Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka pranuar se zgjedhjet e shpeshta në Kosovë po vazhdojnë ta mbajnë të bllokuar dialogun politik mes Kosova dhe Serbia. Ajo deklaroi se Bashkimi Evropian kishte planifikuar një takim të ri në nivel liderësh mes Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq, por procesi është shtyrë sërish për shkak të zgjedhjeve të reja të parakohshme në Kosovë. “Kishim pëlqimin e të dy liderëve, nga Kosova dhe Serbia, por tani po afrohen sërish zgjedhjet në Kosovë, gjë që natyrisht e shtyn procesin”, tha Kallas para gazetarëve. Shefja e diplomacisë evropiane bëri të ditur se, pavarësisht mungesës së një takimi të ri politik, ajo po vazhdon kontaktet me të dyja palët për të shtyrë përpara zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese. Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ka mbetur praktikisht i ngrirë që nga shtatori i vitit 2023, kur u zhvillua takimi i fundit mes liderëve në kuadër të procesit të ndërmjetësuar nga BE-ja. Kallas, e cila mori detyrën në dhjetor të vitit 2024, ende nuk ka arritur të organizojë një rund të ri bisedimesh në nivel të lartë, ndërsa tensionet politike dhe ciklet zgjedhore në Kosovë po shihen gjithnjë e më shumë si pengesë për vazhdimin e dialogut.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
