Iva Tiço: "Qëllimi i televizionit borgjez, që përfaqësohet nga A. Gjebrea dhe E. Mamaqi, është të degjenerojë masat"

Iva Tiço: “Qëllimi i televizionit borgjez, që përfaqësohet nga A. Gjebrea dhe E. Mamaqi, është të degjenerojë masat”

Qëllimi i televizionit borgjezo-revizionist është të degjenerojë masat”, thuhej në një nga qindra parullat që përpara ’90-ës afishoheshin ngado, që t’i tregonin popullit se si duhej jetuar sa më mirë për të qenë qytetar i denjë i vendit, që kishte mbetur i vetmi fanar komunist.

Sot kohërat kanë ndryshuar dhe ne jemi vetë vend kapitalist. Bëjmë çmos të dukemi edhe borgjezë, por jo gjithmonë ia dalim. Parullat e dikurshme i kemi harruar. Thjesht, na bëjnë të vëmë buzën në gaz, kur na dalin përpara. Por, kemi parullat e sotme, që i shkruajmë nëpër rrjete sociale, tituj portalesh, grupe whatsapp-i.

Dhe, ato që po lexoj këto ditë nuk është se në thelb janë ndryshe nga kjo e mësipërmja, thjesht janë formuluar me frymën e shekullit të ri.

Për shembull, po ta formuloja sipas parullës së mësipërme zhurmën e këtyre ditëve për shfaqjen e vajzave të zhveshura në ekrane dhe trajtimin e femrës si objekt, do ta shkruaja fiks kështu: “Qëllimi i televizionit borgjezo-revisionist, që përfaqësohet nga Ardit Gjebrea dhe Ermal Mamaqi, është të degjenerojë masat”.

Po mirë këta që duan të na degjenerojnë, po ne masat pse i shohim? Mirë ata kanë këto qëllime armiqësore, po ne ku e kemi pultin e televizorit?

Mirë ata që i trajtojnë vajzat si objekte seksuale, po këto vajzat me zor po i marrin? A nuk janë “masat” ato që këtë lloj shfaqjeje kërkojnë? Apo masat e duan dhe pastaj po masat ngrihen kundër?

Përtej parullës së dikurshme, televizioni i sotëm “borgjez” nuk ka aspak si qëllim edukimin e masave.

Si kapitalist që është, ka qëllimin e vetëm të shfaqë prodhime që mbulojnë kostot e veta dhe të sigurojë fitime për pronarët. Pra, të nxjerrë në ekran ato programe që sigurojnë audiencë, që pastaj audienca të sjellë reklamë. Kush është audienca? Masat.

Pra, prodhohen ato që duan masat. As më shumë e as më pak.

Nëse nuk do mendonin pikërisht shifrat e audiencës, Ardit Gjebrea apo Ermal Mamaqi mund të bënin programe thjesht për qejf të shpirtit të tyre, me këngë në piano apo humor anglez, sepse që të dy nuk janë as të çmendur, as “të degjeneruar” që të përdorin kërcimtare pa mbathje apo balerina me këmbë përpjetë. Thjesht, kështu ua do puna. Masat e kanë vetë në dorë të mos i shohin më të tilla programe, të na tregojnë që vërtet preferojnë gjëra të tjera. Dhe televizioni kapitalist do t’ua japë!

Kontrolloni gjithashtu

Skënderbeu në Krujë

Ahmet Qeriqi: Gjergj Kastrioti-Skënderbeu diga e fortë kombëtare për t’i mbrojtur shqiptarët nga Lindja e nga Perëndimi

Evropa kërkon nga ne që Gjergj Kastriotit, t’ ia heqim Skënderbeun, ndërsa Azia kërkon që …