Kastriot Frashëri: Krim pa ndëshkim

Kastriot Frashëri: Krim pa ndëshkim

Për White-collar crime, mirë me Piramidën por me hapësirat e saj përreth çfarë patën?

Pamjet e rënda të betonizimit dhe gllabërimit të hapësirave publike nga Mafia e ndërtimit që sjellim në vëmendje të publikut janë marrë sot në një nga zonat me arkitekturën urbane më të bukur në kryeqytet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” e cila është në grahmat e fundit të mbijetesës arkitektonike. Ky krim urban ndodh pikërisht në mjediset e ish- Piramidës, e cila sot i ka kaluar nën përgjegjësinë administrative Bashkisë së Tiranës e cila synohet se do të kthehet në një qendër të madhe për të rinjtë, kryesisht e fokusuar në arsimimin digjital, në kulturën e teknologjisë së informacionit për hapësira rinore.

 Sigurisht që nuk jemi kundër ndërtimit të një qendre të tillë, po pse në këtë farë feje dhe shëmtire urbane.

Mund të përdorej lehtësisht godina po pse vihet dorë dhe shkatërrohet hapësira e jashtme urbane me ndërtime të tilla çibanësh betoni? Ndërtimi i saj filloi në vitin 1986 dhe përfundoi në vitin 1988 duke shërbyer si një muze në trashëgiminë e Enver Hoxhës deri në vitin 1991. Nuk kam kurrfarë nostalgjie për këtë kompleks të veçantë arkitekturor të domineering nga mermeri që u përurua në 14 tetor 1988 si muzeu i Enver Hoxhës.

 Kjo strukturë e veçantë e arkitekturës shqiptare të viteve ’80 u projektua si krahë shqiponje, simbol i vetë kombit, por i dukshëm si i tillë vetëm nga lart. P

Për projektimin e saj punoi një grup arkitektësh nën drejtimin e vajzës dhe dhëndrit të Enver Hoxhës. Kjo godinë madhështore e ndërtuar me paratë e buxhetit të shtetit në vend që të përdorej ashtu siç ish në shërbim kulturës dhe institucioneve të shtetit u keqadministrua dhe u shkatërrua nga barbarët që kanë qeverisur këtë vend këto 30 vjet.

Mirë me godinën por me hapësirat e saj përreth çfarë patën? Kujt i kanë premtuar për t’ua dhënë në përdorim me formulat e tyre të dala boje që bien erë të keqe korrupsioni? Sjellim në vëmendje të publikut se autorët e këtij krimi sa urban aq edhe banditesk mbi tjetërsimin përmes grabitjes dhe shkatërrimit të pasurive publike janë zyrtarë të lartë pra janë krime të “White-collar crime” për të cilën kanë dhënë opinionin dhe dakordësinë e tyre shumë institucione përgjegjëse që të realizohej kjo fagmë e tmerrshme në qendër të Tiranës!

Po grabitja e kësaj hapësire publike nuk është e para që ka ndodhur kaq haptazi përpara dritareve të kryeministrit tone piktor që domosdo si artist nuk mund ta kuptoje dot objektin e veprës së tij pa kurrfarë hapësire, por ajo që është e papranueshme është indiferenca e të gjitha agjencive të zbatimit të ligjit dhe auditit të kontrollit të shtetit!?

Këta janë më kriminelë se vrasësit me pagesë sepse janë asgjësuesit e të gjitha hapësirave publike, planeve rregulluese dhe çdo rregullore të urbanistikës ligjore nënshkrimi i të cilëve dihet botërisht se konvertohet me mijëra euro në këmbim të kësaj firme! Kryeqyteti ynë çdo ditë e më tepër po bëhet i pajetueshëm prej tyre, nga lejet e ndërtimit dhe pazaret e tjera me në krye PPP e tyre. Këto projekte janë aty! Aty gjenden kontratat, vendimet, pazaret, autorët, projektuesit, nënshkruesit, drejtuesit e lartë karafilë dhe tyryfyçka të institucioneve të administrimit të pasurive publike, të kontrollit dhe zhvillimit të territorit, të projekteve urbane por mbi të gjithë këtë çetë të papërgjegjshmish dhe batakçinjsh, duhet të jenë institucionet e reja të Reformës në Drejtësi të cilat për të kthyer besimin e publikut tek drejtësia duhet sa më parë të çojnë këtë tufë barbarësh me byrzylykë në dorë përpara bankës së drejtësisë. Çfarë po presin? (Gazeta SOT)

Kontrolloni gjithashtu

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15.02.1961 - 20.04.2017)

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15. 02.1961 – 20. 04.2017)

Me 20 prill bëhen shtatë vite nga ikja e vëllait Remzi nga kjo botë. Gjithmonë …