK- së, është heroike, çlirimtare, e pastër dhe me vlera të larta humaniste

 Në Prishtinë u mbush sheshi “Skënderbej” me protestues të shumtë, me luftëtarë të UÇK- së, Heroike me bashkatdhetarë nga pothuajse të gjitha trevat shqiptare e nga diaspora për ta kundërshtuar me këmbëngulje padrejtësinë e madhe që po iu bëhet krerëve të UÇK – së: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli, e luftërave të tjerë, bijë e bija të popullit që i dolën zot Kosovës, kësaj pjesë të Atdheut, të cilët i tundën kancelaritë evropiane e botërore – strukturat politike e diplomatike të shteteve të mëdha e të fuqishme me krismat e lirisë, me luftën e drejtë e të shenjtë që e bënin për jetë a vdekje për çlirimin e lirinë e njëmendtë të trevave shqiptare, të cilat mbaheshin të pushtuara nga ish Jugosllavia. Ne, së pari, duhet të themi se nuk ka gjë më madhështore se sa të luftosh për lirinë e popullit që i takon. Njerëzit që veten e tyre e vënë në shërbim të lirisë e në shërbim të idealeve të shëndosha atdhetare e të prirë nga ideale të humanizmit, bëjnë luftë të pastër e të drejtë. E tillë qe lufta heroike e UÇK – së e krerëve të saj e luftëtarëve që paraqitën vlerat më të mira atdhetare e humaniste.  Ta shpëtosh popullin tënd nga krimet barbare e fashiste të armikut, siç qe ushtria, policia, paramilitarët e strukturat e çmendura e të droguara serbe, është humanizmi më i madh, është vepra më shkëlqyer atdhetare, ndaj nuk ka aspak vend, nuk është aspak arsyeshme që të mbahen në burgje, të izoluar në hetuesitë ndërkombëtare e vendore as krerët e UÇK – së, as luftëtarët të tjerë të Atdheut. UÇK – ja, dëshmorët e heronjtë e Atdheut ia kthyen dinjitetin të gjithë popullit shqiptar, të gjitha trevave të Atdheut, sidomos trevave shqiptare, si Kosovës e të tjerave që i mbante të pushtuara  Jugosllavia. Duke parë këtë fakt, mund të themi lirisht  se lufta e UÇK- së qe e prirë dhe të orientuar jo vetëm për çlirim nga pushtuesit, por edhe bashkimin e natyrshëm të të gjitha trevave shqiptare dhe ky është një fakt, pasi që dihet historikisht se trevat të shumta të Shqipërisë së tërësishme, u pushtuan nga fqinjët barbarë jugosllavë. Në këtë kuptim gjykatat qofshin ndërkombëtare, qofshin vendore nën presionin e të huajve, edhe pse mundohen e përpiqen ta mohojnë luftën heroike të UÇK – së e luftëtarëve të denjë të saj, nuk mund t’ia arrijnë qëllimeve të tyre të errëta, të prira nga gatimet e kuzhinave serbe e sllavëve të tjerë që i akordojnë gënjeshtrat e tyre në dëm të popullit shqiptar e trojeve të tij. Jemi të vetëdijshëm, se një pjesë jo vogël e bashkëpunëtorëve e shërbëtorëve të armiqve tanë, në Kosovë e trojet të tjera shqiptare, kanë dhimbje të madhe për fundin e turpshëm e me gjak të  krijesës artificiale, për Jugosllavinë, si burg i popujve liridashës, por kohët kanë ndryshuar, ndaj nuk do të arrijnë kurrë ta ndalin kohën e zhvillimeve të natyrshme e të bashkimit të popullit shqiptar.  Kjo pjesë e këtyre bashkëpunëtorëve të Jugosllavisë e Serbisë kanë qenë edhe kundër çdo përpjekje të popullit shqiptar për liri, pavarësi, bashkim kombëtar e çlirim njerëzor, kanë qenë e janë kundër UÇK- së e luftëtarëve të devotshëm të saj. Ndaj edhe kanë bashkëpunuar jo vetëm me armikun, por edhe me gjykatat ndërkombëtare, në dëm të UÇK – së, në dëm të krerëve të saj e të luftëtarëve të tjerë të saj, ndaj kanë grumbulluar gënjeshtra, sipas shijes serbe.  Gjykata e Hagës është e padrejtë e dëmshme dhe paarsyeshme, nuk mund të dënohen njerëzit që luftojnë për çlirim, liri, për humanizëm e drejtësi njerëzore. Dje pjesa e ndërgjegjshme e popullit shqiptar e mbushi sheshin në mbrojtje të bijve e bijave që i dolën zot Atdheut. Ky është zëri që nuk do të ndalet, por do të ngrihet akoma më lartë e do shkojë akoma më larg, derisa të vihet e drejta e popullit shqiptar në vend e duhur.  Në mbështetje të kësaj që e shkruaj është edhe hetuesja e njohur holandeze dhe ish-pjesëtare e ekipit të Tribunalit të Hagës për gjykimin e Sllobodan Millosheviqit, Neveka Tromp, e cila e mori fjalë në protestën e djeshme, por edhe të gjithë ata që folën, si Hysni Gucati që është në krye të veteranëve të UÇK – së e të tjerë që e morën fjalën në atë tubim për mbrojtjen e krerëve të UÇK- së e luftëtarëve të saj, në mbrojtje të popullit e vlerave të luftës çlirimtare që e bëri kjo ushtri sa heroike aq edhe me vlera njerëzore.

Lufta e UÇK- së është heroike, çlirimtare, e pastër dhe me vlera të larta humaniste (në mbrojtje të UÇK – së, krerëve e të gjithë luftëtarëve të saj të denjë).

Kontrolloni gjithashtu

Ibrahim Shala: OFENZIVA E MADHE KUNDËR VLERAVE TË UÇK-së

Ibrahim Shala: OFENZIVA E MADHE KUNDËR VLERAVE TË UÇK-së

Shkrim në përkrahje të reagimit të zëvendës Komandantit të ZOP Sadik Halitjaha me titull “GJYKATA …