Jorgo Mandili

Jorgo Mandili: Edhe pse të zhytur deri në grykë në “gjirizin” e imoralitetit e kriminalitetit të tyre, kërkojnë t’ i votojmë

Të shkatërrosh me ndërgjegje vlerat morale e materiale të atdheut tënd, të sundosh e të skllavërosh popullin tënd më poshtërsisht e më egërsisht se të huajt, të shesësh territore e pasuri të tokës mëmë, të tallesh, të vjedhësh e të vrasësh (Gërdeci, 21 janari, piramidat, mbytjet në det, gjakmarrja e vetëgjyqësitë për pronat, padrejtësitë e gjykatave kanibale). Të gjitha këto, a nuk të bëjnë të dyshosh se ju nuk mund të keni njëjtën ADN me atë të popullit tuaj?! As armiku më i madh i shqiptarëve nuk do ta kishte bërë këtë “apokalips” shpirtëror e material, përpos jush!

 

Shikoni çfarë ndodh: Një bandë kusarësh politikë, pa sedër, pa skrupuj, të pa dinjitet e të pashpirt, që kanë humbur çdo gjë humane e fisnike nga lakmia, epshi e babëzia për pushtet, kanë ridalë në “fushën e betejës”. Dhe shohin ëndrra me pushtet.

Luli lan xhamat e një makine, Monika bën ballokume në një familje, një farë Rudina shet, kryeministri sfidon edhe moderatorët më komercialistë, kurse presidenti, ah presidenti “gladiator” ndeshet me “demat”. Ne presim se cili do jetë politikani i radhës që do lajë pelenat e ndonjë fëmije të porsalindur apo ndonjë tjetër që për një votë ndoshta, larg qoftë ku të vete mendja…

Mos u çuditni! Ky është në përputhje me mentalitetin e gjithë bandës politike. Por rasti i presidentit, më i dëshpëruari, u shfaq si mishërim i thelbit të kësaj bande politike, më “trimi”, por edhe i detyruar nga diçka që e ndjen se mund t’i ndodhë. Veprime të tilla janë preludi i një destruktiviteti që ka rreth dy vjet që po e inspiron ky president duke “aktruar” role revolucionarësh e heronjsh duke denoncuar të keqen që i kanoset “demokracisë” nga një bandë oligarke e duke apeluar “o sot, o kurrë”!

Ç’po na shohin sytë e na dëgjojnë veshët! Afrimi i 25 prillit po i çon drejt zemërimit, dëshpërimit, marrisë. Ruaji zot nga tërbimi! Këto sjellje e veprime, tregojnë se në fund të këtij 30 vjeçari ka filluar të shfaqet tek ta ndjesia e të qenit të pasigurt. Kanë frikë, jo nga populli (për këtë nuk duan t’ia dinë), por diçka kanë nuhatur nga burime të tjera. Dhe banda nuk e ka për herë të parë. Gjithë historia e saj është histori destruktiviteti, nekrofilie e krizash social-politike.

Sjellje si këto detyrojnë nga ana tjetër “kokëpalarët” të votojnë për Edi Ramën, pavarësisht se është akumuluar zemërim dhe zhgënjim prej tij. Pa opozitë konstruktive, pa media të pavarura e pa arsim publik, historia e politikës sonë përsëritet në mënyrë komike çdo katër vjeçar dhe kemi 30 vjet me radhë, që përballemi me të njëjtat fytyra “pornografike”, me të njëjtat zëra djallëzorë si të “sirenave të Odiseut”.

Insistojnë, pavarësisht se janë të zhytur deri në grykë në “gjirizin” e imoralitetit, korrupsionit e kriminalitetit të tyre. Me paturpësi e pacipësi vazhdojnë të na bëjnë moral përsëri për demokraci, për drejtësi, për ndershmëri, për zgjedhje të lira, e të tjera broçkulla. Do tallen përsëri me ne, duke na nxjerrë gjuhën përsëri në prapaskenat e pazareve dhe marrëveshjeve të tyre, duke na mashtruar përsëri me të njëjtat premtime. Po përpiqen përsëri, të na shplajnë trurin të njëjtët; të na kontrollojnë shpirtrat me të vetmin synim patologjik të tyre – paranë, pushtetin.

Tashmë janë të bindur se jemi skllevërit e tyre, plebejtë e “despotatit” të tyre oriental – prandaj bëjnë çdo gjë. 30 vjet na kanë poshtëruar, mjeruar, varfëruar, dëshpëruar nëpërkëmbur, syrgjynosur, arratisur. Kjo që po ndodh është tirani, turp, skandal. Po t’u kishte ngelur pak moral dhe ca skrupuj duhej të dorëhiqeshin në grup!

Populli nuk ju do, ju urren, nuk ka besim më tek ju dhe tek institucionet tuaja të korruptuara e abuzive. Ju nuk keni ndjenja, nuk keni shpirt, nuk keni më humanizëm, as skuqeni e as zverdheni nga ato që lexoni, shikoni e dëgjoni në rrjetet sociale, në mjedise të ndryshme, në emisionet tv, me zë, sy ndër sy, nën zë e pa zë për ju.

Nuk po e thyejnë dot koracën tuaj as shqiptarët që braktisin në masë atdheun! As të varfërit që luftojnë për ekzistencë! As të sëmurët që nuk marrin shërbimin e duhur pa pagesë. As fëmijët analfabetë funksionalë nga një arsim farsë. As studentët, sharlatanë të diplomuar e servilë të regjimit nga universitete të falsifikuara. As pensionistët me një pension qesharak. Ju nuk ndaleni, nuk doni t’ia dini. Duart tuaja të “ndyra” na shtrëngojnë pa mëshirë fytin. Aq larg keni shkuar sa të lind dyshimi edhe për prejardhjen tuaj! Se nuk ka si shpjegohet një urrejtje e tillë për popullin e atdheun.

Të shkatërrosh me ndërgjegje vlerat morale e materiale të atdheut tënd, të sundosh e të skllavërosh popullin tënd më poshtërsisht e më egërsisht se të huajt, të shesësh territore e pasuri të tokës mëmë, të tallesh, të vjedhësh e të vrasësh (Gërdeci, 21 janari, piramidat, mbytjet në det, gjakmarrja e vetëgjyqësitë për pronat, padrejtësitë e gjykatave kanibale). Të gjitha këto, a nuk të bëjnë të dyshosh se ju nuk mund të keni njëjtën ADN me atë të popullit tuaj?! As armiku më i madh i shqiptarëve nuk do ta kishte bërë këtë “apokalips” shpirtëror e material, përpos jush!

Kêtë 25 prill, jeni ende ju! Ju që na premtuat “parajsën” duke tundur “çekun e bardhë”. Premtimi më joshës, por më hipokriti e më mashtruesi nga ju xhambazë që u përdorët si “idiotë të dobishëm” e u shitët për pesë aspra për të na bërë atë gjëmë biblike “në emër të antikomunizmit”. U toleruat për këtë shërbim në emër të “stabilitetit politik”, nga disa ndërkombëtarë, të cilët duke bërë “një sy qorr e një vesh shurdh”, “shitën” pa dhimbje demokraci, boll të realizoheshin interesa të caktuara gjeopolitike të tyre, duke mos pyetur sa kosto rëndonin mbi popullin e këtij vendi.

Ngjarjet e dy ditëve të fundit, si ajo në Tiranë në zyrat e FRD-së, dhe ajo në Elbasan në Ditën e Verës janë të trishtueshme dhe duhet të na vënë thellë në mendime për të bërë zgjedhjen e duhur në 25 prill. Është kohë t’i jepet fund një politike, nga e cila kemi vuajtur shumë si popull. Më 25 prill duhet të triumfojë ndërgjegjja dhe përgjegjësia qytetare, për ta lënë njëherë e mirë pas të kaluarën e hidhur.

Nëse do të ndodhte e kundërta do të kemi të njëjtën klasë politike sunduesen me marrëveshjet e pazaret e ndërkombëtarëve për të ruajtur “status-quon”, pavarësisht se cili do jetë pronari i pushtetit e pavarësisht nga zullumet që kanë bërë, duke e ditur mirë se si u konvertuan, për një periudhë të shkurtër nga “leckamanë e qurrashë” në “padronë” të parasë, luksokracisë e hedonizmit, të krijuar me gjakun e eshtrat e këtij populli.

Sa bukur e ka shprehur Edit Hodaj këtë dështim të “farisejve demokratë”: “Kur kujtimi i së shkuarës ngjan më i bukur se premtimi i së ardhmes, e tashmja është thjesht dështim! Ju jeni e tashmja, pra ju jeni Dështimi …e , pavarësisht se jeni në fund të ciklit tuaj ende nuk e kuptoni se sa pa vlerë jeni, se sa kotësi e boshësi keni në personalitetin tuaj!”

Ju u bëtë “varrmihës” të shpirtit të shqiptarit dhe Shqipërisë; në gur të varrit tuaj, i meritoni fjalët e të madhit Konica: “Shqipëria u ngjall nga idealistët, u vra nga politikanët”. U vra nga ju “kameleonë politikë” eklektikë, pa ideologji, farisej e dallkaukë. Por jo vetëm nga ju! U vra edhe nga unë edhe nga ne që nuk i ndaluam dot këta parveny të politikës shqiptare.

Nëse ju ka ngelur pak dinjitet në pacipërinë tuaj, pak humanizëm në pangopësinë tuaj, pak fisnikëri në vulgaritetin tuaj, pak arsye në animalitetin tuaj, pak qytetari në orientalizmin tuaj, i bëni një nder vetes – ikni vetë paqësisht sa pa i hyrë më thellë thika në kockë këtij populli se pastaj ’97 do t’u duket “piknik në Lalz” për atë që mund të ndodhë.

Do duhej një Gjykatë Speciale për ju, për të dhënë sadopak llogari për “gjirizin” e imoralitetit, korrupsionit dhe kriminalitetit ku na keni zhytur. Është e padurueshme që pavarësisht kaosit e kolapsit shoqëror e politik që keni shkaktuar, ju vijoni me paturpësi e hipokrizi të na bëni moral për demokraci, për drejtësi, për ndershmëri, për zgjedhje të lira, duke mashtruar, aktruar, improvizuar; jeni bërë aq të pështirë, të neveritshëm e bajatë sa nuk shtyheni më as “me vaj e me uthull”.

Në këtë 30 vjeçar, të gjithë së bashku e veç e veç, keni dhënë prova se jeni të paaftë për ta drejtuar këtë popull të urtë deri në nënshtrim, duke zgjedhur rrugën më të keqe e më të lehtë – sundimin! Fatale për ju! Populli po e kupton se me ju nuk ka të ardhme. (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Komandanti i ZOD, gjatë luftës, Sami Lushtaku, rrëfen momentet me komandantin. Ilaz Kodra, në 25-vjetorin e rënies së tij

Në 25-vjetorin e rënies së komandantit Ilaz Kodra, bashkëluftëtari i Ilaz Kodrës, Sami Lushtaku, ka …