Kadri Rexha: Kamber Loshi në këngën e popullit

    (Në 90-vjetorin e vrasjes së Kamber Loshit, luftëtarit dhe prijësit të çetës së lirisë)


 


   Vrasja e Azem Galicës shënon edhe shkatërrimin e zonës së lirë të Drenicës, Arbërisë së Vogël ose “shteti në shtet”, siç e quante gazeta “Politika” e datës 17 korrik 1924. Vetëm pas vrasjes së Azem Galicës dhe pas rënies së Arbërisë së Vogël, pra pas më shumë se një dekade lufte të pa ndërprerë, Serbia, deri diku, arriti të vë pushtet të qëndrueshëm mbi trojet e pushtuara shqiptare. Vënien e pushtetit serb në trojet tona e ndihmuan edhe bashkëpunëtorët shqiptarë, të ashtuquajturit konfidentë, të cilët rridhnin nga familje ekonomikisht më të pasura. Sidomos pas shuarjes së Arbërisë së Vogël dhe pakësimit të çetave çlirimtare konfidentët morën guxim dhe dolën më hapur në shërbim të pushtetit okupator serb. Pikërisht, krahas gjakatarëve serbë, ky element i shitur dhe tradhtar, mohues i gjakut dhe i atdheut, në të ardhmen do të bëhet mjet sulmi dhe ndëshkimi i çetave të vogla që do të veprojnë me intensitet edhe për një dekadë. Lëvizja Nacionalçlirimtare edhe për një kohë të mirë e vazhdoi luftën me të njëjtin program dhe nën emrin e Azem Galicës. Sulmit të çdo çete edhe në të ardhmen vazhdoi t’u printe thirrja dhe kushtrimi luftarak: “O prite, prite, Azem Galicën, o more heeeej…!”


   Njëra ndër çetat e vogla që vepronin aktivisht me programin dhe emrin e Azem Galicës është edhe Çeta e Kamber Loshit. Kamber Loshi, bir i devotshëm i fshatit Padalishtë të Burimit, aktivitetin e tij luftarak e kishte filluar si 16-vjeçar qysh me pushtimin e Kosovës nga Serbia dhe Mali i Zi. Aktiviteti i tij shtohet gjatë vitit 1920 kur në krye të Çetës së vet vazhdimisht është në bashkëpunim me çetat tjera që nga Drenica e deri në Junik. Për aktivitetin e dalluar dhe të rrezikshëm për Serbinë, Kamber Loshit dhe kushërinjve të tij, pushteti ua internon dhe ua burgosë familjet në Nish. Kjo ishte edhe një masë që pushteti e aplikonte kundër prijësve dhe luftëtarëve të dalluar për t’i thyer ata dhe për t’i detyruar që t’i dorëzonin armët dhe të pajtoheshin me robërinë serbe. Kamber Loshin këto masa jo që nuk e thyen por e motivuan hala më shumë që të luftojë deri në fund për lirinë e popullit dhe të atdheut. 


   Pas rënies së zonës së lirë të Drenicës dhe pas vrasjes së prijësit të Lëvizjes, Azem Galicës, çetave të vogla po u ngushtohej veprimi. Ato ndiqeshin këmba këmbës. Bashkëpunëtorët e armikut vepronin më guximshëm. Po sa hetohej ndonjë çetë pushteti e rrethonte me xhandarmëri dhe me ushtri sa në të shumtën e rasteve e dëmtonte rënd. Një rrethim të tillë e pasqyron edhe kënga epike historike “Sa t’jam gjallë s’e jep dorëzimin”, kushtuar Kamber Loshit dhe bashkëluftëtarëve të tij.


   Është muaji mars i vitit 1925. Mbijetesa e dimrit për çetat ishte bërë shumë e vështirë. Zonat e lira ishin zhdukur, dimërimi në Shqipëri nuk lejohej nga mbreti Zog. Populli nuk guxonte si dikur t’u jepte ndihmë dhe strehim. Për më tepër pushteti kishte krijuar çeta të vogla duke i veshur xhandarët në rroba kombëtare shqiptare. Ndaj edhe populli ishte hutuar sa nuk dinte se kujt po i jep ndihmë. Në këtë situatë të rëndë, përmes spiunëve të vet pushteti merr vesh se Kamber Loshi me çetën tij të vogël është strehuar në një shtëpi të braktisur në fshatin Belicë. Pushteti menjëherë merr masa dhe e rrethon shtëpinë ku ndodhej Çeta. Çeta e vogël përbëhej prej Kamber Loshit, Murat Loshit, Zenel Loshit, Zeqir Loshit, Fazli Çabrës, Tush Selmanit, Mic Tahirit dhe dy luftëtarëve tjerë.1) Rrethimi i xhandarmërisë është i hekurt. Bashkë me xhandarmërinë janë rreshtuar edhe bashkëpunëtorët shqipfolës të pushtetit. Sulmi i parë mbi shtëpinë ku strehohet Çeta bëhet në ag, ende pa dalë drita. Sulmi është i rrufeshëm dhe i befasishëm:


 


                Kamber Loshi Kamber Sejdija
                Çou bre djalë t’ka rrethu Serbia
                Thrret Kamberi vllaznit e mi
                Boll e keqe kjo Serbi
                Shumë ma t’zi shqiptart e këqi
                Që i bajnë vllaut monafiki
                Për Serbi pata me pshtue
                Po janë shqiptarët tuj nimue
                Mos met zoti pa i marrue
                Po pisket Kamber Sejdija
                Delni shokë ore te qershia
                Bini djem se u vra Fazlia


 


   Prefekti dhe në të njëjtën kohë udhëheqës i rrethimit dhe ekspeditës ndëshkuese për një moment e ndërprenë sulmin. Pas demonstrimit të forcës provon ta bindë Kamber Loshin që të dorëzohet pa luftë. Qëllimi i tij është që Kamber Loshin ta zë të gjallë dhe ta turpërojë para popullit, para opinionit më të gjerë. Për ta dobësuar dhe thyer atë moralisht prefekti ia tregon forcën e vet, xhandarmërinë e tri rretheve administrative dhe më në fund i zotohet se nuk ka kurrfarë mundësie për të dalë nga shtëpia e rrethuar :


 


                Naçallniki po i çon fjalë
                Ti Kamer koke budallë
                Ai prefekti fjalë o i ka çue
                Kamer Loshit me u dorzue
                Tri sereze o t’kem rrethue
                Me i pasë kraht me fluturue
                Prej Belice s’munesh me pshtue


 


   Kamber Loshi edhe në këto momente e ruan gjakftohtësinë. Si luftëtarë i rryer në beteja kundër ushtrisë dhe xhandarmërisë së armikut përgatitet për mbrojtje. Shokët rreth tij janë luftëtarë të zgjedhur. Gjatë jetës së tij në çetë kurrë nuk ishte ligështuar. Qëllimi dhe ideali i lirisë e kishin forcuar dhe përherë kishte dal fitimtar në çdo betejë dhe në çdo rrethim. Nuk e kishin thyer as vrasja e shokëve të luftës, as bombardimet e armikut mbi fshatrat dhe mbi popullatën duarthatë, as internimi dhe burgosja në Nish e më të dashurve të tij. Atë ditë kur e kish marrë pushkën dhe kish dalë në mal si luftëtarë i lirisë e kishte bindur veten: vdes por nuk bie gjallë në dorë të armikut:


 


                Kamber Loshi o po i çon fjalë
                Ty prefekt o mos t’kofsha falë


                Nuk t’bi nore sa t’jam gjallë


                Për pa u kallë kjo shpi me kashtë
                Për pa më ra mu zjarri n’qafë


 


   Lufta fillon e ashpër. Një luftë shumëfish e pa barabartë. Armiku është në epërsi me ushtarë dhe armatim. Edhe shtëpia ku strehoheshin Kamberi me shokë ishte e dobët, kasolle e mbuluar me kashtë, fushë fare. Luftimet zhvillohen gjatë tërë ditës. Nga mbrëmja duke provuar ta shpërthejnë rrethimin, në luftë e sipër bie Fazli Çabra, luftëtar i dalluar i çetës së Azem Galicës, ndërsa Kamber Loshi plagoset për vdekje. Pasi bie terri i natës Kamberi i urdhëron shokët të shpërthejnë rrethimin dhe të largohen nga fshati. Ndarja e Kamberit me shokë është shumë prekëse. Sidomos përcjellja ndër breza e orës së xhepit dhe e kutisë së duhanit ka simbolikë të thellë:


 


                Pa m’ra zjarri o hajmedet
                Kanë liftue tri ditë e tri netë
                Nja tri ditë edhe kanë liftue
                Kamber Loshi o asht varrue
                Shok’ve t’vet na u ka kallxue
                Çonu shokë ju n’mujshi me pshtue
                Fort Kamberi o asht varrue
                Unë ma nuk muj vi me jue
                Janë ba gati o shokët janë dalë
                Thrret Kamberi more Murat
                Merre vlla i ka thanë kët sahat
                Merr sahatin merre kutinë
                Ma Kamberi duhan nuk pinë
                Merri vlla ty ti kam lanë
                Ma Kamberi në gjyks s’po i nonë
                Janë ba gati të tanë janë dalë


                Donë Belica me u kallë flakë
                Qyqe vetëm n’kolibë a nalë


 


   Të nesërmen xhandarmërisë u vinë forca të reja si në ushtarë ashtu edhe në armatim. Ushtria kishte marrë me vete armë të rënda artilerie. I sigurt në fitore Prefekti e fton sërish Kamberin që të dorëzohet. Si kërcënim ia përkujton topat dhe djegien që do t’i bëhet shtëpisë në të cilën ai qëndronte:


 


                Kur e bani zoti sabah
                Naçallniki prap po i çon fjalë
                O Kamer fort koke budallë
                Pse po i merr vllaznit n’qafë
                Mue tash topat qi m’kanë ardhë
                Po du shpinë me ta kallë flakë


 


   Dialogu i Kamberit me Prefektin vazhdon. Kamberi përsëri e sfidon dhe e përbuzë kërkesën për dorëzim. Atëherë Prefekti e urdhëron topxhinë që të gjuajë. Shtëpia merr flakë deri në kulm. Zjarri e përfshinë edhe heroin. Kamberi, i lumtur për shpëtimin e shokëve, me sy të vet e sheh fundin e qëndresës së tij. Por, para se të bie heroikisht në fushë të nderit e kërkon me sy Perfektin. Me të vetmin qëllim: ta merr me vete në botën tjetër:


 


                O Kalle flakë more qitja timin
                Sa t’jam gjallë s’ta jepi dorëzimin


                Naçallniki çka ka marue
                Ai topxhinë e ka urdhnue
                Flaka n’kulm shpinë e ka marrë
                Shpirti i amel Kameri ka dalë
                N’grykë të topit ka dalë te dera
                Po i kërset Kamberit manxerrja
                Naçallnikin o ma thau vera
                Pyetshin hallku për kta trima
                Kamer Loshi e tre vllaznia
                Mic Tahiri e Tush Selmani
                Çak n’Avropë ju ka shku zani


 


   Kënga “Sa t’jam gjallë s’e jep dorëzimin” është baladë tipike historike, është rrëfim poetik historik në të cilin për mrekulli gërshetohen elementet e poezisë epike dhe të asaj lirike. Koha dhe hapësira e ngjarjes në këtë rast shërbejnë vetëm si sfond, si kornizë, ku heroikja dhe tragjikja, të shkrira në një vepër arti, manifestohen si përjetime personale të Kamber Loshit. Kënga ngrihet mbi konfliktin e thellë historik të luftës mbrojtëse, ku nëpërmjet heroikës dhe tragjikes së Kamber Loshit përgjithësohet heroikja dhe tragjikja e mbarë kombit shqiptar. Dialogu i Kamber Loshit me Prefektin serb, ashtu si në këngët legjendare, është shumë funksional. Dhënia e orës dhe e kutisë së duhanit vëllait nga ana e Kamber Loshit, në prag të vdekjes heroike, përveç transmetimit të emocioneve, simbolizon vazhdimësinë e jetës dhe triumfin moral mbi armikun, ngjashëm me rapsodinë arbëreshe “Skënderbeu dhe Vdekja”.


 

Kontrolloni gjithashtu

Adem LUSHAJ: Rrugëtim Kombëtar: Promovimi i Historisë së Kosovës në Shtetet e Bashkuara te Amerikës

“Krimet serbe në Kosovë – Rasti i Deçanit” dhe “Manastiri i Deçanit dhe Pronat Shoqërore …