Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Pakurrizorët e politikës

(Shkas për të shkruar këtë shkrim ishte emisioni  i “Rubikonit” i 19 janarit të KTV- së).

Kanë kaluar disa vite nga Konferenca Ndërkombëtare e Rambujesë dhe Bisedimet e Vjenës, të udhëhequra nga Presidenti Marti Ahtisari. Sigurisht si marrëveshja e parë ashtu edhe e dyta i kanë pasur anët e tyre të mira dhe të këqija. Por që të dyja, për popullin shqiptar të Kosovës kanë prodhuar fryte që me decenie e shekuj i kanë kërkuar shqiptarët, Lirinë dhe Shtetin e Pavarur. Pa Marrëveshjen e Rambujesë, atje ku na çoi UÇK-ja nuk do të ndodhnin as Bombardimet 78 – ditëshe të NATO-s, bombardime që sollën çlirimin e Kosovës. Shqiptarët sot duhet të flasin të përqendruar si e përdorën krerët e politikës shqiptare lirinë për të filluar jetën e re! Dhe kjo duhet të bisedohet me emra dhe mbiemra konkretë. Pse dhe kush ishin fajtorët që nuk lejuan as të kërkohet një bashkëbisedim i përfaqësuesve të UÇK-së e të LDK-së?! Por edhe sot ka barrikadime për të penguar të vërtetën!

Ndërsa Bisedimet e Vjenës, të udhëhequra nga Presidenti Marti Ahtisari, që përfunduan me një marrëveshje e cila prodhoi një Dokument Përfundimtar për Zgjidhjen e Statusit Politik të Kosovës, i njohur edhe si Dokumenti i Ahtisarit, mundësoi Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Nuk ka asnjë dyshim, Marrëveshja e Vjenës ishte një kompromis i dhimbshëm, kompromis që mundësoi në bashkërendim me komunitetin ndërkombëtar Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Për mua Liria e Pavarësia ishin fitore të mëdha! Sesi u menaxhuan këto fitore të mëdha të kombit është çështje tjetër. Këtu ka shumë vend e hapësirë për t’u diskutuar! Por, për këtë nuk ka ambient as politik e as intelektual!

Fillimisht ishte menduar që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ta shfuqizonte Rezolutën 1244 dhe me një rezolutë të re të njihej Republika e Kosovës nga OKB-ja dhe Këshilli i Sigurimit. Por këtë e pengoi vetoja Ruse. Prandaj u zgjodh rruga e shpalljes në Kuvendin e Kosovës. Pa këtë rrugë dhe pa bashkërendimin e Kosovës me Komunitetin Ndërkombëtar nuk do të kishte as njohje ndërkombëtare. Pra, nuk do të na njihte askush!

Unë nuk e shoh problemin te ato marrëveshje ndërkombëtare, problemet janë krijuar pas zgjedhjeve të vitit 2010. Problemi është i krijuar gjatë dy legjislaturave të fundit dhe Bisedimet e Brukselit të udhëhequra nga HashimThaçi e Isa Mustafa. Kushdo që e kërkon prodhimin e kësaj gjendjeje në të cilën jemi futur, sidomos pas fillimit te bisedimeve politike Kosovë – Serbi, me ndërmjetësimin e Brukselit, si dhe ‘as zgjedhjeve të qershorit 2014, atëherë nuk e njeh ose nuk dëshiron ta njohë apo ta shohë drejt realitetin.

Nëse njerëzit (e autorizuar – mandatuar) të politikës nuk janë në gjendje të shohin se çka ndodhi dhe si u qeveris Kosova pas 17 shkurtit 2008, sidomos pas zgjedhjeve të vitit 2010, këta vërtet ose janë të padijshëm ose verbërisht ecin pas liderëve të padijshëm, si “Muça pas daive”. Kjo formë e qeverisjes i ka pasur dhe i ka kundërshtarët e vet. Por dikush as ka parë dje dhe nuk po sheh as tani dhe me gjasë nuk do të shohë as nesër.

Pse politikanët me nam, qofshin brenda institucioneve, qofshin jashtë institucioneve relevante nuk po i shohin si po merren vendimet në institucionin përfaqësues të qytetarëve të Kosovës? Pse nuk po i shohin njerëzit që po qeverisin me vendin, me njerëzit dhe me pasurinë kombëtare? Disa po zihen në kazanin e kumbullave të kalbura pa të cilat nuk bëhet dot rakia, duke thonë sot e gjithë ditën se janë të shëndoshë! Në atë kazan, pas gjithë këtyre zhvillimeve, askush nuk mund të jetë i pastër. Provoni e dilni nga ai kazan, shikoni esëll! As dalja prej kazanit të tillë nuk i lë të pastër: dalin të dehur. Vetëm ata që kanë distancë nga ky kazan shohin realitetin në tërë dimensionin e tij tragjik..

Unë nuk kam asnjë problem me Konferencën e Rambujesë. Nuk kam asnjë problem as me Presidentin Ahtisari, bile e falënderoj shumë. Ai ndihmoi shumë që të korrigjohej një gabim politik,  që Evropa ia kishte bërë kombit tonë në fillim të shekullit XX. Problem janë njerëzit që kanë qeverisur dhe po qeverisin me vendin! Njerëzit që nuk e dinë se ç’është të qeverisurit e vendit me përgjegjësi. Këta njerëz nuk mund të dalin jashtë lëkurës së tyre, jashtë kapaciteteve të tyre politike e intelektuale më se modeste! Këta pakurrizorë të politikës ditore të Kosovës!

Ecja në të njëjtën rrugë, me të njëjtit njerëz, nuk mund të ketë destinacion tjetër! Ecja në këtë rrugë, të nisur e të mbarsur keq dita-ditës, është rrugë pa krye! Prandaj unë as jam as dua të jem aty! Rruga Thaçi & Mustafa ka hyrë në batak! Në atë rrugë mund të hysh, por si ajo fjala: hyn, por nuk mund dalësh!

Jam më se i bindur se këta njerëz nuk mund të sjellin asnjë ndryshim, veç thellimit të degradimit të përgjithshëm! Këtë, opinionit ia kam bërë të ditur qysh në prill të vitit 2011! Nuk thuhet kot:Tupani rreh për atë që ka vesh! Edhe më keq është kur njerëzit nuk duan të marrin vesh e bëhen se janë do farë kundërshtaresh “parimor”!

Po pakurrizorët tanë të politikës a thua kanë veshë?

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …