Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se partia ende nuk ka marrë ndonjë ftesë nga Lëvizja Vetëvendosje për vazhdimin e dialogut lidhur me formimin e institucioneve të reja. Ajo bëri të ditur se dialogu me Vetëvendosjen ishte pezulluar për shkak të proceseve të brendshme të LDK-së, të cilat tashmë kanë përfunduar, por theksoi se deri tani nuk ka pasur ndonjë ftesë të re për vazhdimin e bisedimeve. “Sapo të kemi një takim, dialog apo marrëveshje eventuale, do ta bëjmë publike”, u shpreh Lushaku. Duke folur për mundësinë e një partneriteti politik me LV-në, ajo theksoi se LDK-ja nuk udhëhiqet nga ndarja e posteve, por nga parimet programore dhe orientimi i saj euroatlantik. Lushaku foli edhe për qëndrimin e Grupit Parlamentar të LDK-së, duke theksuar se deputetët duhet të respektojnë vendimet dhe orientimet strategjike të Kuvendit të partisë. “Grupi Parlamentar duhet të jetë në harmoni me vendimet e Kuvendit të LDK-së, sepse ai është organi më i lartë i partisë. Ne i nënshtrohemi vullnetit të anëtarësisë”, deklaroi ajo.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
