leoni

Jakup Krasniqi: A është Kosova e përfshirë në ISIS?

          Për të saten herë po thuhet se Kosova është e përfshirë në ISIS? Akuza të tilla vijnë nga armiq apo edhe individë të ndikuar nga ta, të cilët po akuzojnë për rolin e shqiptarëve në ISIS?! Sikur, akuzuesit do të mund të faktonin, se ndonjë segment i shtetit po u marrka me ketë organizim të tmerrshëm që i tejkalon kufijtë e njerëzores, përveç shkuarjeve individuale, që në kohën tonë është vështirë të kontrollohen a ndalohen, pasi atë nuk po mund ta ndalin a pengojnë as vende shumë më të organizuara të botës perëndimore e demokratike, nga Republika e Kosovës do të duhej të kërkohej shumë përgjegjësi. E diçka e tillë nuk mund të thuhet nga askush. Natyrisht nga vendi ynë kërkohet një vigjilencë e përhershme.

 

           Ndërsa fakti se atje ka qytetarë të Kosovës, të cilët nuk janë më shumë se “mish për top” për oligarkinë e fuqishme politiko-financiare apo edhe ekonomiko financiare (ndërkombëtare), të lidhura me individ a grupe në Kosovë (të stimuluara nga qarqe të ndryshme fetare në Kosovën e pas luftës, nën petkun e shoqatave humanitare), që qëllim kishin dhe kanë dobësimin e elementit nacional në Kosovë. Shkuarja individuale e njerëzve në asnjë mënyrë nuk mund t’i veshët Republikës së Kosovës. Në Kosovën e pas luftës çlirimtare, në mënyrë të organizuar dhe sistematikisht është punuar në dobësimin e vetëdijes nacionale duke vë theksin në atë fetare. Pse ka ndodhur kjo, tek ne ende nuk është bërë ndonjë analizë serioze. Por, është koha që të bëjmë diçka! Pasi edhe zhvillimet e fundit (të brendshme) në shoqërinë shqiptare pa përjashtim, po tregojnë se kombi ynë ka një krizë të madhe identiteti politik, përfaqësues, intelektual dhe të kulturës tradicionale kombëtare! Kjo gjendje është mase e dhimbshme për njeriun tonë.

 

Pse pyes, a  është Kosova e përfshirë në ISIS?!

 

          Cila është fuqia ekonomike e Kosovës, veç “mishit për top”, për të mbajtur në këmbë ISIS-in në Lindjen e Afertë? Çka po përfiton ekonomia e Kosovës nga i ashtuquajturi Shteti Islamik? Sa dhe cila industri e Kosovës është duke përfituar nga lidhjet biznisore me ISIS-in? Sa armatim u dërgua nga Kosova atje? Dhe a ka një industri të tillë në Kosovë? Sa automjete që i përdorin në shtetin islamik, kanë origjinë nga Kosova? Cilat armë të renda që përdorin ata te ISIS-it janë më origjinë nga Kosova? Cilat automjete të motorizuara janë me origjinë nga Kosova? Janë këto pyetje që do të duhej të kërkonin përgjigje nga ata që bëjnë akuza të tilla.

 

         Arsyeja pse shqiptarët nga Kosova gjinden atje dhe a do të duhej të gjendeshin, është një çështje tjetër dhe kërkon një diskutim serioz në shoqërinë shqiptare në përgjithësi. Politika shqiptare, shtetet shqiptare (Shqipëri e Kosovë), Akademitë Shqiptare, Intelektualët shqiptarë, Universitetet dhe Arsimi në përgjithësi deri dhe familja, duhet të merren seriozisht me ketë fenomen të çoroditur. Të gjitha segmentet e përmendura të shoqërisë shqiptare, përfshirë edhe Bashkësitë  Islame duhet me nguti të merren me ketë fenomen më shumë se degradues për kombin e vendin tonë. Nëse cilido segment në hapësirën shqiptare, qoftë edhe ai i fesë, po të jenë të lidhur me atë organizim ideologjik e politik, mbase edhe për interesa ekonomike, duhet të përgjigjen para ligjit dhe ndërgjegjes kombëtare. Kushdo që është kundër interesit kombëtar të shqiptarëve, e nën cilindo flamur që të veprojnë, institucionet shtetërore përkatëse duhet t’ua tregojnë vendin. Përndryshe, cilat do të ishin arsyet që një komb të sakrifikonte për shtetin? Arsyet se pse shqiptarët janë përfshirë në atë rrjet terrorist, para pak dite e tha, në gazetën “Zëri”, D. Serwer,: “Unë nuk mbaj një qëndrim për SHBA-në. Personalisht, më duket se po shohim një rritje dramatike të kosovarëve që janë të gatshëm për të luftuar për një kauzë që unë e cilësoj të tmerrshme, por atyre po u duket tërheqëse. Mungesa e mundësive për punësim, izolimi, financimi nga të huajt ekstremistë, zhgënjimi nga përfitimet e pavarësisë, zhgënjimi me qeverisjen e korruptuar, të gjitha këto luajnë një rol frymëzues për rekrutim në “Shtetin Islamik”.

 

          Përkundër kësaj që u tha, thëniet se Kosova është e përfshirë në ISIS, janë përtej çdo mundësie që Republika e Kosovës të jetë kontribuuese (përveç “mishit për top”), për ekzistencën e shtetit islamik, ekzistenca e të cilit as nuk është varur e as që do të varet nga shqiptarët në përgjithësi e ata të Kosovës në veçanti. Do të ishte më e saktë po të thuhej se qytetarë nga Kosova, siç bënë D. Serwer në intervistën për “Zërin”, ndërsa cilësimi “rritje dramatike e kosovarëve”, nuk e di sesa mund të argumentohet kjo. Por nëse është kështu, se kemi “rritje dramatike”, gjendja është serioze dhe kërkon reagim adekuat nga shteti ynë, pse jo edhe shoqëria në tërësi!  Kosova, atë shtet që nuk e njeh kush formalisht edhe e ndihmon shumë kush materialisht e teknikisht (sic!) as e ka krijuar dhe ka asnjë mundësi që ta zhbëjë! Ndërsa Republika e Kosovës, qeveria e saj duhet të kontribuoj për eliminimin e çdo faktori ekonomik, politik e social që i shtyn qytetarët e saj ta marrin atë rrugë, që njeriut i shkakton vetëm vuajtje, dhimbje e fatkeqësi të mëdha.

 

          Nuk ka asnjë dyshim, kombi shqiptar duhet ta kuptojë pozitën e tij gjeostrategjike, e cila është vështirë e përballueshme për shkak të armiqve të shumtë të jashtëm dhe çakordimeve armiqësore të brendshme. E gjithë historia jonë më se 100 vjeçare na tregon se sa herë jemi gjetur në “mote të mbrapshta” siç jemi sot, të tjerët kanë fituar mbi trupin e Atdheut tonë! Shqipëria e Kosova e kanë me nguti rilindjen e një mendësie politike të rilindësve – gjithçka për Atdheun.

Kontrolloni gjithashtu

Ali Ahmeti nga Zvicra: Të hiqen kufijtë midis nesh siç i hoqi Europa dhe të bëhemi bashkë në BE

Salla përplot në Cyrih të Zvicrës mirëpriti liderin e shqiptarëve, Ali Ahmeti, i cili u …