Kadri Rexha

Kadri Rexha: Kulla e Berishëve në Prapaçan

Kullën e Brahim M. Berishës në fshatin Prapaqan për herë të parë e kam parë në vjeshtë të vitit 1976. Atë ditë isha i ftuar në dasmën e Bardhosh Gërvallës dhe, në mesin e krushqve, bashkë me Jusuf Gërvallën në një rimorkio traktori, nga Gllogjani po ktheheshim me nusen e Bardhoshit për në fshatin Dubovik. Sipas traditës, për të mos i rënë të njëjtës rrugë, te Ura e Pozharit krushqit lanë prapa rrugën kryesore, kaluan fshatin Llukë e Poshtme, lumin Lumbardh, dhe, për të shkuar në Dubovik, i ranë për mjedis fshatit Prapaqan. Kur hymë në Prapaqan, në të djathë të rrugës, na u shfaq një kullë e moçme e rrethuar me dyer të mëdha dhe me mur prej guri. Në ato çaste, ashtu siç ishim të ulur në rimorkio, Jusufi u ngrit në këmbë dhe qëndroi i palëvizshëm, me trup dhe me vështrim në drejtim të kullës, deri sa hymë në thellësi të fshatit. Pasi u ul më tha: “në këtë kullë jetojnë nipërit tonë”. Për nipërit e tij, Brahimin dhe Avdylin, Jusufi më kishte folur edhe më përpara kur po e projektonte një roman me temë nga baladat e rinjohjes së vëllait me vëlla. “Këta do t’i kem prototipa të personazheve të romanit. Janë si Muji e Halili në këngët kreshnike.

Ata që e mbajnë mend tim at, thonë se Brahimi, si nga pamja ashtu edhe nga karakteri i ka përngjarë shumë Bardhosh Dinës”, mes tjerash, më kishte thënë Jusufi. Fati e deshi, vetëm dy vjet më vonë, në vjeshtë të vitit 1978, tash në cilësinë e dhëndrit të Brahim M. Berishës, këtë kullë karakteristike ta shoh edhe nga brenda. Edhe nga një vështrim sipërfaqësor shihej qartë se pamja epike e jashtme e kullës shkrihej në harmoni të plotë me brendësinë e saj. Dyert e mëdha me kapixhik të oborrit, shkallët që ngjiteshin lartësisë së murit, divanhania me pajisjet e saj, dera që e ndante odën e miqve përgjysmë në cergë të madhe dhe në cergë të vogël, oxhaku i harkuar me një raft përsipër, balli i oxhakut, dollapi me takëmin e kafesë, rafti me objekte zbukurimi, llamba e vajgurit dhe lahuta për kundruall varë në mur, sandraçi, dy ballët e cergave të rrethuara me jastëkë leshi të qëndisur me simbolin e shqiponjës, dritaret e ngushta, radioaparati në këndin e posaçëm, dollapi ku mbahen shtresat dhe mbulesat për mysafirë, trapazani, dërrasa e gjatë e punuar enkas për varjen e rrobave dhe gjësendeve tjera, tavani prej dërrasave të ngushta të zbukuruara… një kombinim hijerëndë dhe serioz i traditës me ndikim të jashtëzakonshëm edhe në qëndrimin dhe sjelljen e të pranishmëve, që nga zoti i shtëpisë, mysafirët e deri te fëmijët atje në fund të odës.

Në krijimin e mjedisit hijerëndë dhe të atmosferës serioze të odës padyshim se një rol me rëndësi e luanin edhe mjeshtëria e oratorisë popullore, mënyra e bisedës me formula standarde, koncepti i etikës popullore, rregullat e veçanta të pyetjeve dhe të përgjigjeve, ato të dhënies dhe të marrjes së fjalës, bisedat me rrotulla, përdorimi filozofik i fjalëve të urta, ngacmimet me anekdota, mënyra e rrëfimit të ngjarjeve, diskutimi i kujdesshëm, qëndrimi teatral para auditorit e deri të radha e këngës rapsodike që vinte si rezyme spontane e gjithë spektaklit. Në vizitat e rëndomta, në atë odë miqsh, pos me anëtarët e familjes, kam pasur fatin e mirë të njihem me mysafirë të rastit, me fqinj, me bashkëfshatarë dhe me miq të familjes Berisha nga mbarë Dukagjini. Aty e kam parë dhe dëgjuar Brahim M. Berishën tek rrëfente tregime për persona dhe për ngjarje të historisë, tek evokonte kujtime personale për ndodhitë ku ai ishte personazh si dhe tek analizonte tema të aktualitetit politik me porosi të qarta për të ardhmen e afërt dhe të largët të popullit shqiptar.

Aty e kam parë Avdyl M. Berishën, humorist i veçantë popullor, tek i vë në lojë sistemin e pushtetit antishqiptar, bashkim-vëllazërimin e rrejshëm jugosllav dhe spiunët shqipfolës, qenë besnik të shkaut. Në atë ambient tradite kombëtare e kam parë rininë e pa ndalur shkollore të etur për dije, aradhen vitale të djemve të rinj të gatshëm për çdo aksion, trashëgimtarët e denjë të familjeve përkatëse si dhe ushtarët e ardhshëm të atdheut që po e priste lirinë. Në këtë skuadër djemsh dalloheshin Haxhiu dhe Maxhuni. Haxhiu, 17 vjeçar, gjimnazist me njohuri solide, i bukur, energjik, i gatshëm për debate deri edhe në sferat më të rrezikshme politike për kohën, ndërsa Maxhuni, 15 vjeçar, nxënës i zellshëm, karakter i heshtur, shtatlartë me trup atleti, fjalë ëmbël, i buzëqeshur, besnik, punëtor i pa përtueshëm, tejet i drejtë në çdo rrethanë, guximtar, i gatshëm për çdo sakrificë, të cilët, me edukatën dhe me formimin atdhetar, duke dëgjuar thirrjen e kohës do t’i përgjigjen kushtrimit të atdheut, i pari si organizator dhe veprimtar i palodhur në ballë të demonstratave për internacionalizimin e çështjes shqiptare dhe për pavarësinë e Kosovës, ndërsa i dyti si luftëtar i paepur me armë në dorë deri në flijim për çlirimin e Kosovës nga okupatori serb. Kulla e Brahim M. Berishës nuk është më, por barku i saj njerëzor jeton në më shumë se 100 familje në Praqaqan e deri në vise të ndryshme të Evropës. Brahim M. Berisha nuk jeton më, por emri dhe vepra e tij me karakter shoqëror dhe kombëtar do të mbesin gjatë në kujtesën e popullit. Maxhun B. Berisha nuk është më, por emri dhe vepra e tij e pavdekshme do të jetojnë përjetësisht deri sa të jetojë Flamuri kuqezi e Kombi Shqiptar.

(Pjesë nga libri “PUSHKA E DY BREZAVE” – monografi për dëshmorin Maxhun Berisha, Shkrola, Prishtinë, 2019)

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …