Sadik Zeqiri: Abdixhiku mund të nënshkruajë marrëveshje me Kurtin

Analisti politik Sadik Zeqiri vlerëson se rizgjedhja e Lumir Abdixhikut në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk ka zgjidhur krizën e brendshme të partisë, por përkundrazi, sipas tij, ka thelluar ndarjet dhe pakënaqësitë mes strukturave dhe grupit parlamentar. Zeqiri tha se kishte pritur një zhvillim tjetër në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së, duke menduar se Abdixhiku nuk do ta vazhdonte mandatin. Megjithatë, ai theksoi se vendimi i delegatëve nuk garanton unitetin e partisë, pasi sfida kryesore mbetet sigurimi i mbështetjes së deputetëve që nuk pajtohen me drejtimin politik të kryesisë. Vazhdimi i mandatit të Abdixhikut nënkupton edhe forcimin e pozitës së tij në organet e partisë, përfshirë rikthimin e Vjosa Osmanit në Këshillin e Përgjithshëm, por kjo nuk do të thotë se ai do të arrijë t’i bindë të gjithë 18 deputetët e LDK-së të ndjekin vendimet e tij në Kuvend. Duke komentuar mundësinë e një bashkëqeverisjeje mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, ai tha se një marrëveshje politike mes Lumir Abdixhikut dhe Albin Kurtit është e mundshme, por zbatimi i saj mbetet i pasigurt nëse deputetët e pakënaqur refuzojnë ta mbështesin. Sipas Zeqirit, ditët pas 6 gushtit pritet të tregojnë nëse Abdixhiku do të arrijë të sigurojë unitetin e grupit parlamentar dhe nëse LDK-ja do të jetë në gjendje të mbështesë një marrëveshje eventuale për formimin e institucioneve të reja.

Kontrolloni gjithashtu

30 Gushti - Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur shënohet edhe në Kosovë me disa aktivitete përkujtimore

Arkivat që Serbia i mban të mbyllura – çelësi për zbardhjen e fatit të mbi 1.500 të zhdukurve në Kosovë

Dyshimet për një varr masiv në veri të Kosovës kanë rikthyer në qendër të vëmendjes …