Lugina e Diellit

Krasniqi: Serbia ndërton në Kosovë si në tokë të babës

Në pjesën veriore të Kosovës, Serbia po e ndërton lagjen “Lugina e Diellit”, sipas planit të prezantuar kohë më parë në Beograd. Sipas atij plani do të ndërtohen 300 shtëpi me gjithë infrastrukturën e nevojshme, çerdhe, shkollë, ambulanca, me pretendimin që të jenë të gatshme për banim brenda dy vjetësh. Ky është kolonizim serb në Kosovën e lirë, të pavarur e sovrane dhe këtë kolonizim po e mundëson  koalicioni i madh PDK-LDK! Këtë kolonizim po e mundësojnë politikat “normalizuese” të Thaçit e të Mustafës, të cilët që nga Marrëveshja e 19 prillit 2013 dhe ajo e 25 gushtit 2015 e gjithë deri më sot, jo vetëm që nuk e kanë kundërshtuar, por e kanë mundësuar me një këmbëngulësi fanatike!!! Gurthemeli u vendos të enjten, më 9 qershor 2016, me ndërtimin e lagjes moderne serbe në Zveçan të Kosovës, kur edhe u tha se Serbia po e ruan tokën e saj, në zemrën e saj, atë që ata e quajnë Kosovë e Metohi. Për këtë foli Marko Gjuriq, i cili tha: “Ky është hap historik për kthimin e popullit tonë në Kosovë e Metohi, për serbët në Kosovë, por edhe për të gjithë serbët nga Kosova, të cilët para 17 vjetësh u dëbuan.”

Kështu Serbia po ndërton në Kosovë si në tokë të babës!

Për realizimin e këtij projekti kolonizues të kibuceve serbe kanë kontribuar edhe komuna ilegale e Zveçanit dhe kisha serbe. I pari i komunës ilegale serbe, që financohet nga shteti serb, tha se kjo është dëshmi e gjallë se Serbia nuk do të heqë dorë nga Kosova dhe këtë po e bëjnë për ta ruajtur atë në kuadër të Serbisë. Përndryshe lagjja gjendet në një pozitë strategjike të rëndësishme, e cila ndodhet në mes të Mitrovicës e Zveçanit. Në këtë lagje do të kthehen rreth 1500 kolonizatorë serbë.

Kjo gjendje shtron si domosdoshmëri një pyetje: Pse po ndodh kjo?

Një gjë duket se është më se e qartë: krye qeveritarët tanë, në dy legjislaturat e fundit duken të jenë të hutuar (ku ta dish përse?), duken sikur mos të kishin njohuri të duhura për dinakërinë e armikut shekullor serb apo diku u është “zënë bishti me derë”, përndryshe nënshtrimi i tyre ndaj politikës agresive serbe është evident. Ky nënshtrim i ka bërë krye pushtetarët tanë, jo vetëm të heshtin para agresionit serb nga Beogradi, por janë bërë më shumë se heshtakë ndaj ministrave serbë të Kabinetit Mustafa, të cilët vazhdojnë të rrinë në dy karriget qeveritare, të Serbisë e të Kosovës. Për një situatë të tillë të hutimit para armikut, këtu e 2500 vjet më parë, kinezi  Sun  Tzu do të shkruajë: “Një udhëheqës ushtarak i hutuar (këta tanët janë udhëheqës politikë, – nën. J. K.), shkakton fitoren e armikut të vet.”

Për çdo ditë po dëshmohet se politikanët tanë, që biseduan në Bruksel, duke qenë të padijshëm, të hutuar e të rrethuar me njerëz jokredibilë, të pa eksperiencë, e të padijshëm, jo vetëm që nuk e njohin armikun, por ishin e janë edhe inferiorë ndaj tij, duke i krijuar favore të shumta, përveç marrëveshjeve të cekura më lart. Me politika inferiore ndaj kundërshtarit (armikut), as këtu e 2500 vjet më parë nuk ka pasur fitore! Me këto politika inferiore, për të mos thënë nënshtruese, më së paku mund të presim fitore sot.

Qeveritarët tanë, pas marrëveshjes së 19 prillit 2013 dhe të 25 gushtit 2015, jo pak herë i kemi dëgjuar të thonë: “Serbia de fakto e ka njohur Kosovën” se “po i integrojmë serbët në institucione të Kosovës”… pastaj se “po shpërbëhen  strukturat e Serbisë në Kosovë”, se (avazi me sot e me nesër) “hiqet parku i ‘paqes’ mbi Urën e Ibrit” e deri te ajo se “Serbia nuk do ta pengojë integrimin e Kosovës në institucione ndërkombëtare”(!!!) dhe xhevahire të ngjashme. E ne, asgjë nga këto nuk pamë, për më tepër tani po e shohim kolonizimin e Kosovës dhe kthimin e Serbisë në Kosovë në format më të ndryshme!

Do të na ketë zënë veshi të ketë thënë dikush se “qeveritaret tanë nuk kanë kapacitete për të penguar Serbinë në Kosovë”. Pajtohem, por kapacitete për ta rikthyer Serbinë në Kosovë po duket se kanë! Së paku këtë e konfirmojnë marrëveshjet e arritura në Bruksel, që nga 19 prillit 2013.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …