Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Kosovës i duhen udhëheqës tokësorë dhe jo misionarë mashtrues

Përderisa partitë tona politike do të jenë të tipit të “partive misionare” (mashtruese), qofshin misionarë te gjallë apo të vdekur, në skenën tonë politike nuk do të ketë udhëheqës tokësorë që do të merren me hallet e problemet e qytetarëve. Me hallet dhe problemet që qytetarët tanë përballen përditë në jetën e tyre. Kosovës dhe qytetarëve të saj ju duhen udhëheqës tokësorë të një përgjegjësie të lartë njerëzore që dinë e duan të veprojnë shpejt dhe marrin vendime të drejta.  Gjatë tridhjetë viteve të fundit kemi pasur rastin të shohim e të na defilojnë para syve tanë shumë misionarë mashtrues, por nuk pamë progresin, zhvillimin e mirëqenien e shumëpritur e të premtuar me bollëk nga ta.

Jemi larg aspiratës sonë shekullore për ndërtimin e shtetit të së drejtës, shtetit të mirëqenies, për të cilin u sakrifikuan breza të tërë atdhetarësh. Dhe kjo ndodhi sepse njerëzit në partitë tona politike nuk i bashkoi ideologjia politike e majtë, e djathtë apo e qendrës, nuk i bashkoi programi politik, ekonomik, as ideali e qëllimi fisnik për zhvillim e shtet-ndërtim, por i bashkoi dhe, fatkeqësisht, do t’i bashkojë edhe në të ardhmen interesi meskin e mashtrimi në qeverisje gllabëruese. Vendi ynë me këtë logjikë mendimi e veprimi kurrë nuk mund të zhvillohet, as të integrohet aty ku ka e janë vlerat e njëmendta demokratike, zhvillimore e progresiste.

Vetëm atëherë kur anëtarësimi në parti politike do të jetë mbi baza ideologjike, mbi bazë të ideve e të programeve politike e ekonomike, me programe politike që synim parësor kanë  ndërtimin e shtetit të së drejtës, me një drejtësi të avancuar sociale e solidare, me arsim e shëndetësi të përparuar, me ambient të pastër dhe program zhvillimor të përpunuar mirë, mund të themi se në Republikën e Kosovës fillon epoka e  ndërtimit të sistemit politik demokratik në kuptimin e plotë të fjalës. Ky vend, o do ta krijojë perspektivën për të gjithë, ose do të mbetet si perspektivë e vetme ikja nga Atdheu! Zgjidhjet individuale, as janë zgjidhje dhe as ofrojnë zgjidhje për shumicën.

E shfrytëzoj ketë rast që të kërkoj bashkimin rreth programit politik e ekonomik të së majtës socialdemokrate, për shtet të zhvilluar e më drejtësi sociale! Partitë që nuk kanë ideologji politike, parime të qarta, programe politike, ekonomike e zhvillimore, mund të janë gjithçka tjetër veçse jo parti politike demokratike! Nga politikat që kanë prodhuar këtë realitet që kemi sot në Kosovë, stof tjetër nuk mund të pritet dhe as nuk mund të ofrojnë kostum tjetër. Veçse lodhemi kot!

Kontrolloni gjithashtu

Sejdi Veseli

Sejdi Veseli: URANIUMI I VARFËRUAR DHE NDOTËSIT E TJERË RREZIK SERIOZ PËR KOSOVËN

Po mbushen tetë vete të plota nga përfundimi i luftës së armatosur kundër shkelësve të …