Jakup Krasniqi: A thua çfarë vlera kanë dekoratat dhe çmimet te shqiptarët


Jakup Krasniqi: A thua çfarë vlera kanë dekoratat  dhe çmimet te shqiptarët


Qe një kohë ajo, kur vërtet mendoja se çmimet e ndryshme ndërkombëtare a “kombëtare” të ish-federatës apo ato të mëvonshmet serbe, ishin një reflektim i vlerave të matshme për një sukses apo arritje në fushat e shkencave humanitare, duke mos llogaritur me këtë rast sukseset dhe të arriturat në shkencat ekzakte dhe mjekësi, suksesi i të cilave gjithnjë është i matshëm. Besoja atëbotë se edhe çmimet nga ai për dëshmorin apo heroin e gjallë apo të rënë për lirinë dhe të drejtat e trumbetuara ishte më shumë se i verifikueshëm.


Por sot nuk besoj më! Thjesht, nuk besoj më, se është përzier ca si shumë shapi me sheqerin. Apo siç thoshte Fallmerayer-i në vitet 1857/60, se “tradhtia te shqiptarët ishte si një nga mëkatet më të natyrshme…”. Kjo do të thotë se në Evropën e kohës, tradhtia ishte një vepër e rëndë ndaj shtetit e kombit. Sigurisht që natyrshmëria për te mos vlerësuar drejt, vazhdon të rishfaqet edhe sot dhe jo vetëm me listat e veteranëve e të invalidëve të LUFTËS ÇLIRIMTARE, por edhe aty ku vlerat do të duhej të mateshin si me peshoren e farmacisë të institucioneve më të larta shtetërore e arsimore. Tek ne çmimi për vlerat ka rënë shumë, si në shitoret ku shiten “gjithçka me një euro”.


Që në vitet ’90 kam pas vërejtur se në shumë çmime e sidomos ato të disidentëve (të instancave europiane) të ndryshëm politikë e letrarë e veçmas disa çmime për “suksese” në fushat politike e humanitare, pas tyre shihej qartë “mashtrimi i madh”. Në fakt ato ishin “vlerësime” tërësisht politike, të cilat në tërësinë e tyre kishin edhe një lloj lajthitjeje, herë me hir e herë pa hir.


Edhe pse një kohë, që para viteve ’90, politikanëve dhe shkencëtarëve  “tanë” u jepeshin çmime të ndryshme siç ishin ai i AVNOJ-it dhe ai i 7. JUL-it (7 korrikut), për vepër politike apo shkencore. Natyrisht që këto çmime u jepeshin atyre që ishin zgjedhur nga zotërinjtë e Beogradit dhe zakonisht u jepeshin atyre shqiptarëve që ishin shkëputur shumë nga interesat e qytetarëve që i përfaqësonin. Gjithsesi, duhet theksuar se, as atëherë nuk jepeshin me lehtësinë që sot janë bërë një rutinë e përditshme që askush se merr më seriozisht. Ndërsa ata që meritonin ndonjë dekorim e çmim për veprime atdhetare ndiqeshin, izoloheshin, burgoseshin, por edhe vriteshin. Madje edhe shumë nga njerëzit “tanë” ishin të gatshëm t’i “meritonin” të gjitha ato dekorata apo çmime “prestigjioze” për popullin dhe vendin e vet, sipas fabrikimit “kombe e kombësi”. Nuk ka dyshim se nga këta “njerëz” apo “personalitete” ishin me shumë dinjitet dhe integritet, të cilët i sfidonin vështirësitë dhe jo privilegjet e asnjë lloji të cilat sot e gjithë ditën i shohim të jetësohen. “Njerëzit” apo “personalitete” e dinjitetshme do të kenë besuar se do të vinte një ditë që do të dekoroheshin nga pasardhësit e denjë dhe se dekoratat apo çmimet më të larta do të kishin bazament të meritueshëm sa edhe të besueshëm.


Së këndejmi shtrohen dy pyetje substanciale:


Përse nuk e kemi një komision të denjë vlerësimi, të përbërë nga njerëz të njohur e kredibilë? Dhe  Përse do të ishte i rëndësishëm dekorimi i njerëzve derisa ata janë gjallë apo dekorimi dhe çmimet e ndryshme post mortum (pas vdekjes)? Me një përgjigje të thjeshtë: për ta nderuar një vepër a punë të mirë, një sakrificë a heroizëm të veçantë njerëzor!


Por, mirënjohjet kanë edhe qëllim parësor edukimin e brezave për punë e veprime të mira, për veprime të guximshme e heroizma të dobishëm për kombin e shtetin. Dhe kjo, për t’u treguar brezit të sotëm e atyre që do vijnë se për vepra të mira e të guximshme ekziston Institucioni i Mirënjohjes. Atëherë, a po e shfrytëzojmë sot ne, shqiptarët e të dy anëve të Drinit të Lasgushit, Institucionin e Mirënjohjes? Institucionin e Mirënjohjes ku janë hipotetikisht dekorimet e presidentëve, të universiteteve (Honoris Causa) dhe komunave apo bashkive (Qytetar Nderi)! A përfshihen në këto dekorime apo çmime vlera të meritueshme të veprimit kombëtar apo vlera thjesht tregtare, “dhuratë që përbrenda kanë kamatë”? Nuk them se në mesin e të dekoruarve apo te çmimeve të tjera nuk ka të merituar! Por loja po bëhet si në politikë, kur luhet me gjysmë të vërteta. Kur përfshihen sa për t’u thënë një apo dy gjysmë të vërteta për t’i mbuluar shume mashtrime e gënjeshtra! Kjo lojë, me ndonjë përjashtim apo të vërtetë, sot e gjithë ditën po ndodh nga institucionet tona të mirënjohjes, institucione këto tejet të larta shtetërore, të cilat duhet ta kristalizonin e qëronin deri në perfeksion e respekt Institucionin e Mirënjohjes.


Duke e parë papërgjegjësinë publike të presidentëve (dhe jo vetëm të tyre), për përgjegjësinë e madhe publike që kanë, si të parët e kombit, do ta shfrytëzoj mundësinë e vetme, si një shtetas më përgjegjësi, të mendoj e të deklaroj me zë: Mjerë ai apo ajo që merr përgjegjësinë e të parit apo të parës së vendit e të kombit dhe nuk e ka ndjesinë e përgjegjësisë publike për të matur e çmatur mbi bazën e këshillave mirë të verifikueshme, nga njerëz e organe te besueshme! Ju lutem, mos mashtroni bile e dekorata!


 


 


Jakup Krasniqi: Rrugëtimi njëvjeçar i Nismës për Kosovën


 


Ne, te nderuar drejtues dhe anëtarë te NISMËS për Kosovën, jemi nisur se bashku para një viti në një rrugëtim të ri politik me qëllimin që të ndërtojmë një parti politike të re, që ka një qasje ndryshe, që mendon ndryshe për të sotshmen dhe të ardhmen e qytetarëve tanë. Një parti që shtetin nuk e sheh si pronë private, por mekanizëm te të gjithë qytetarëve dhe mekanizëm i gjithë qytetarëve është vetëm shteti i se drejtës, qe ende nuk e kemi. Për shtetin e se drejtës ia vlen çdo angazhim, cdo përkushtim e sakrificë njerëzorë. Shtetin që e kemi sot, nuk po i hynë në punë askujt, prandaj qytetarët po ikin, si dikur nga turku e më vonë nga serbi. Nisma është për shtetin i cili valën e ikjes e kthen në valë të kthimit në vatrat e tyre stërgjyshore, në shtëpitë e tyre të ngrohta. Ky është shteti që u duhet qytetarëve te Republikës sonë dhe për të cilin ia vlen të investohet.


 


Zonja e zotërinj,


 


NISMA më 28 shkurt 2014 është nisur ne një rrugë te re, për të sjellë një frymë te re njerëzore e solidariteti, për të mishëruar në një kontratë të re sociale mes nesh. Çdo e drejtë e njeriut tonë është një përgjegjësi e cilitdo anëtarë të Nismës për Kosovën. Ne kemi qenë dhe jemi të vetëdijshëm për atmosferën e egër politike që sundon në Kosovë, për parregullsitë e pa ligjësitë e shumta dhe vështirësitë e lloj-llojta që do kishim përpara, por rrugët nuk hapen pa ia nisur dhe nuk finalizohen pa vizion, guxim e vendosmëri. Ne e nisëm një rrugë dhe hymë në Kuvendin e Kosovës, për të pas zërin tonë aty, por zëri ynë do të jetë edhe përtej Kuvendit, kudo ku është interesi i atdheut, i kombit dhe i shtetit të se drejtës. Në kushtet që punuam e vepruam gjatë një viti, nuk është pak, ndonëse është e pa mjaftueshme për të sjellë ndryshime që i duhen Kosovës. Ndryshimet askund nuk vijnë as lehtë e as shpejtë. Për të sjell ndryshime, nuk mjafton vetëm të jesh i pa kënaqur.


 


NISMA e ka për parim kryesor, kauzën politike për ndërtimin e shtetit të së drejtës. Nuk mjafton vetëm fakti se me NE është dija, dashuria, drejtësia, përkushtimi dhe vendosmëria për ta ndryshuar gjendjen dhe ndërtuar shtetin e së drejtës. Ne duhet të mendojmë për një bashkim te forcave e grupimeve progresiste shoqërisë sonë, për të realizuar kauzën tonë politike.


 


Realiteti i krijuar pas zgjedhjeve të 8 qershorit 2014, e sidomos pas koalicionit të ri – PDK/LDK kërkon domosdonë e një bashkimi te qytetarisë së mesme në Republikën e Kosovës. Një parti qytetare me elemente progresiste rreth se cilës bashkohen segmentet e organizuar të shoqërisë sonë që pajtohen me parimet politike, ekonomike e sociale të Nismës. E shfrytëzoj ketë përvjetor të NISMËS, për ti ftuar të gjitha grupet progresiste, shoqërore e intelektuale për një Lëvizje të bashkuar progresiste për ndryshim, për zhvillim, për shtet të se drejtës, për shtet të dijes, për shtetin e drejtësisë sociale. Në këto gjera duhet të përqendrohet politika e jonë, e jo ne bisedimet shterpe Prishtinë – Beograd, të cilat e kanë de funksionalizuar shtetin.


 


Sot, 16 vjet pas lirisë se Kosovës, shoqëria shqiptare në Kosovë ka ndryshuar shumë, krahasuar me vitet e vështira të robërisë së deri djeshme. Sot, mes vullnetit qytetar dhe politikës është krijuar një hendek i madh që kërkon ndryshim të thellë rrënjësor e përmbajtjesor. Ne jemi të gatshëm që ti vëmë dijet tona, vendosmërinë dhe shpatullat tona për një ndryshim përmbajtjesor, për të gjithë qytetarët e Kosovës, që atyre t’ua kthejmë shpresën dhe besimin për një të ardhme të sigurt e të dinjitetshme.


 


Nisma për Kosovën është ndarë pa ekuivoke e më kohë nga politika e mashtrimit, nga politika e shurdhër që nuk ka sy e veshë që t’i dëgjojë e t’i shikojë drejt në sy hallet dhe kërkesat e shqiptarëve, që s’ka guxim e as gojë që t’u flasë njerëzve për problemet e përditshmërisë së tyre hapur e çiltër, për ti ndarë me ta, të mirat e të këqijat. Qeveritarët tanë kanë zgjedhë mashtrimin për gjithçka e për çdo gjë.


 


Ata që nuk guxojnë t’i shohin e as t’i dëgjojnë hallet e popullit, nuk e kanë vullnetin politik e njerëzor që t’i zgjidhin problemet që i kanë krijuar vetë, ata mund dhe do ti thellojnë vetëm problemet. Ata, të vetmen metodë të punës e kanë, joshjen përmes mashtrimit, duke len prapa zhgënjimin. Shpërngulja e qytetarëve në drejtim te perëndimit për një jetë më të mirë e më të sigurt, na obligon që të shikojmë ku është gabuar, gjatë këtij rrugëtimi 16 vjet vjeçar.


 


Nisma për Kosovën, dhe së bashku me shumicën qytetare, duhet të shkëputen një herë e mirë nga politikat që prodhuan varfëri e pasiguri, nga politikat që nuk patën mendje e zemër për t’i parë e ndjerë vështirësitë e shqiptarëve dhe qytetarëve të tjerë të këtij vendi. Politikat egoiste e të pa shpirtra nuk i duhen askujt, e më se paku i duhen Kosovës, njërit prej vendeve më të varfra te Botës. Me politikat e deri tashme, rruga e integrimeve evropiane veçse do të largohet nga dita në ditë. Ne do t’i kuptonim mbështetësit e tyre, qytetarët e Kosovës sikur këta njerëz që po e qeverisin Kosovën te ishin verifikuar për vepra të mira, sikur të ishin treguar largpamës që pastaj ne tu zinim besë, por nga këta njerëz, ne nuk kemi parë të mira, veç mashtrimit zgjedhor.



 


NISMA për Kosovën i vlerëson lartë të gjitha ndihmat që kanë ardhur nga Bota demokratike dhe i falënderojmë shumë, por ndryshimet ekonomike, demokratike e zhvillimore, ndërtimi i shtetit të se drejtës, është vullnet dhe vepër e politikës sonë, e përsërisë, ekskluzivisht vullnet e vepër e politikës sonë. Gjithë zhvillimet e këtyre 16 viteve e konfirmojnë ketë.


 


Nisma ka synim që t’i përfshijë qytetarët shqiptarë e komunitetet pakicë në një projekt të ri shprese e besimi për një të ardhme të përbashkët. Por, këtij projekti të ri duhet t’i bashkohen intelektualët e rinj, ekspertët e aftë dhe shumica e qytetarëve të vendit tonë. Duhet të bashkohen të gjithë ata që e duan me zemër e shpirt dhe pa hile nënqiellin tonë të përbashkët të quajtur: Republikë e Kosovës.


 


Nisma do të ndihmojë të rejat e të rinjtë që sinqerisht punojnë të ndryshojnë ambientin e tyre të punës e të jetës për një të ardhme më të mirë. I bëjmë thirrje çdo gruaje a vajze që do të ndryshojnë pozicionin e vet shoqëror, t’i bashkohet Nismës për ndryshime se nuk do të pendohen. Kërkojmë nga çdo familjeje që i beson ndryshimit të gjendjes së saj të vështirë ekonomike e sociale, jo me fajin e saj, t’i bashkohet karvanit të ndryshimeve. Ndryshimin mund ta bëjnë vetëm qytetarët e bashkuar rreth një nisme e përgjegjësie të re, rreth një morali të ri politik, kombëtar e progresist.


 


Në presim nga gjenerata e re, nga intelektualet dhe ekspertet që t’i bashkojmë energjitë qytetare për një qeverisje të mirë e të lirë.


 


Kosova e sotme është në një krizë morale e politike, demokratike dhe ekonomike. Varfëria është ulur këmbëkryq në mesin tonë, në familjet tona. Papunësia është bërë sëmundje kronike dhe ekziston rreziku të mësohemi me këtë gjendje të mjerë. Bajraktarizmi mesjetar është bërë stil i qeveritarëve tanë rrahagjoks, krimi dhe korrupsioni është kthyer në sistem dhe po metastazon në tërë shoqërinë e Kosovës, te secili që mund të grabisë. Shumësia e ligjeve të pazbatuara po rritet nga dita në ditë, administrata publike është uzurpuar nga partiakët arrogantë e të pa dijshëm, gënjeshtra është bërë kulturë politike e politikanëve. Zhvillimi ekonomik dhe investimet si pasoj e krimit të organizuar e të lidhur me politikën, kanë pësuar një rënie të vazhdueshme. As degradimi i autoritetit te institucioneve të shtetit nuk ka të ndalur. Në institucionet tona, më vitale të shtetit është vendosur kultura e sundimit te despotëve aziatik. Arsimi dhe shëndetësia janë si është më se keqi.


 


Sikur të kishim në krye te shtetit njerëz që vendit dhe popullit po i sjellin të mira, të mira që mund të verifikoheshin, nuk do të kishim arsye që t’ua kishim drojën, se nga ata vendit e popullit nuk do tu vinte asnjë e keqe a fatkeqësi, si kjo ikja e madhe e ditëve të sodit.


 


Misioni dhe vizioni ynë është të hapim një faqe të re në jetën politike të Kosovës, të demokracisë qytetare e të drejtësisë sociale. Kemi obligim kombëtar e qytetar që tranzicionin demokratik ta përmbyllim duke e refuzuar pa hezituar te qeverisurit pa moral e grabitqar të tranzicionit, krimin dhe korrupsionin, monopolin dhe nepotizmin. Nga kjo që u tha, është bërë domosdoshmëri që ta kemi një Parti Qytetare PROGRESISTE e cila të bëhet udhërrëfyesi moral dhe politik i Kosovës demokratike. Republika e Kosovës duhet të lirohet nga partitë klienteliste me të cilat nuk mund të ndërtohet shteti i se drejtës. Me këto parti klienteliste, Kosova do të përjeton degradime të tjera tepër të dhimbshme, ato janë para nesh! Ditë të vështira na presin, por në ditë të vështira njerëzit tregojnë integritetin e tyre njerëzor e kombëtar.


 


NISMA për Kosovën kërkon nga secili qytetar i Kosovës të cilët nuk pranojnë t’i nënshtrohen vullnetarisht asnjë sundimi despotik te qeveritarëve apo liderëve politik, ti bashkohen ndryshimit. Pse ne e kërkojmë ketë? E kërkojmë se në demokraci, qytetarët e kanë në duart e tyre fuqinë për fuqizimin e qeveritarëve por edhe ç’fuqizimin e tyre, ose nëse ata vullnetarisht u nënshtrohen sundimtarëve despotë.


 


NISMA është një fryme të re qytetare që i duhet Kosovës së pavarur, sovrane dhe demokratike. Hapja e rrugëve të reja, kurdo e kudo ka qenë dhe është e vështirë, por ato nuk bëhen dot pa ia nisur vizionarët e zhvillimit e të progresit.


 


Ne krenohemi me rrugëtimin e ri të Nismës për Kosovën!


 


 


Jakup Krasniqi: Kosova ky vend i fortë, i pasur dhe i ri i Evropës


 


Kosova deri në vitin 1912 i zhvilloi disa luftëra kundër Perandorisë Osmane, ndërsa pas këtij viti i zhvilloi një sërë luftërash kundër serbëve dhe serbo-jugosllavëve, më saktë, Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene, gjithë deri në vitet 1927-1928, duke përjetuar humbje të mëdha njerëzore, materiale, deri dhe shpërnguljet masive për në Anadoll të Turqisë, një tendencë kjo e spastrimit etnik. Qëllimi i qartë se duke shkaktuar vrasje, shpërngulje e duke mbjellë vdekjen kudo në Kosovë, qe planifikuar zhbërja e shqiptarëve nga dheu,të cilin e banuan denbabaden si dhe për ta ndryshuar tërësisht përbërjen etnike të saj. Shqiptarët e Kosovës edhe pse në kushte të vështira i mbijetuan politikës shoviniste serbe, e cila jo pak herë mes dy luftërave botërore e kishte aplikuar masën më çnjerëzore të tokës së djegur me zjarrvëniet e shumë fshatrave e qyteteve. Këto që i kishin përjetuar shqiptarët e Kosovës atyre viteve, në kontinentin e Evropës nuk i kishte përjetuar askush tjetër veç shqiptarëve. Prandaj askush nuk mundet ta mohojë faktin se shqiptarët e Kosovës ishin më të fortit, së këndejmi, më të qëndrueshmit e Evropës.


Shqiptarëve iu premtua në Luftën Antifashiste, duke besuar thellësisht e verbërisht madje se pas Luftës së Dytë Botërore, se Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit do të bashkoheshin me Shqipërinë, siç ekzistojnë dokumentet e nënshkruara e zeza mbi të bardhën. Fashistet e krijuan një Shqipëri përtej asaj londinezes, e cila ishte e destinuar të humbiste pasi nuk mund të njihej nga Aleanca Antifashiste, pjesë dhe kontribuese e së cilës ishin edhe forcat partizane shqiptare. Por as fashistet e as komunistet nuk kishin qëllim krijimin e Shqipërisë së shqiptarëve etnikë. Pas Luftës së Dytë Botërore, përkundër marrëveshjeve që duheshin ratifikuar, Kosova përsëri u aneksua nga Jugosllavia e Titos dhe për 54 vjet të stërgjatë vazhdoi robëria e egër serbe e jugosllave, gjithë deri në qershorin e vitit 1999.


 


Kosova për 87 vjetet e sundimit të Serbisë, mbretërisë jugosllave, të Jugosllavisë së Titos e të Millosheviqit, jetoi jetën më të rëndë se të apartejdit të sanksionuar botërisht. Shqiptari i Kosovës gjatë 33 viteve të krajlëve të Serbisë,nga të cilat tri ishin te fashizmit italian e gjerman, përjetoi ndjekje e përndjekje të ndryshme nga njerëzit e pushtetit sipas një skeme terrori shtetëror për ndryshme substanciale në terren, përjetoi pra vrasje nga më të dhimbshmet dhe shpërnguljen për në Turqi, të planifikuar konform planeve e elaborateve qoftë të para Luftës së Dytë Botërore, qoftë pas saj.Drejtësia, barazia, e parulla të tjera ishin thjesht demagogji diktatoriale. Qëllimi i gjithë kësaj politike, siç pohonte Vasa Çubrilloviqi, ishte ta shndërronte Kosovën në tokë serbe, ashtu siç kishin bërë me Shqipërinë e Toplicës, e cila ishte shndërruar tashmë në tokë serbe. Gjatë gjithë kohës që e kemi në shqyrtim, për asnjë kohë nuk pushoi represioni i pushtetit, i administratës dhe i xhandarmërisë serbe mbi shqiptarët si ndaj atyre të qytetit, po ashtu edhe të fshatit. Taksat ishin të çdo natyre, qëllimi i të cilave ishte mbjellja e pasigurisë, detyrimi për t’i lëshuar shtëpitë e katanditë e tyre. Me gjithë këto masa të egra, shqiptarët në kontinuitet e ruajtën shumicën epopullsisë së Kosovës.


 


Sipas akademikëve serbë, “fajin” për këtë disfatë serbe e kishte gruaja, nëna shqiptare, e cila lindte më shumë fëmijë se nënat serbe.


Nuk ka dyshim se këtu qëndroi e qëndron forca e shqiptarëve të Kosovës!


 


Politikat e Tito-Rankoviqit, edhe pas Luftës së Dytë Botërore, pakicat kombëtare nuk i shihte si pasuri, por si pengesa nga të cilat duheshin të liroheshin. Kësisoj këta “vëllezër” binjakë politikat e tyre i orientuan drejt mbjelljes së pasigurisë për punë e jetë normale, duke i lënë hapësirat e qëndresës shqiptare pa investime, pa arsim e shëndetësi. Këtyre “pakicave”, siç i diskriminonin edhe teorikisht, duke qenë se shqiptarët numerikisht ishin “pakica” më e madhe,s’i mbetej tjetër rrugë pos ikjes. (Ç’koinçidencë me të sotmen, e migrimit gjoja ekonomik dhe të paperspektivë!) Edhe pakica hungareze shikohej me mosbesim për shkak të afrisë që kishte me Hungarinë. Këtë të fundit ia arritën ta mbizotërojnë, ndër të tjera edhe me martesa të përziera, kolonizimin e fushave pjellore, ndërrimin e përbërjes së popullatës pas dëbimit të folksdojçerëve, etj.) prandaj me një egërsi të veçantë ju sulën shqiptarëve, të cilët për 54 viteve ishin “delja e zezë” në Serbi e Jugosllavi. Gjatë gjithë periudhës 54 vjeçare, në federatën jugosllave shqiptarët ishin numerikisht më të përndjekurit, sikurse edhe burgjet anembanë Jugosllavisë ishin të mbipopulluara me të burgosur shqiptarë. Në anën tjetër, trojet e shqiptarëve ishin më të prapambeturat, më të pazhvilluarat dhe më të plaçkiturat. Sidomos plaçkiteshin pasuritë e tyre tokësore e nëntokësore, si thëngjilli i linjitit dhe pasurit e shumta të Trepçës dhe të mineraleve të tjera anekënd Kosovës. Një përndjekje tëveçantë, duke kulmuar me burgosje e vrasje tëpanumërta, shqiptarët e përjetuan në vitet e sundimit të Millosheviqit. Shqiptarët, përveç të tjerash, u përzunë nga jeta politike e publike. Shqiptarëve u mbeten vetëm dy rrugë: ajo e ikjes nga trojet stërgjyshore dhe e luftës së armatosur. Nga Kosova ikën mbi 400.000 shqiptarë, ndërsa shumica e mbetur përqafoi luftën e armatosur. Kjo e bëri gjithsesi edhe më të fortë Kosovën.


 


Pra, në përfundim të mileniumit të dytë, Kosova e bëri edhe një luftë, tashmë të organizuar, me aleancën më të sinqertë dhe më domethënëse, me NATO-n, një luftë që rezultoi me mbi 13 mijë viktima të martirizuara për lirinë dhe shtetësinë e sotme. Por edhe me mbi 200.000 shtëpi dhe ekonomi familjare të shkatërruara.Ekonomia kombëtare pat humbje të pallogaritshme. Kosova i mbijetoi edhe këtij holokausti të egër. Kosova me ndihmën (aleancën) ndërkombëtare e mundi edhe makinerinë vrastare të Millosheviqit. A nuk është kjo edhe një dëshmi tjetër se Kosova ime, Kosova jonë, ishte e fortë! Sepse të fortë qenë vetë qytetarët e saj.


 


Fortësia e Kosovës dhe e qytetarëve të saj nuk përfundon këtu, ajo vazhdon më tutje


 


Pas luftës çlirimtare Kosova jonë e përjetoi edhe administrimin ndërkombëtar, përjetoi politika herë-herë të paqarta dhe tejet të ngadalshme të mëkëmbjes ekonomike e zhvillimore. Përjetoi një qeverisje të brishtë, të mos them të keqe, e cila u tolerua mbase për faktin e vetëm se po ndodhte pas çlirimit nga Serbia! Kosova nuk qe në ditët e saja më të mira derisa bëri edhe kompromiset me Planin e Presidentit Ahtisari, që kulmuan me shpalljen e Pavarësisë më 17 shkurt 2008. Me këtë sikur shpresohej e besohej se do të bëhej mirë, kur një ditë do të lirohej nga administrimi ndërkombëtar.


 


Së këndejmi, Kosova dhe qytetarët e saj përjetuan edhe sundimin e disa komandantëve, të cilët në vend që të vazhdonin kontributin për zhvillimin e vendit në të mirë te qytetarëve, ata u kujdesën për pasurimin e tyre personal. Pasuria kombëtare u keqprivatizua. Kosova nuk fitoi as zhvillim e as punësim të shpresuar e jo pak të premtuar. Si nga ndërkombëtarët, si nga partitë politike që qeverisën e bashkëqeverisën, madje herë-herë edhe me koalicione të panatyrshme. Kjo gjendje e pashpresë, pas një qeverisje të tillë, edhe pas pavarësisë, më saktë, shtatë vjet pas saj, populli ynë (të mos çuditemi!) po e kërkon shpresën jashtë atdheut. Me këto shpërngulje shqiptarët po rinojnë edhe vendet e BE-së.


 


Duke e njohur mirë historinë e Kosovës, e cila ka parë e jetuar shumë padrejtësi, ajo dhe populli ynë do të gjejë forcë dhe energji të reja për të ndryshuar gjendjen në të mirë, me perspektivë meritore. Sepse, pas bisedimeve te Brukselit, po përjeton kërkesa të reja e të padenja shoviniste nga Beogradi për copëtim e gllabërim të pasurisë së saj. Ky agresion i rii Beogradit karshi qyqarllëku i politikës sonë duhet të kanë një fund. Përse Kosova dhe populli i saj i pafajshëm duhet t’i përjetojë të gjitha këto padrejtësi të ushtruara nga politikat pushtuese e shfarosëse të Beogradit, të“kalkulimeve” të miqve ndërkombëtarë dhe të zhvatësve vendorë dhe t’ju bëjë ballë, duke qenë si përherë e fortë dhe me një qëndresë të paparë?!


 


Sigurisht, sepse Kosova ka forcë e energji për t’i kapërcyer edhe këto padrejtësi politike e juridike!


Kosovës i duhet një politikë e re që instalon demokracinë, ligjëson lirinë dhe krijon perspektivën zhvillimore për jetë të dinjitetshme për çdo shtetas të saj!

Kontrolloni gjithashtu

Adrian Gjini: Kryeministri Kurti, Ideologjikisht është tipik anti-amerikan

Nënkryetari i AAK-së, z. Adrian Gjini, ka kritikuar kryetarin  e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, për …