leoni

Prof. dr. Rexhep Qosja: Gjuha e Fehmi Lladrovcit ishte betejë

(Fjala e dr. Rexhep Qoses në 10- vjetorin e rënies së Fehmi Lladrovcit)

Më 22 shtator do të mbushen dhjetë vjet nga rënia heroike e Fehmi Lladrovcit dhe e gruas së tij Xhevë Krasniqit – Lladrovci, e Fatime Hetemit dhe e Shefqet Zekës.

Shumëçka ka ndodhur në Kosovë gjatë këtyre dhjetë vjetëve.

Kanë ndodhur bombardimet e NATO-s mbi ushtrinë dhe teknikën ushtarake serbe në Kosovë dhe në Mbetjen e Jugosllavisë;

ka ndodhur zhvendosja e rreth një milion shqiptarëve në Shqipërinë shtetërore, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Evropën Perëndimore, në SHBA-të dhe në Kanada;

ka ndodhur kthimi i numrit më të madh të këtyre të të zhvendosurve;

ka ndodhur vendosja e KFOR-it dhe e administratës ndërkombëtare në Kosovë;

kanë ndodhur zgjedhja të lira e demokratike vendore dhe të përgjithshme;

në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës ka ndodhur gjykimi i udhëheqjes kriminale të Serbisë, që kishte bërë aq shumë dhunë e krime në Kosovë dhe që kishte planifikuar të ashtuquajturin pastrim etnik të saj nga populli shqiptar;

ka ndodhur, më në fund, shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe po vazhdon procesi i njohjes së saj shtet i lirë, i pavarur dhe më vete.

Mendime të ndryshme dhe ndjenja të ndryshme e kanë përshkuar jetën tonë gjatë këtyre dhjetë vjetëve. Vuajtja e durimi, hidhërimi dhe gëzimi, humbja dhe fitorja, dëshpërimi dhe shpresa janë këmbyer në shpesh se kurrë në jetën tonë.

Koha dhe ngjarjet na kanë bindur se sa të drejtë kishin pasur dhe se sa largpamës ishin treguar ata idealistët, të cilët herët kishin filluar të besojnë e të shkruajnë se Kosova pashmangshëm do të bëhet e lirë dhe e pavarur dhe ata idealistët të cilët, mandej, kishin rrokur armët për ta bërë njëmendësi këtë besim, që atëherë dukej aq i largët, aq i pamundshëm dhe aq idealist.

Njëri prej këtyre idealistëve të fjalës dhe të pushkës, idealisti më idealist, ishte Fehmi Lladrovci me gruan e tij Xhevën.

Dhe, qe, për të e për gruan e tij, besniken e tij në jetë e në vdekje, kemi sot një vepër publicistike të madhe në disa pikëpamje: të madhe për nga vëllimi, të madhe për nga koncepti dhe të madhe për nga përkushtimi i autorit të saj ndaj figurës historike së cilës i është kushtuar ajo.

E ka shkruar shkrimtari, publicisti dhe veprimtari i njohur për pavarësinë e Kosovës, Bedri Islami.

E ka shkruar, thotë në parafjalën e saj, me një frymë, por pas mendimesh të gjata. Dhe, kjo që e thotë shihet prej faqeve të para e deri në faqet e fundit të kësaj vepre të rëndësishme për historinë e lëvizjes sonë kombëtare dhe të luftës çlirimtare. Veprat si kjo, me vlerën që ka kjo, me gjykimet, përfundimet dhe të vërtetat që sjell kjo s’ka se si të mos përgatiten gjatë, s’ka se si të mos jenë fryt i kërkimeve të gjata dhe s’ka se si të mos mbahen thellë në mendje e në zemër.

Cilësia e tyre shkencore doemos varet prej rëndësisë historike të protagonistit për të cilin shkruhen por edhe prej dhuntisë krijuese të autorit. Në veprën e Bedri Islamit, me titullin shumë të qëlluar, Përjetësia e dyfishtë, janë bashkuar të dyja: dhuntia krijuese e autorit dhe madhështia historike e protagonistit të saj.

Një jetë e jashtëzakonshme, jeta dhe lufta e Fehmi Lladrovcit, e ka gjetur jetëshkruesin e vet më të mirë. Në këtë vepër për të, Fehmi Lladrovci është parë në sfond shoqëror, politik e kulturor, në kohë të gjatë e në hapësirë të gjerë. Është përshkruar jeta e tij prej lindjes e deri në rënien heroike. Janë paraqitur vitet e fëmijërisë dhe të shkollimit të tij fillor e të mesëm në Kosovë; vitet e studimeve, të veprimtarisë politike dhe të luftës në Kroaci; vitet e burgjeve në Kosovë, në Serbi dhe në Kroaci; vitet në ekzil, kryesisht në Gjermani dhe në Zvicër; kalimet e mundimshme, tragjike, prej Shqipërisë në Kosovë dhe pjesëmarrja në luftën çlirimtare.

Jetë e shkurtër për nga koha e jetuar, por tepër e gjatë dhe tepër e pasur për nga ngjarjet dhe përjetimet.

Kur thotë se veprën e tij për Fehmi Lladrovcin e ka shkruar me një frymë , Bedri Islami sikur do të na thotë se ndaj protagonistit të tij nuk mund të ishte i paanshëm.

Dhe, vërtet, Fehmi Lladrovci nuk ishte vetje që mund të shikohej paanshëm. Për këtë jam bindur edhe vetë në takimin që kam pasur me të në Gjermani, në shtëpinë e veprimtarit shumëvjeçar dhe shumë të merituar për pavarësinë e Kosovës, Ibrahim Kelmendit, në fund të tetorit të vitit 1997. Deri atëherë, në Kosovë, në Shqipëri, në vende të ndryshme evropiane dhe në SHBA kisha takuar shumë veprimtarë të çështjes së Kosovës. Por, një Fehmi Lladrovc po takoja për herë të parë. Me kalimin e kohës kujtimet për takimet gjithkujt më pak a më shumë i zbehen, por kujtimi për takimin me Fehmi Lladrovcin jo që nuk më është zbehur, por më është thelluar më shumë në mendje e në shpirt. E kisha takuar një njeri në të cilin ishin përmbledhur disa cilësi që nëna natyrë më shpesh se ç’ia dhuron njërit i humb në shumicën. Sa bukur, sa me vërtetësi, sa përgjegjshëm, sa përkushtueshëm i përshkruan këto cilësi të Fehmi Lladrovcit autori Bedri Islami.

Duke e lexuar librin e tij ne do të bindemi se Fehmi Lladrovci shquhej me madhështinë e rrallë morale me të cilën i përvetësonte njerëzit .

Ai ishte i dhuruar me përkushtime të forta morale dhe kombëtare: me përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj lirisë në përgjithësi dhe ndaj lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, në veçanti; ndaj bashkimit kombëtar; ndaj guximit qytetar; ndaj luftës çlirimtare si mjeti i vetëm që mund të sillte çlirimin e Kosovës; ndaj së drejtës si kusht për lumturinë e sa më shumë njerëzve; ndaj së vërtetës, si vlerë që i bashkon njerëzit.

Ai e donte Kosovën me përkushtim dëshpërues dhe flijues njëkohësisht. Kosova për të ishte një gjeografi e bukur dhe një histori e lavdishme, por lavdia e saj ishte rëndë e cenuar, sepse Kosova ishte e pushtuar dhe e shtypur. Ishin tepër të rrezikuara rinia e saj, shëndeti i saj dhe fuqia e saj. Për ta shpëtuar dhe për ta bërë të denjë për jetë, thoshte ai shumë herët, duhej luftuar për të.

Dhe, Fehmi Lladrovci do të japë jetën për dinjitetin e saj.

Dhunën, shtypjen, përuljen i shihte qartë dhe vazhdimisht fliste për to me zjarr; e bënte këtë për të vetmin qëllim: për të nxitur edhe të tjerët në luftë për çlirim prej ushtruesve të tyre.

Lufta ishte elementi i tij.

Ai nuk pranonte kurrë të ishte pasiv, neutral, i durueshëm, i heshtur para të këqijave që shihte në jetën e popullit të vet. Përkundrazi: ai ishte gjithmonë veprues – me gjuhën ku ishte vendi i fjalës dhe me pushkën – ku ishte vendi i pushkës.

Gjuha e tij ishte betejë.

Ai ishte parimor deri në vetëmohim. Mbi çdo gjë shihte qëllimin drejt të cilit ishte nisur. Sikur të mos kishte qenë aq dhe ashtu parimor ai, ndoshta, nuk do të kishte rënë apo, ndoshta, nuk do të kishte rënë ashtu siç kishte rënë në luftë – pa zbatuar dredhi ushtarake dhe pa pranuar të tërhiqet nga pozicioni luftarak! Ai donte të vdiste ashtu parimshëm, siç edhe kishte jetuar. Thuhet se vdekja i barazon njerëzit. Jo. Të gjitha vdekjet nuk i barazojnë njerëzit. Rënia e tij është rënie e dallueshme: është rënie shkëlqyese, që e ngre lart heroin.

Ai shquhej me besim të jashtëzakonshëm në ardhmërinë. Besimi i tij në ardhmërinë e Kosovës ishte aq i fortë saqë nuk mund ta dobësonte kurrfarë kërcënimi, kurrfarë dhune dhe kurrfarë politike me të cilat mund të ballafaqohej.

Kur ta lexoni monografinë që përurojmë do t’ju mbesin në kujtesë edhe dy cilësi të Fehmi Lladrovcit. E para, mosdurimi për Zotëri Qyqarin, që edhe dhunën nuk ngurronte ta quante demokraci dhe për Zotëri Mashtruesin, që përdorte të gjitha mjetet për t’u ngritur lart duke ecur mbi dhembjet e të tjerëve. Dhe, e dyta vendosmëria me të cilën i thoshte ai mendimet më të rëndësishme dhe më frymëzuese. Dëgjoni sa bukur shprehet njeriu parimor, që i ka të gjitha të qarta, që është në pajtim me veten, që ka vetëm një fytyrë – historike: “Të gjitha prangat janë më të vogla se ideali i njeriut”. Ose” Aty ku bie djersa, po e lypi puna, duhet të bjerë edhe gjaku”. Ose: “Ku me e pasë atë nder me e dhanë jetën për lirinë e Kosovës”.

Dhe, njeriu më parimor, Fehmi Lladrovci, do ta mbajë fjalën: do ta japë jetën për lirinë e Kosovës.

Ky ishte Fehmi Lladrovci në jetën e përditshme dhe ky është Fehmi Lladrovci në veprën e Bedri Islamit.

E thashë se monografia e Bedri Islamit Përjetësia e dyfishtë është vepër me rëndësi të veçantë shkencore pse në të trajtohet jeta e një figure të jashtëzakonshme të historisë sonë më të re, por duhet të shtohet njëkohësisht se kjo monografi është e rëndësishme edhe pse në të flitet për ngjarje, bëma, vetje, nisma, qëndrime, për të cilat ende nuk janë dhënë gjykimet dhe vlerësimet e vërteta. Sot po botohen libra, artikuj, fejtone dhe po bëhen emisione dokumentare sidomos mbi ngjarjet dhe protagonistët e tridhjetë viteve të fundit. Në to po shkruhet e po thuhet çka është e vërtetë, por shpesh edhe çka nuk është e vërtetë. Autorët e tyre sikur po harrojnë se ende janë gjallë veprimtarë që kanë marrë pjesë në ato ngjarje, bëma, nisma, dhe që i njohin gjithë ata për të cilët flitet në ato shkrime e në ato emisione dokumentare. Po paraqitet shpesh joobjektivisht njëmendësia, po keqpërdoren të dhëna, po shtrembërohen a po heshten të vërteta, po arsyetohen të paarsyetuarat, po shpallen të merituar të pamerituarit! Po bëhen veprimtarë për pavarësinë e Kosovës njerëz që prej vitit 1981 shikonin punët e veta dhe të familjeve të veta pa u lodhur për dramat që ngjanin në Kosovë apo, madje, deklaroheshin kundër idesë së kësaj pavarësie.

Nuk ka dyshim se në shkrimet dhe në emisionet e tilla, në të cilat po falsifikohet historia jonë më e re, kur e kur po arsyetohen e po shpallen historike ngjarje, veprime dhe sjellje që, historikisht të shikuara, janë treguar kundërhistorike. Në sajë të keqpërdorimit të tillë të të dhënave, dhe të falsifikimit të tillë të të vërtetave, veprimtarët që ia kanë kushtuar jetën të sotmes së Kosovës po zëvendësohen kështu prej kundërshtarëve të tyre të deridjeshëm politikë.

Bedri Islami, në jetëshkrimin e Fehmi Lladrovcit, i ka përmbysur me të dhëna të vërteta disa prej gënjeshtrave dhe falsifikimeve që po lexojmë e po shikojmë. Por, kanë mbetur edhe shumë.

Në Greqinë e lashtë, në kohën e Homerit, rreth zjarrit të ndezur për nderim të heroit të rënë në luftë, ecnin shokët, miqtë dhe adhuruesit e tij, duke hedhur në atë zjarr të gjitha ato që i donin më së shumti: kush kalin, kush robin e kush vetveten. Nuk po kërkoj aq shumë prej shokëve e miqve të Fehmi Lladrovcit. Nuk por kërkoj aq shumë prej nesh. Mos të hedhim në zjarr asnjë nga ato që duam. Po, le të hedhin në zjarr të këqijat tona të sotme. E, kemi çka të hedhim! Korrupsionin! Krimin e organizuar! Nepotizmin! Luksin! Privilegjet e zyrtarëve!

Po, ta përfundoj këtë fjalë.

Borxhi që kemi ndaj Fehmi Lladrovcit, ndaj Xhevës, ndaj dëshmorëve nuk qëndron vetëm në ruajtjen e kujtimit, në ngritjen e shtatoreve, në akademitë e organizuara për nder të tyre, por edhe në punët tona vetjake e të përbashkëta, në përkushtimet tona ndaj së drejtës, ndaj veprimtarëve për pavarësinë e Kosovës, ndaj interesit të përgjithshëm. Dhe, t’i bëjmë të gjitha këto me qëllim që ne, zyrtarë, intelektualë e institucione, me punë e me sjellje të bëhemi të denjë për veprën e tyre historike – për idealin e Fehmi Lladrovcit e të dëshmorëve të tjerë.

Të mos harrojmë: zërat tonë për Kosovën e pushtuar dhe dhunën e ushtruar ndaj saj kanë jehuar në botë dhe me ata zëra të ngritur ne kemi kryer një mision dhe një obligim, por këtu ku jemi sot na ka sjellë gjaku i Fehmi Lladrovcit e Xhevë Lladrovcit, gjaku i gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës.

Fehmi Lladrovcin, Xhevën, gjithë dëshmorët e rënë t’i kujtojmë sot me dhembje të madhe dhe me fjalinë që përgjithmonë do të jetë e shënuar në historinë e popullit shqiptar:

Emrat e tyre dhe heroizmi i tyre do të jetojnë në shekuj.

E pakta qe mund te beje njeriu eshte te tregoi ndershmeri!

Kontrolloni gjithashtu

Bahri Ferat Kuçi (20.4.1971 - 11.3.1999)

Bahri Ferat Kuçi (05.04.1971 – 11.3.1999)

Dëshmori Bahri Kuçi u lind më 5 prill 1971, në fshatin Lugmir (ish-Dolak) të komunës …