Ambasada Britanike në Kosovë ka lansuar UK-Kosovo Tech Hub, një platformë e re e vendosur në Tech Park Prishtina, me synimin për të lidhur sektorin e teknologjisë informative dhe komunikimit të Kosovës me partnerë dhe mundësi biznesi në Mbretërinë e Bashkuar. Në ceremoninë e inaugurimit, ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, theksoi se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve duhet të zhvillohen dhe të përshtaten me sfidat e reja globale, duke vlerësuar se besimi dhe partneriteti janë thelbësore për tërheqjen e investimeve. Ai vuri në pah potencialin e Kosovës në fushën e teknologjisë, duke përmendur fuqinë punëtore të re, të kualifikuar dhe shumëgjuhëshe, si dhe aftësinë e sektorit vendor për të bashkëpunuar me tregjet evropiane dhe ndërkombëtare. Megjithatë, Hargreaves tha se niveli i tregtisë dhe investimeve ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar mbetet shumë i ulët dhe nuk reflekton potencialin real të bashkëpunimit në fusha si teknologjia, energjia, arsimi dhe inovacioni. Sipas tij, një pjesë e kompanive britanike që kanë shqyrtuar mundësinë e investimit në Kosovë janë tërhequr për shkak të mungesës së qartësisë institucionale, përgjigjeve të ngadalta dhe mosrealizimit të zotimeve të dhëna. Ambasadori britanik theksoi se investitorët seriozë kërkojnë rregulla të qarta, institucione funksionale dhe siguri juridike, duke paralajmëruar se mungesa e këtyre elementeve i orienton bizneset drejt tregjeve të tjera. Ai shtoi se UK-Kosovo Tech Hub është krijuar pikërisht për të shndërruar potencialin e Kosovës në partneritete konkrete, vende të reja pune, eksporte dhe projekte të përbashkëta inovative mes dy vendeve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
