KEK
Fillimi / Kultura / Kadri Rexha: Dervish Shaqa, rapsod misionar
Kadri Rexha

Kadri Rexha: Dervish Shaqa, rapsod misionar

Në atmosferën e zgjimit të gjithanshëm të Kosovës kënga e Dervish Shaqës e ka hisen dhe rolin e saj të jashtzakonshëm. Në kohën kur në mediumet elektronike të Kosovës ishte e pamundur të transmetohej kënga e mirëfilltë patriotike, kënga e Dervish Shaqës jo vetëm e mbushte këtë boshllëk artistik por, duke himnizuar heroizmin individual dhe atë kolektiv, ajo shpërndante mesazhe dhe merrte pjesë në krijimin e disponimit të masave të gjëra popullore të kohës. I vetëdijshëm për misionin e lartë atdhetar të këngës në etapa të caktuara të historisë, Dervish Shaqa, me intensitet të shtuar, këngën e vet e ngriti në kambanë zgjimi të vetëdijes atdhetare, në mjet forcimi të krenarisë kombëtare dhe në instrument mobilizimi përballë sfidave të reja që po i shtronte koha. Rapsod me përvojë, artistit me ndikim, veprimtar aktiv i Lëvizjes Irredentiste Shqiptare, me këngën e tij, Dervish Shaqa, aq sa bëri për krijimin e kultit të heroizmit kombëtar, po aq te masat e gjëra ndikoi në zgjimin e ndjenjës së dashurisë për liri dhe të nderimit për trimat dhe heronjtë e historisë. Realisht duke qenë krah i fortë i organizatave patriotike ilegale të Kosovës, Dervish Shaqa, nëpërmjet këngës, natë e ditë, transmetoi mesazhe politike në çdo qytet, në çdo fshat dhe në çdo shtëpi shqiptare. Duhet të kthehemi në kohën e Rapsodit, përkatësisht në kohën e natës së gjatë shqiptare të Kosovës, për ta kuptuar mesazhin diellor të vargjeve dhe këngëve të tij.

   Brezat e lindura pas Luftës së Dytë Botërore, ata që rapsodin Dervish Shaqa e kanë dëgjuar përmes valëve të Radio Kukësit dhe Radio Tiranës, për të flasin me emocione të forta, me nderim dhe vlerësim të lartë. Duke folur për këngët e tij, të dëgjuara fshehtë brenda mureve të shtëpisë e më vonë fare hapur në konviktet e studentëve, ata kujtojnë me nostalgji një kohë të stuhishme dhe plot vrull revolucionar, një kohë idealesh të larta dhe vite të përgjakshme që nuk harrohen dot. Duke i përkujtuar vargjet e këngëve të tij, si: “More, Titë, more Titë tradhtari/ Këso vuejtje s’duron shqiptari/ Këtë terror që po e ban ti/ Tash gjithkush mirë asht ka e di/ Nuk jem turq me shkue n’Turqi/ Jem shqiptar, dojmë Shqipni”, “E n’Prishtinë atje pikë s’ pari/ Krisi topi me duhi/ Atje gjaku i shqiptarit/ Ra në tokë me bi përsëri… Amanet o moj rini/ Dejmë luftoni për Shqipni/ Se i huji kurrë s’t’jep liri…” ky brez me krenari e thekson se në veprimtarinë e tyre atdhetare aq sa kishte ndikim aktiviteti patriotik shumëdimensional i ideologut Adem Demaçi me armatën e tij në rritje të vazhdueshme, aq sa kishin ndikim fjalimet programatike të udhëheqësit të shtetit shqiptar Enver Hoxha kushtuar Kosovës, aq sa kishin ndikim shkrimet publicistike dhe letrare të prof. dr. Rexhep Qosjes, po aq kishte ndikim edhe rapsodi Dervish Shaqa me këngët e tij kushtuar heronjve të kombit dhe historisë së Shqipërisë.

   Këngët kushtuar heronjve të traditës dhe heronjve të epokës së re, këngët kushtuar heroizmit të gruas shqiptare dhe këngët kushtuar dashurisë së pakufishme për Nënën Shqipëri sintetizonin për mrekulli aspiratat shekullore të popullit dhe në të njëjtën kohë po bëheshin shembull dhe model për rininë atdhetare, për luftën që po përgatitej. Pos pasqyrimit të idealit të madh të kohës këto këngë kërkonin mobilizim të gjithanshëm dhe veprim mbinjerëzor.

   Me interpretimin e mrekullueshëm artistik rapsodi virtuoz Dervish Shaqa këngës epike historike i beri një nder të madh duke e ngritur atë në majat më të larta të artit të letërsisë gojore. Ngjarjet historike të kënduara nga ky rapsod në vetëdijen e dëgjuesit morën përmasat e dramave dhe të tragjedive kombëtare duke mbetur kështu përjetime të paharruara në kujtesën e brezave. Personalitetet e mëdha historike dhe trimat e këngëve, nga Skënderbeu e deri të Enver Hoxha, të kënduara nga rapsodi Dervish Shaqa u përjetësuan në monumente artistike dhe u bënë dy herë të pavdekshëm. Në këto monumente të heronjve dhe të trimave të lirisë, të ngritura me aq kujdes me fjalë zemre e me shpirt vullkani, edhe emri dhe qenia e rapsodit Dervish Shaqa prehen përjetshëm dhe si pishtarë të lartë drite digjen amshuar.

   Mjerisht, rapsodi Dervish Shaqa vdiq herët, më 13 prill 1985, në Rashbull të Durrësit, dhe nuk arriti ta prekë me dorë Kosovën e lirë, Shpirtin e tij, siç e quante ai Kosovën, për lirinë e së cilës dha krejt çka kishte, edhe frymën e fundit të jetës, ashtu siç qe betuar: “Unë sa të jam gjallë e deri në ma të mbramën frymë të shpirtit, deri sa të vdes, i palodhun, do t’i këndoj kombit.”

Dervish Shaqa nuk arriti t’i këndojë Luftës së UÇK-së për të cilën e lëshoi kushtrimin gjashtëdhjetë vjet me radhë. Por, në këngët për Adem Jasharin dhe për trimat e UÇK-së, bashkë me zërin e rapsodëve të ri, sot kudo përcillet fryma atdhetare, ndjehet qenia burrërore dhe dëgjohet zëri luftarak i rapsodit legjendar Dervish Shaqa.

      Të mëdhenj janë ata që investojnë për ardhmërinë.

Investimi i rapsodit Dervish Shaqa nuk ka shkuar kot.

Vepra e tij është e përjetshme.

 

(Pjesë nga monografia: Kadri Rexha, “Dervish Shaqa”, RKL, Prishtinë, 2012)

Kontrolloni gjithashtu

Besi

Një ditë në Burgun e Suboticës… (Një kujtim për shokun tim të burgut, Agim Leci, 1964-2021)

Ndodhesha në dhomën  kolektive numër 4 të Burgut Hetues të Suboticës. Ishte pranvera e vitit ...