Kadri Zeka (25 prill 1953-17 janar 1982)

Kadri Zeka (25 prill 1953-17 janar 1982)

Gjashtëdhjetë vjet më parë, familja Zeka e Poliçkës së vogël të Malësisë së Dardanës, lindi birin e madh të Kosovës, Kadri Zekën. I rritur dhe edukuar me traditën luftarake të popullit të vet, Kadriu i ri, mori në supet e tij të njomë barrën e rëndë të çlirimit të Kosovës së robëruar aq gjatë. Jeta e militantit ilegal dhe objektivat e organizatës së tij çlirimtare, e burrëruan dhe e kalitën shpejt personalitetin e tij, prej veprimtari dhe drejtuesi të shquar kombëtar.

Figura dhe personaliteti i Kadriut, formimi intelektual e patriotik i tij, ambienti edukues familjar, shoqëror e kombëtar, predispozitat e tij subjektive dhe përkushtimi i pareshtur për lirinë e drejtësinë universale, e bënë Kadri Zekën shumë shpejt, jo vetëm veprimtar të madh, por edhe  përfaqësues të denjë.

Fuqia përfaqësuese e Kadri Zekës është rritur si rrathët koncentrikë. Nga përfaqësimi i ideve e koncepteve personale të lirisë, ai u bë përfaqësues i pikëpamjeve të rrethit të tij shoqëror, për të përfaqësuar strukturat organizative të Lëvizjes Kombëtare të kohës kur veproi dhe  më në fund idealet kombëtare të çlirimit e të bashkimit.

Duke qenë i varfër, Kadri Zeka, u bë përfaqësues i të varfërve, duke qenë i vuajtur u bë përfaqësues i të vuajturve, duke ndjerë, kuptuar dhe duke luftuar robërinë, u bë përfaqësues i të robëruarve. Ai e kishte kuptuar se doktrina çlirimtare që përfaqësonte, presupozonte frymën dhe  aktin suprem të sakrificës të përfaqësuesit dhe jo abuzimin e të përfaqësuarve. Atyre që i përfaqësonte, Kadri Zeka u qëndroi besnik deri në fund të jetës së tij, e do t’u qëndronte ashtu, sikur edhe njëqind vjet jetë t’i kishte.

Duke përfaqësuar shpirtin njerëzor, modest e tokësor, të përunjur ndaj atdheut dhe lirisë së tij, Kadri Zekës kurrë nuk i shkoi mendja për famën personale, për egon meskine as për përfitimet e çastit të ligë. Njerëzit e  ambicieve të sëmura, përpiqen tërë jetën për famën e emrin e madh, për kredinë e pameritueshme e nuk i arrijnë dot, kurse Kadriut tonë, si gjithë njerëzve të  mëdhenj,  fama i shkon pas si hija.

Në jetën e popujve dhe të njerëzve ka rrugë të lehta, shpesh të mbuluara me turp, por edhe rrugë të drejta, të drejta e të vështira, por të lavdishme. Kadri Zeka mund të bëhej një përfaqësues i regjimit pushtues e të bënte jetë luksoze, por ai zgjodhi të ishte përfaqësues i popullit të robëruar dhe i idealeve të tij për liri e dinjitet njerëzor. Ky përcaktim, atij ia bëri jetën të vështirë, por të lumtur, sepse vetë e zgjodhi, jo vetëm jetën, por edhe vdekjen, prej shërbëtori të bindur të atdheut të vet.

Një natë prilli me shi, në vitin 1978, vetëm dy javë para ditëlindjes së tij të njëzetepestë, Kadri Zeka dhe bashkëveprimtarët e tij morën vendimin e shpejtë dhe të rëndë që ai, për shkak të rrezikut që të arrestohej,  të lëshonte Kosovën e tij të dashur dhe të emigronte në Zvicër. U zgjodh Zvicra, sepse ajo përfaqësonte nivel të lartë të demokracisë, që e bënte të mundur veprimtarinë e tij çlirimtare të papenguar dhe sepse në këtë vend ishte koncentruar në masë të konsiderueshme mërgata shqiptare, në të cilën ai mund të organizonte radhët e Lëvizjes Kombëtare të Kosovës. Ajo natë e ndau në dy periudha veprimtarinë jetësore dhe atdhetare të Kadriut, njëra në Kosovë dhe tjetra në mërgim.

Kadri Zeka arriti në Zvicër si përfaqësues i  Lëvizjes dhe organizatës së tij, e cila kishte përvojë tetëvjeçare, që kalonte jetëgjatësinë e secilit nga organizimet e deriatëhershme ilegale. Katër vitet e veprimtarisë në vazhdim e bënë atë edhe përfaqësues të mërgatës, jo vetëm në Zvicër, por në gjithë botën perëndimore. “Zeqa”, siç e quanin mërgimtarët,  me pamje punëtori, lëvizte si bleta, kudo në qarqe mërgimtarësh, lidhte fijet organizative  të Lëvizjes sonë Kombëtare, organizonte demonstrata dhe mbante fjalime kushtrimi, të ngritura në art, duke u bërë figurë e dashur dhe shumë e çmuar për shqiptarët e mërguar, pa dallim krahine, feje a bindjeje politike.

Pranvera e lindjes së Kadri Zekës koincidon shumë me atë të Kryengritjes së madhe të shqiptarëve të robëruar më 1981. Kjo kryengritje ishte frymëzuar, përgatitur dhe motivuar për vite me radhë nga Kadri Zeka dhe bashkëveprimtarët e tij, nëpërmjet të shtypit klandestin, të organizimit dhe zgjerimit të radhëve militante, nëpërmjet të demaskimit të politikës pushtuese dhe propagandimit të ideve të lirisë. Demonstratat nuk ndodhën rastësisht dhe as u orkestruan nga jashtë. Ato janë vepër e vetë popullit të kryengritur shqiptar, të organizuara dhe të drejtuara nga militantët e Lëvizjes sonë Kombëtare. Qëllimi i vetëm i tyre ishte barazia e popullit shqiptar me popujt tjerë të ish-Federatës jugosllave. Viti 1981 përbën rubikonin historik të Kosovës, i cili lë pas punën e gjatë e të vështirë të Lëvizjes politike dhe hap perspektivën e pashmangshme të kryengritjes me armë në dorë, duke shënuar kështu fillimin e fundit të regjimit pushtues në Kosovë. Kryengritja e vitit 1981, si rezultat i  zgjimit të madh shqiptar, shpalli në mënyrë plebishitare vullnetin politik të Kosovës, sublimoi përpjekjet e deriatëhershme të Lëvizjes dhe nxori para syve të botës tërë dimensionin e çështjes së pazgjidhur shqiptare.

Kryengritja u vulos me gjakun e militantëve të Lëvizjes së organizuar, Naser Hajrizi e Asllan Pireva dhe të demonstruesve të tjerë, si  Xhelal Maliqi e Salih Abazi, Ruzhdi Hyseni e Salih Mulaku, Rizah Matoshi e Sherif Frangu, të rezistuesve me armë në Prekazin legjendar, Tahir e Nebih Meha, dhe të të rinjve Nesimi Dervishdana, që u vra në Gjakovë  e të Ibrahim Krasniqit e Afrim Abazit, të mbytur në burgjet jugosllave.

Demonstrata u bënë jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj. Kadri Zeka pati një rol të veçantë dhe historik, të drejtpërdrejtë, organizativ dhe përmbajtjesor,  veçanërisht në demonstratat e mërgatës, të cilat jo vetëm manifestuan solidaritetin me ato në Kosovë, por përçuan zërin e popullit të kryengritur të Atdheut gjithandej në botën demokratike perëndimore, duke i kontribuuar fuqishëm ndërkombëtarizimit të çështjes së pazgjidhur shqiptare dhe duke tërhequr simpatinë e të gjithë popujve liridashës.

Ora e historisë nxori para Lëvizjes Kombëtare nevojën e intensifikimit të procesit të bashkimit të forcave të saj të përndara, në një front të vetëm dhe të gjerë masash për të shpëtuar shqiptarët e robëruar nga rreziku që u kanosej dhe për të realizuar objektivat politike e kombëtare.

Kadri Zeka ishte përfaqësues i ideve të bashkimit çlirimtar, i zërit të fuqishëm e unik të lirisë, kundër forcës së errët të robërisë. Kujtoni fjalët e tij emblematike, “Kosovës i duhet një zë i vetëm i fortë e kumbues  dhe jo disa zëra të mekur”. Me idetë e një fronti të gjerë popullor e çlirimtar, në kontekstin historik të kombit tonë në përgjithësi dhe të Kosovës, në veçanti, Kadri Zeka dhe Jusuf Gërvalla nisën projektin e madh të shkrirjes së strukturave të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në mërgim, duke u bërë shembull monumental në historinë e përpjekjeve të figurave të shquara të kombit tonë për bashkimin e shpirtit, të mendjes e të  forcës në luftë për liri. Në krye të detyrës së këtij bashkimi Kadriu, Jusufi dhe Bardhoshi ranë dëshmorë, për të mos vdekur kurrë.

Kadri Zeka, si intelektual dhe veprimtar e drejtues prej strategu të vërtetë, përfaqësonte filozofinë politike çlirimtare, të hartuar dhe konsoliduar mirë për dymbëdhjetë vjet rresht në organizatën e tij ilegale. Ai përfaqësonte teorinë dhe doktrinën e revolucionit nacionalçlirimtar, që përbënte rrugën e vërtetë dhe të sigurt të kurorëzimit me sukses, siç u kurorëzua çlirimi definitiv e përgjithmonë i shqiptarëve të Kosovës së shumëvuajtur.

Shpirti i madh i Kadriut, si një kopsht me lule shumëngjyrëshe, mblidhte vlerat dhe virtytet e larta shqiptare, të kultivuara në traditën e gjatë e të lavdishme të popullit tonë. Kadri Zeka bën pjesë në radhën e mendjeve të ndritura të kombit shqiptar, të cilët bënë qëmtimin e afirmimin e vlerave të së kaluarës dhe gërshetimin e tyre me vizionin e së ardhmes. Sot, edhe pas më shumë se tri dekadash të rënies, jeta dhe vepra e Kadriut, personaliteti i tij moral, politik e kombëtar, vazhdojnë të përbëjnë një thesar vlerash njerëzore, si nderi e trimëria, sinqeriteti e mençuria, besa e vendosmëria,  dashuria e pakufishme ndaj atdheut dhe përkushtimi për të me frymën e sakrificës e të vetëmohimit. Ai i dha tërë jetën Atdheut, por nuk kërkoi asgjë prej tij.

Në moshën e tij gjashtëdhjetë vjeçare, Kadri Zeka sot, mbase do t’i kontribuonte fuqishëm zhvillimeve historike në Kosovë, me dijet e gjithanshme, me përvojën e pasur, me kulturën e gjerë, me virtytet e shumta dhe me shpirtin e tij të madh, por trashëgimia që na ka lënë, është gjithashtu një begati e gjallë, që ruan aktualitetin në shumë dimensione në kohët tona dhe që do t’u duhet edhe kohëve të ardhme.

Kadri Zeka përfaqësonte shpirtin luftarak e kryengritës të shqiptarit, thellësinë e mendimit intelektual, fuqinë e fjalës së oratorit propagandist të ideve të lirisë, demaskuesin e pamëshirë të regjimit pushtues dhe ndriçuesin e shtigjeve drejt ditëve të bardha.

Në këtë kuptim, jeta dhe vepra e Kadriut nuk paraqesin thjeshtë vetëm vlerë historike e muzeale, por edhe burim të pashtershëm frymëzimi e edukimi për brezat e pambarim të shqiptarëve.

Para botës shqiptare, në këto udhëkryqe tranzicioni, mbase një nga detyrat e mprehta del  mbrojtja dhe pasurimi i sistemit të rrezikuar të vlerave kombëtare, i cili përfaqësohej aq denjësisht nga dëshmorët e kombit. Këto vlera, me rrënjë lashtësie, që janë shkelur, por nuk janë shtypur, që janë djegur, por nuk janë zhbërë, që janë përbuzur, por janë lartësuar, në kohët tona duhet ruajtur e kultivuar, jo nga pikëpamja konservative, po dialektike, jo për hatrin e përfaqësuesve tradicionalë të tyre, por për përmbajtjen që kanë, për qenien tonë, për krenarinë dhe identitetin shqiptar.

Kadri Zeka ra dëshmor në moshë të re, për të mbetur përjetë i ri dhe përfaqësues i rinisë shqiptare e idealeve të larta të saj. Ai u ngrit si monument i kushtrimit rinor për luftën dhe sakrificën në themelet e lirisë. Kadri Zeka thërriste me tërë fuqinë e shpirtit të tij, duke treguar rrugën drejt shpëtimit: “Përvoja e gjatë historike e luftarake e ka mësuar popullin tonë se të drejtat e liritë nuk t’i fal kush,  por ato fitohen vetëm në rrugën revolucionare“.

Rënia e Kadri Zekës dhe e vëllezërve Gërvalla, ishte nga ato që ngrenë në këmbë mijëra të tjerë, duke mbajtur lart emrin e tyre si flamur betejash fitimtare. Me flamurin e lirisë dhe me emrin e Kadri Zekës e të dëshmorëve të tjerë të kombit, dhjetëra mijë luftëtarë të UÇK  së komandantit legjendar, Adem Jashari, hynë në luftën finale, për të nxjerrë përfundimisht soldateskën pushtuese serbe nga Kosova martire, që e mbajti nën thundër gati një shekull të tërë.

Jeta e Kadriut qe e shkurtër, por lavdia e emrit dhe  e veprës së tij do të jetë e përjetshme. Le t’i falemi sot, në këtë ditëlindje të gjashtëdhjetë të tij, kujtimit të jetës dhe veprës së lavdishme të Kadri Zekës!

Mehmet HAJRIZI

Më 25 prill 2013

Kontrolloni gjithashtu

Bahri Ferat Kuçi (20.4.1971 - 11.3.1999)

Bahri Ferat Kuçi (05.04.1971 – 11.3.1999)

Dëshmori Bahri Kuçi u lind më 5 prill 1971, në fshatin Lugmir (ish-Dolak) të komunës …