John Bolton: Gjykata Speciale në Hagë ka tejkaluar kufijtë, proceset kanë pasur element politik

Ish-këshilltari i Donald Trump për Sigurinë Kombëtare, John Bolton, ka kritikuar Gjykatën Speciale në Hagë dhe mënyrën e funksionimit të saj, duke thënë se proceset ndaj ish-krerëve të UÇK-së kanë pasur edhe element politik. Në një intervistë për emisionin “Off the Record” të Andrea Dangllit në A2CNN, Bolton tha se drejtësia pas konflikteve nuk duhet të trajtohet si çështje abstrakte dhe se, sipas tij, përgjegjësinë për hetimin dhe gjykimin e ish-liderëve duhet ta marrin edhe vetë shtetet. Ai vlerësoi se një qasje e tillë do të mund të kontribuonte në përfundimin e konflikteve dhe në orientimin e vendeve drejt së ardhmes. Duke folur për Gjykatën Speciale, Bolton tha se institucioni ka humbur mbikëqyrjen dhe se kjo ka krijuar rrethana që, sipas tij, kanë dëmtuar besueshmërinë e tij. Ai deklaroi se Gjykata është “e paligjshme” dhe se mënyra e veprimit të saj nuk përputhet me parimet që, sipas tij, Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur tradicionalisht për një sistem të pavarur të drejtësisë. Bolton kritikoi gjithashtu prokurorinë dhe trupat gjykuese, duke thënë se kanë bërë gabimet e tyre dhe se fakti që një institucion është ndërkombëtar nuk e bën atë automatikisht të pagabueshëm apo të mbrojtur nga mungesa e mbikëqyrjes. I pyetur nëse Gjykata Speciale duhet të shpërbëhet, Bolton u përgjigj se ajo “ka tejkaluar kufijtë” dhe se vetë krijimi dhe funksionimi i saj, sipas tij, është i gabuar. Ai tha se Kosova dhe palët që kanë qenë pjesë e krijimit të këtij institucioni duhet të shprehen nëse konsiderojnë se janë tejkaluar kufijtë e tolerimit.

 

 

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hasani: Për zgjedhje 200 milionë euro, për mbrojtjen e krerëve të UÇK-së rreth 40 milionë

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka adresuar kritika të ashpra ndaj Qeverisë së udhëhequr …