Jakup Krasniqi: Zhurmuesit kundër mendimit të lirë dhe ndërgjegjësimit qytetar

Në shoqërinë e sotme shqiptare, segmenti më i organizuar, ndoshta edhe në mënyrë sado spontane, gjë që është vështirë për t’u besuar kjo, janë zhurmuesit e paguar (apo edhe vullnetarë të rastësishëm), të mendimit të lirë, të fjalës së lirë, të shprehjes se lirë dhe të ndërgjegjësimit qytetar për reagim të natyrshëm dhe të organizuar. E gjithë kjo për ndryshime pozitive në shoqërinë shqiptare në përgjithësi e veçmas në shoqërinë tonë në Kosovë. Këta zhurmues i hasim kudo ku ka shqiptarë, brenda dhe jashtë atdheut. Pas krijimit të koalicionit të madh (PDK-LDK), të tillë janë bërë goxha shumë, duke u shndërruar në rrezik permanent dhe serioz për lirinë, për demokracinë dhe për debatin e fjalën e lirë. E vetëkuptueshme, derisa po krijohet kështu një grup i madh klientelistësh që do të ndihmojnë në forcimin e mëtejmë në kapjen e çdo segmenti shtetëror dhe publik nga grupe parapolitike.

 

Gjendja e sotme në shoqërinë tonë seç ma kujtoi një debat që e patëm zhvilluar fare në fillim, kur po bisedonim për të themeluar subjektin politik pas luftës çlirimtare: Partinë e Progresit Demokratik të Kosovës (PPDK), paraardhësja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Gjatë diskutimeve, në një moment sikur u ngatërruan dy çështje tejet të kundërta, demokracia dhe guximi. Në një situatë të tillë e pata marrë fjalën duke thënë: “Unë e kam guximin që të shaj në mënyrën më banale çdonjërin nga ju apo cilindo, por kjo nuk ka asnjë lidhje me demokracinë”. Demokracia nuk është sharje, fyerje a denigrim apo shumësi primitive e mujsharëve. Pra njeriu ynë duhet ta kuptojë se në guximin që dikush mund të thirret, mbase mund të jenë muskujt, mund të jenë hekurat me barot, mund të jenë sharjet e fyerjet e çdo lloji, por këto gjëra apo kategori jo vetëm që s’kanë lidhje me demokracinë, por janë një primitivizëm i skajshëm, i cili mund të prodhojë gjithçka tjetër, veç demokracisë. Ky primitivizëm apo barbarizëm mund të shfaqet në forma të ndryshme, bie fjala, si u shfaq tirania e kryeministrit maqedonas, i cili përmes shërbimit të shtetit ka kontrolluar gjithçka dhe ka përgjuar dhjetëra mijëra njerëz. Nuk besoj që edhe tek ne, në Kosovë, jemi diç më mirë. Mbase ne jemi edhe më keq sesa maqedonasit!

 

Në një situatë të tillë, natyrshëm shtrohet pyetja: çka synojnë dhe cila është gjuha që përdorin zhurmuesit, këta armiq të demokracisë, të mendimit e të fjalës së lirë? Siç janë të ndryshme shfaqjet e zhurmuesve, e shumëllojtë është edhe gjuha që e përdorin ata, por qëllimin e kanë të përbashkët, heshtjen e mendimit të kundërt, të ideve të kundërta e të fjalës së lirë. Ata synojnë konservimin e pushtetit, mbajtjen e tij të kapur nga njerëzit që nuk respektojnë asnjë normë ligjore e kushtetuese.

 

Në rastin tonë, zhurmuesit shfaqen në tri forma:

 

1. Mbjellja “intelektuale” e defetizmit;

 

2. Gjuha fyese, me gjoja “kulturë” të lartë; dhe

 

2. Sharje dhe kërcënime primitive, le ta themi e një egërsie si ajo “pronto”-ja e famshme.

 

Zhurmuesit e formës së parë sikur kanë për qëllim ta topitin çdo mundësi dhe vullnet qytetar për ndryshim. Për të arritur qëllimin e tyre, këta zhurmues kryesisht kanë një retorikë shprehëse në stilin “të gjithë politikanët janë njësoj”, “ju, politikanë, nuk keni asnjë ndryshim”, “të gjithë jeni mashtrues”, “të gjithë jeni hajna, të korruptuar…” e të ngjashme. Kjo formë e zhurmimit është vrasje e besimit se mund të ndryshohet diç dhe është thjesht një thirrje për të vazhduar sundimi tiranik. Kjo s’është asgjë tjetër, pos një propagandë defetiste, e cila në një formë edhe e ka nxitur shpërnguljen e shqiptarëve në drejtim të vendeve demokratike. Të mbjellësh defetizmin, sigurisht që do të korrësh humbjen e shpresës.

 

Në rastin tonë, ikjen për ngjalljen e shpresës diku tjetër, për një jetë më të mirë.

 

Zhurmuesit e formës së dytë kanë të njëjtin qëllim si të parët. Këta janë intelektualë xhahilë, janë fare pak të dijshëm, por janë më të lehtë për t’u yshtur për fyerje të shumëllojta që përcillen me fjalë banale. Tipat e tillë të vetmin argument kanë fyerjet me një arsenal banalitetesh, sikurse “ju jeni më m.. se ata”, “edhe ju keni ngrënë… në një grazhd me ta”, “ku ishit më herët shk…” e të ngjashme. Këta tipa dinë të relativizojnë çdo dështim të qeverisë! Sigurisht se për sa u tha nga shembujt më të lehtë, janë format më të buta të mundshme të zhurmimit. Por, edhe këta për qëllim kanë të pengojnë çdo ndryshim pozitiv në shoqërinë shqiptare. Të tillët i mundon së tepërmi niveli i njeriut të kulturuar, i intelektualit atdhetar, prandaj jo rrallë i përsërisin epitetet e armikut, të cilat i nxjerrin nga arkivat e demonstratave të viteve ’80 e ’90, por gjithsesi nuk kursehen të shkojnë edhe përtej tyre.

 

Ndërsa zhurmuesit e formës së tretë kanë fjalor të paskrupullt, të pacipë e agresiv, të mbushur me sharje që ia kalojnë edhe sharjeve të aferës ‘Pronto”. Nuk ka asnjë dyshim se këta janë ithtarët dhe kultivuesit e një fjalori të pështirë më të cilin irritohet çdo njeri me zhvillim normal psikik e fizik. Të tillët nuk hezitojnë, në jo pak raste, as të kërcënojnë verbalisht, se sa për sms-të, ato janë përditshmëri tashmë. Kjo farë e keqe, jo rrallë edhe duke maskuar identitetin (në rrjetet e ndryshme sociale si dhe portale nga më të ndryshmet), bëhen “trima” por në esencë s’janë veçse frikacakë e mburravecë të rëndomtë. Ata mendojnë se e gjithë bota janë si soji i tyre prej frikacaku e plangprishësi. Kam bindjen se këta njerëz udhëhiqen nga një dorë e fshehtë, nga një mekanizëm i koduar për luftë speciale. Nuk ka dyshim, këta njerëz janë të zhveshur nga morali, etika apo edukimi elementar tradicional shqiptar. Ky lloj i njerëzve është prezantimi më i keq që mund t’i bëhet kombit shqiptar. Lexuesi të më falë që nuk po i evidentoj sharjet e tyre, meqenëse nuk ma lejon kultura intelektuale dhe edukimi tradicional kombëtar. Besoj se këto shëmti nuk janë të panjohura për lexuesit e vëmendshëm, sidomos lexuesi i disa portaleve që janë krijuar enkas për këtë nivel komunikimi, që edhe udbashët e Milloshit do t’ua kishin zili. Këta janë më të yshturit për përhapjen e frikës kudo ku shpresojnë t’ia arrijnë qëllimit. Këta e kanë gatishmërinë për të shantazhuar çdo segment që është në shërbim te ndryshimeve pozitive.

 

Të tri format e përmendura të zhurmimit janë të programuara që të veprojnë kundër çdo progresi të mirëfilltë shoqëror, të zhvillimeve aq të domosdoshme si shtetit tonë të brishtë.

 

Konsideroj se të paktë shefat e këtyre tipave duhet ta dinë se me forma të tilla nuk mbahet pushteti. Me forma të tilla kërcënimi, shantazhi, madje as me format e burgimit, të dëbimeve e të vrasjeve politike nuk ia doli t’i ndalte ndryshimet demokratike as regjimi i Tito-Millosheviqit përmes UDB-së, “regjim” apo “sigurim” i cili jo vetëm që nuk ia ka arritur qëllimit për të mbytur dashurinë për liri e atdhe, për mendim e fjalë të lirë, por na i pati ngjallur dhe shumëfishuar energjitë e vullnetin për liri, atdhe e çlirim. Edhe Shërbimet e partive të koalicionit të tashëm (që i kanë paraprirë koalicionit), ndonëse në ilegalitet, përmes kërcënimeve, fyerjeve e sharjeve po mundohen ta imitojnë pararendësen e tyre (UDB-në) dhe format e tjera antinjerëzore e antiligjore, që përmes frikës t’i mbajnë nën zap të drejtat dhe liritë qytetare, të cilat i fituam pas shumë sakrificave. Në ndonjë rast me vjen tepër keq që flasim të njëjtën gjuhë dhe i përkasim të njëjtit komb me këta dykëmbësh, ndonëse gjuha e tyre është gjuhë e klithmave të paartikulura gjuhësisht e njerëzisht.

 

Si përfundim, një gjë kujtoj se duhet të jetë e saktë: format e tilla të veprimit jo vetëm që nuk do t’ia arrijnë qëllimit për shmangie a tërheqje nga fjala e lirë, nga debati intelektual, nga idetë progresiste, edhe kur mund të jesh përgatitur për diçka të tillë, por përkundrazi, veprimet e tilla nxitin adrenalinën dhe efekte të tjera të motivimit e të mobilizimit pozitiv, fizik, psikik, politik, intelektual, njerëzor e atdhetar për veprim, në shërbim të lirisë e të demokracisë dhe të shtetit të së drejtës. Ndoshta tek njerëzit që tradicionalisht u ka pëlqyer rehatia, edhe mund të arrijnë ndonjë efekt për tërheqje, por në një shumësi rastesh të tjera janë shtytje për veprime aktive në shoqëri. A nuk ishte kështu edhe kur politika e Beogradit dhe krerët e regjimit titist jugosllav na “shtynte” drejt çlirimit edhe kur na i radhisnin epitetet, kur na vrisnin (si individë e si popull) e na burgosnin e degdisnin me dënime drakonike mijëravjeçare…E pra, gjuha që përdorin sejmenët e qeveritarëve tanë sot e gjithë ditën është nën çdo nivel edukimi e kulture, është, për fat të keq, më denigruese se sharje te viteve të errëta të robërisë.

Kontrolloni gjithashtu

Dëshmitari amerikan, Shon Bërns, shpjegon para trupit gjykues përmbajtjen e Komunikatës numër 63 të SH të UÇK-së

Në një dëshmi përpara trupit gjykues në Hagë, dëshmitari dhe ish-diplomati amerikan, Shaun Byrnes, ka …