Ka vazhduar edhe sot aksioni i pastrimit të ambientit në Komunën e Malishevës

Në kuadër të nismës “Për Malishevën e pastër”, aksionit njëmujor të pastrimit që po zhvillohet në Komunën e Malishevës gjatë muajit të ambientit, sot ka vazhduar aktiviteti për pastrimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike në fshatin Mleqan. Ndërkohë, me iniciativë dhe vetorganizim të banorëve, aksioni është zhvilluar edhe në fshatin Senik.

Në këtë aksion morën pjesë qytetarë të shumtë, nxënës të shkollës në Mleqan, si dhe mësimdhënës, të cilët kontribuan në largimin e mbeturinave dhe në pastrimin e hapësirave përreth fshatit, duke dhënë një shembull të mirë të bashkëpunimit mes institucioneve dhe komunitetit.

Në fillim të aksionit, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Vesel Krasniqi, mbajti një ligjëratë para nxënësve dhe pjesëmarrësve për rëndësinë e ruajtjes së ambientit dhe ndikimin që ka një mjedis i pastër në shëndetin e qytetarëve dhe në cilësinë e jetës. Ai theksoi se ndërgjegjësimi i brezave të rinj është thelbësor për mbrojtjen e natyrës dhe për krijimin e një kulture më të madhe të kujdesit ndaj ambientit.

Gjatë aksionit janë pastruar hapësira publike, rrugë lokale dhe zona përreth shkollës, ndërsa mbeturinat e grumbulluara janë larguar nga ana e kompanisë për menaxhimin e mbeturinave, “Ekoregjioni” njësia në Malishevë. Aksioni do të vazhdojë edhe në ditët në vijim në vendbanime të tjera të komunës, me synimin që përmes angazhimit të përbashkët të krijohet një ambient më i pastër dhe më i shëndetshëm për të gjithë qytetarët.

Kontrolloni gjithashtu

U mbajt mbledhja e gjashtë e rregullt e Komitetit për Politikë dhe Financa

Nën udhëheqjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal të Vitisë, Bekim Azizi, sot është mbajtur mbledhja …