Ushtria Çlirimtare e Kosovës

Kategorizohen dhe u përshkallëzohen pensionet veteranëve

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka paralajmëruar se në rend dite sot do ta përfshijë edhe amandamentimin e ligjit për veteranët, me të cilin do të bëhet kategorizimi i veteranëve dhe varësisht prej kategorisë do të përshkallëzohen edhe pensionet dhe beneficionet. Ai sot në mëngjes ka mbajtur një takim me veteranët. Me këto ndryshime, pensioni i veteranëve ndahet në tre kategori. Në kategorinë e parë përfshihen veteranët luftëtarë të UÇK-së, të mobilizuar në luftë nga viti 1991, deri më 5 mars 1998, të cilët kanë qenë aktiv deri në ditën e përfundimit të luftës. Kategoria e parë do të marrë pension mujor prej 250 euro.

Në kategorinë e dytë përfshihen veteranët luftëtarë të UÇK-së, të mobilizuar në luftë nga lufta pas datës 5 mars 1998 dhe që kanë qenë aktivë deri në ditën e përfundimit të luftës. Kategoria e dytë do të marrë pension mujor prej 170 euro.

Ndërsa, në kategorinë e tretë përfshihen veteranët luftëtarë të UÇK-së, të mobilizuar në luftë pas datës 31 mars 1999 e deri në përfundimin e luftës. Kategoria e tretë do të marrin pensione mujore prej 120 euro. Sipas këtij, amandamentimi të ligjit, pensionet do të vazhdojnë të paguhen në mënyrë të njëjtë si deri më tash, deri sa të bëhet kategorizimi nga ana e komisionit.

Buxheti i përgjithshëm për realizimin e pagesës së pensionit të veteranit luftëtarë të UÇK-së nuk mund të tejkalojë 0.7% të Bruto Prodhimit Vendor në vit. Pas pagesës së pensioneve, mjetet që mbesin pa u shpenzuar nga kjo përqindje nuk i kthehen buxhetit të shtetit, por u shpërndahen të gjitha kategorive proporcionalisht për pensionet e veteranëve. Sipas ndryshimeve të këtij ligji, pas aprovimit dhe hyrjes në fuqi, veteranët do të kenë të drejtë edhe të punojnë, por nëse punojnë nuk gëzojnë pensionin e plotë, mirëpo vetëm 50% të shumës së paraparë me ligj. Ndërsa, nëse veterani luftëtar jeton në shtete tjera, përjashtimisht shtetet fqinje, statusi i njihet, por nuk mund të jetë përfitues i pensionit dhe beneficioneve të tjera.

Gjithashtu, me këtë ligj themelohet edhe Komisioni për kategorizimin e veteranëve, duke u mbështetur në të dhënat që gjenden në dokumentet bazike mbi të cilat është bërë aplikimi dhe u është njohur e drejta në statusin e veteranit të luftës së UÇK-së. (Kosovapess)

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxhaj

Enver Hoxhaj: Nëse Kosova ka nevojë për ndryshim në 2024, duhet të shohë drejt PDK-së

Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ka bërë thirrje për një rishikim …