Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Duhet t’ ia dimë hallin vetes

 Si shkas për këtë shkrim është qasja e disa qarqeve “elitare” të Kosovës për zgjedhjet e sapo përfunduara në SHBA. Nuk kam asnjë dyshim se kombet e vogla, siç është kombi ynë, kanë nevojë të madhe për miq të mëdhenj, të fuqishëm dhe me ndikim në strategjitë vendimmarrëse botërore. Këtë e tregon edhe historia jonë shumëshekullore, që nga koha e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, ajo e Ali Pashë Tepelenës e gjithë deri në ditët e sotme. Por, gjithashtu, historia na mëson se për sigurinë nacionale duhet të mendojmë dhe të investojmë jo pak dije, sa më shumë dashuri e pasuri dhe gjithsesi vendosmëri. Ndërsa qeveritarët tanë gjithë “dijet” e “dashuritë” e tyre i kanë kthyer për pasurim thjesht personal!

Krejt çështja është nëse politika shqiptare është duke menduar e punuar me përgjegjësi për sigurinë kombëtare në perspektivë, derisa kombet e mëdha po orientohen nga siguria nacionale?Atëherë, përse kombi ynë të mos punojë e investojë për sigurinë e gjithë kombit?

Siç pamë këto ditë, ne shqiptarët dimë që t’u shesim mend gjithë botës, madje edhe SHBA-ve, sesi dhe kë duhet të zgjedhin, por nuk dimë që ta mësojmë veten tonë, se ku duhet ta kërkojmë zgjedhjen e duhur për kombin tonë. Ta kërkojmë në përvojën jetësore e urtinë e njeriut tonë të verifikuar për atdhedashuri, apo ta kërkojmë në axhamillëkun e njerëzve tanë,siç e kemi bërë e parë këtyre viteve?! Por, kjo duhet thënë troç, të mos shpresojmë se siguria kombëtare do të na vijë nga ish-strukturat e regjimit të huaj e bashkëpunëtoret e Milloshit!

Gjatë këtyre viteve që jo pa mundim e sakrifica i kemi lënë pas, kryetarë partish e qeveritarë të ndryshëm të hapësirës kombëtare (Tiranë-Prishtinë-Tetovë), kanë pasur takime të ndryshme “vëllazërore”. Po, madje, kanë pasur edhe ca si shumë, madje-madje kemi parë edhe fotografi që na kanë ngjallur emocione të shumta shprese e besimi se, ja, më në fund filloi një epokë e re ndryshimi e progresi! E rezultati nuk po shihet në horizont as përafërsisht nga ajo që qe trumbetuar! Madje, për të ardhur keq, rezultatet nuk po shihen në asnjë sferë të interesit nacional! Por, e njëjta gjë nuk mund të thuhet në mungojnë rezultatet për interesa individuale apo grupore! Ajo që është më e dukshmja, këta “liderë” të politikës shqiptare janë të gatshëm ta mbështesin njëri-tjetrin edhe kur veprimet e tyre mund të jenë krejt të dëmshme për pjesën e kombit që e sundojnë! Madje, këta nuk kanë as gatishmëri të dëgjojnë mendimet dhe argumentet e kundërta për miqtë e tyre personalë (flas nga përvoja ime personale). Ndonëse pozitat që i kanë marrë nga qytetarët, nuk i kanë marrë për t’i mbrojtur interesat e miqve personalë, por interesat e kombit. Kjo logjikë e ndjekur deri më tani ka prodhuar këtë gjendje dhe pa u ndryshuar kjo logjikë, ky reflektim, kjo mendësi, nuk mund të presim rezultate pozitive. Rezultate që i duhen qytetarëve dhe Republikës së Kosovës. Rezultate që, mbi të gjitha, i duhen kombit dhe sigurisë se tij në gjithë hapësirën shqiptare.

Konsideroj që shqiptarët në përgjithësi, pa marrë parasysh se në cilën hapësirë kombëtare jetojnë, logjika e të bërit biznes në politikë nuk krijon siguri kombëtare dhe as zhvillim ekonomik. E kemi parë të krijohen oligarki politiko-financiare e kompani monopoli, nga të cilat goditet rëndë interesi qytetar e kombëtar i shqiptarëve! Oligarki që deri më tani nuk e kemi parë as përafërsisht që të bëjë një investim sadopak serioz për sigurinë kombëtare.

Nuk kam asnjë dyshim që për sigurinë kombëtare mund dhe duhet të ndihmojnë edhe miqtë, por investimi kryesor për siguri, stabilitet e zhvillim duhet të jetë i kombit tonë, të udhëhequr nga politika të tjera kombëtare. Më sfiduese, më përmbajtësore, më të përgjegjshme… Dhe gjithë këto mund të bëhen vetëm nga njerëz që e duan me gjithë mend kombin! Na duhet një kthjellim goxha i madh për t’ia ditur hallin vetes!

A thua, sa jemi të përgatitur për këtë?

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …