Kadri Muhamet Berisha (28.4.1966 – 29.3.1999)

Kadri Muhamet Berisha (28.4.1966 – 29.3.1999)

Dëshmori i kombit Kadri Berisha, u lind më 28 prill 1966, në fshatin Pozhar të komunës së Deçanit, në familjen e njohur të Demë Ali Pozharit, e cila më shumë se një shekull, brez pas brezi, qëndroi në ballë të luftërave kundër pushtuesve serbo-malazezë, për çka gjithnjë ishte në shënjestër të regjimeve pushtuese, e keqtrajtuar, e burgosur dhe e përndjekur për shkak të veprimtarisë atdhetare.
Kulla e kësaj familjeje në Pozhar ishte pikë takimi, ku lidhej besa e merreshin vendime të mëdha për çështjen kombëtare. Aty takohej paria e gjithë vendit, si Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Sadik Ramë Gjyrgjeviku, Hasan Feri etj. Në këtë kullë ishin mbajtur disa mbledhje dhe kuvende të rëndësishme kombëtare. Për shkak të aktivitetit atdhetar të kësaj familjeje, gjatë shekullit XX kulla e saj u dogj katër herë nga pushtuesit serbo-malazezë: në fund të vitit 1912, u dogj nga njësitet e ushtrisë serbo-malazeze, të udhëhequra nga Stefan Dragoviqi dhe Kostë Peçanci; më 1918, u dogj sërish nga ushtria serbe; në nëntor të vitit 1944 u dogj nga njësitet partizane-çetnike dhe në shtator të vitit 1998 u dogj nga forcat ushtarako-policore serbe të Milosheviqit.
Edhe gjatë regjimit jugosllav titist, familja e gjerë e Demë Ali Pozharit ishte e përndjekur, e burgosur, e keqtrajtuar e leçitur dhe e izoluar. Në periudhën kohore që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878) e këndej, kjo familje dha pesëmbëdhjetë dëshmorë të kombit. Në luftën nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ranë dëshmorë Kadri Muhamet Berisha dhe Shkëlzen Gani Berisha.
Prindërit e dëshmorit, Muhamet Berisha e Ajmone Zeqiraj nga Gllogjani, i lindën e i rritën shtatë fëmijë, tre djem e katër vajza, të cilët i edukuan në frymë të shëndoshë kombëtare e njerëzore.
Kadriu shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në rrezare (ish-Irzniq) të Deçanit. Që nga viti 1989 e këndej mori pjesë dhe u dallua në protestat dhe demonstratat e organizuara kundër pushtuesit serb. U shqua edhe në aksione humanitare, si në atë “Familja ndihmon Familjen”, i organizuar në vitet ’90-të për t’u dalë në ndihmë minatorëve të Trepçës, ashtu siç u dallua edhe gjatë luftës së fundit në mbajtjen e dhjetëra banorëve të zhvendosur nga zonat e përfshira drejtpërdrejt në luftime gjatë vitit 1998.
Kadriu me kohë ishte bindur se pa luftë të armatosur nuk mund të çlirohej atdheu. Edhe fizikisht edhe psiqikisht ishte i përgatitur për luftë. Në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte angazhuar në dhjetor të vitit 1997, nëpërmjet kushëririt të tij Faton Mehmetaj, duke marrë pjesë edhe në disa aksione guerile.
Pas shpërthimit të luftës frontale, pas Betejës heroike të 24 Marsit 1998 në Gllogjan, Kadri Berisha, si luftëtar i Shtabit rajonal të Gllogjanit mori pjesë në një varg luftimesh të zhvilluara në rajonin e komunës së Deçanit, dhe të Zonës Operative të Dukagjinit në përgjithësi. Ishte epror në Shtabin Lokal të UÇK-së në fshatin Pozhar. Kadriu mori pjesë dhe u dallua për guxim e trimëri të pashoqe në luftimet e zhvilluara në Dashinoc, Prejlep, Baballoç, Gramaçel, Llukë të Epërme, Isniq, Strellc, Loxhë, Carrabreg, Sllup, Voksh, Pozhar etj. Disa herë organizoi edhe bartjen e armatimit nga brendësia e Shqipërisë për në Kosovë nëpërmjet familjarëve të tij që gjendeshin prej kohësh në Shqipëri. Prej shtatorit të vitit 1998 u sistemua në radhët e Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, nën drejtimin e komandantit Daut Haradinaj.
Në historinë e lavdishme të UÇK-së, një kapitull të veçantë zë edhe furnizimi me armë, ku vetëm në kufirin e dhunshëm shqiptaro-shqiptar ranë në ballë të luftës luftëtarët më të dalluar. Edhe përkundër faktit se përgjatë gjithë brezit kufitar Kosovë-Shqipëri ishin të koncentruara forca të shumta të njësive elite të ushtrisë serbe, me qëllim të ndërprerjes së furnizimit me armë që ishte aorta kryesore e luftës sonë, liribërësit nuk e ndalën rrugëtimin për asnjë çast, edhe pse ishin të vetëdijshëm se në çdo hap i priste rënia për atdhe. Një rënie të tillë pati fatin ta ketë edhe dëshmori Kadri Berisha.
Më 28 mars 1999, grupi i përbërë prej dyzet e katër luftëtarëve të pajisur me armatim modern ishte nisur nga Vlahna e Shqipërisë drejt Kosovës, edhe pse e dihej se në brezin kufitar, sidomos pas fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s ishin përqendruar trupa të shumtë të ushtrisë serbe me arsenal të rëndë luftarak. Grupi i luftëtarëve kishte kaluar kufirin dhe kishte depërtuar brenda të territorit të Kosovës, i lodhur e i rraskapitur nga pesha e rëndë e rruga e gjatë dhe e mundimshme. Mesnatën e kishte lënë pas. Rreth orës 2:15 minuta të 29 Marsit, në vendin e quajtur Çerret mbi Shishman të Bokës, në një pozicion mjaft të papërshtatshëm për luftime, ishte organizuar prita nga trupat serbe.
Të gjendur në mes të zjarrit të gërshetuar të mitralozëve të rëndë të forcave serbe, në luftime të rrepta, ranë në fushën e nderit katërmbëdhjetë luftëtarë të lirisë e njëmbëdhjetë të tjerë u plagosën. Shumica prej të rënëve e kishin mbushur vitin nëpër fronte të ndryshme të luftës, ishin dalluar e kishin bërë emër në beteja të njëpasnjëshme. Shumë prej tyre plagët ua kishin hijeshuar shtatin në betejat frontale në Zonën e Dukagjinit, të Drenicës e të Pashtrikut. Por këtë ditë, në momentet më të vështira për popullin dhe fatet e luftës çlirimtare, dëshmorët: Kadri Berisha nga Pozhari, Naim Avdiu-Lata nga Smolica, Armend Qymyri nga Gjakova, Besim Rama nga Botusha, Bujar Syla nga Gjakova, Florim Sejdiu nga Smolica, Ibrahim Asllani nga Deva, Jahja Danuza nga Rahoveci, Jashar Jashari-Komandant “Duraku” nga Strofci i Vushtrrisë, Bujar Shala nga Rashiqi, Mehdi Zabeli nga Vushtrria, Mon Maqi nga Shishmani, Nuhi Elezaj nga Lubizhda e Hasit e Xhemajl Avdullahu nga Gjakova po e shkruanin bashkërisht historinë e lavdishme.
Pas rënies, forcat serbe me trupat e tyre kishin ngritur stivë, ku kishin grumbulluar edhe armatimin e tyre dhe ua kishin vënë zjarrin, duke minuar edhe terrenin përreth.
Mbetjet e eshtrave të dëshmorëve të rënë, në ditët e para të lirisë, më 30 qershor 1999, në arkivol të përbashkët u varrosën me nderime të larta ushtarake e popullore në Varrezat e Dëshmorëve në Gjakovë.
Dëshmori Kadri Berisha ishte i martuar me Ganimete Nezirajn nga Belegu. Ka lënë pas vetes gruan dhe katër fëmijë, dy djem e dy vajza: Kreshnikun, Etnikun, Dafinën e Valentinën. Po ashtu ka lënë nënën Ajmonen, vëllezërit Naimin e Sadikun dhe katër motra.
Heroizmi i dëshmorit Kadri Berisha është përjetësuar edhe në këngë, libra e shkrime të shumta përkujtimore. Familja e dëshmorit Kadri Berisha është nderuar me mirënjohje të shumta për djalin dëshmor si nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës – Ministria e Mbrojtjes, nga Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit, Komanda e Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së, Komuna e Deçanit, etj. Në vendin e rënies së këtyre katërmbëdhjetë dëshmorëve në afërsi të Shishmanit të Bokës, është ngritur pllaka përkujtimore në shenjë përkujtimi e nderimi të përhershëm. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Feti Jahir Haxholli (11.6.1975 – 20.4.1999)

Feti Jahir Haxholli (11.6.1975 – 20.4.1999)

Fetiu u lind më 11 qershor të vitit 1975 në fshatin Viti të Marecit, komuna …