Brickos

Këngë historike dhe legjendare shqiptare për Luftën e Kosovës dhe Milush Kopiliqin

Në eposin epiko-heroik shqiptar, këngët për Luftën e Kosovës, janë të shumta dhe të thurura me një mjeshtëri të veçantë artistike. Edhe studiuesit serbë, si Bajraktareviq, Glisha Elezoviq e të tjerë kanë pranuar se variantet shqiptare vende-vende janë më të spikatura se sa variantet e ngjashme  serbe.


Kemi shënuar për fillim këngën më të shkurtër, por shumë kuptimplote për Luftën e Kosovës, e cila ka disa veçanti krijuese tipike që nuk i gjejmë në variantet e tjera, por as në krijimet popullore serbe, të cilat po ashtu janë të gjata, me përsëritje të shumta dhe me përmbajtje kryesisht mitike.


 


Kjo Kosovë vdekjen ta ban dasëm


 


Paska ardhë ai sulltan Murati,


Yjtë në qiell dritën e kanë ndalë,


Diell e hanë në det qenkan mbytë.


Shum asqer sulltani ka bashkue,


Për Shqipni, ai, i paska fillue


Ka marrë Shkupin, ka marrë Selanikun,


Krej në gjak e lau Kaçanikun.


Në Prishtinë sulltani ka ndalue


Aty ishte trimi, Milush Kopiliqi


Ti qi je or Milush Kopiliqi


A don armët ti me i dorëzue,


Ja Kosovën krejt kam me farue?


Thotë Milushi,-qysh po më thoni, vllazën?


Kjo Kosovë, Murat, vdekjen ta ban dasëm!


Në pancir Milushi rrobat i ka veshë


S dalke topuz në to për mu ngulë,


S dalke shpatë Milushin me pre.


Te sulltani Milushi ka msy


Në Fushtë të Kosovës kanë mbetë të dy


Njani pllumb e tjetri asht ba korb


Mbi Kosovë atë ditë e deri sot.


(Këngë popullore për luftën e Kosovës, e kënduar në Festivalin e Gjirokastrës më 1988. Variant, nga Motrat Krasniqi)


 


Kjo këngë e kënduar nga këngëtari anonim popullor, sa do që duket fragmentare, është një krijim realist autentik i përmasave të rrëfimeve homerike. Edhe pse fragmentare dhe kjo këngë pasqyron elementet qenësore të ndeshjes së dy botëve kundërshtare. Nga fragmentarizmi mbizotërues në këtë krijim popullor, arrijmë të kuptojmë se kënga dikur ka qenë e ngjeshur edhe me përshkrime të tjera, ndërsa vargjet e mbetura sajojnë një përmbajtje impozante me shumë elemente sintetizuese.


Rrëfimi i kësaj ngjarjeje të mirënjohur historike vetëm me 21 vargje të bën përshtypje për të menduar se nga tërësia e dikurshme ka mbetur vetëm skeleti, i cili i ka përballuar kohës qindra vjet.


 


Kënga për Luftën e Kosovës, e shënuar nga profesor Anton Çetta, kënduar nga këngëtari Halim Dauti i Shalës së Bajgorës në vitin 1954, të cilën ai e kishte mësuar nga këngëtari i mirënjohur i epikës legjendare Maliq Zhabari, botuar në (Gjurmime albanologjike 1962 në Prishtinë faqe: 263-275,). paraqet një variant interesant sa i përket figurës së Milush Kopilit. Në kohën kur mbreti Llazar së bashku me dy dhëndurët kishte marrë lajmin për arritjen e ushtrisë së Sulltan Muratit në Kosovë, që të tre hipin në bjeshkë të Shalës dhe me serçali durbi shikojnë formacionet gjigante të ushtrisë aziatike.


 


Krejt Kosova mbush me çadra t’ mbretit


 


…Me ba njeri gjilpanën me lshue,


N‘ tokë gjylpana nuk kish për me ra.


Kqyr shka thojke, knez Llazari i moçëm


Pasha nji Zot mue qi më ka falun,


Unë do të shkoj sulltanit me ju dorëzue,


S ma merr mendja me ta me luftue!


Kqyr shka thojke Vuko Brankoviqi,


Unë do të shkoj, turk po du mu bamun,


Kqyr shka thojke Milosh Kopiliqi,


Pasha nji Zot mue qi më ka falun


Kurrë un’ turk nuk kam për m‘u bamun


As n‘ dynja, pa dekë, nuk dorzohem!



Fragment nga kënga shqiptare për Luftën e Kosovës, vepra e cit, f.263-275.)


 


Rrëfimi gojor shqiptar mbështet pa rezervë Milush Kopiliqin. Edhe në momentin dramatik, kur krerët ushtarakë të Aleancës marrin qëndrim për të sulmuar ushtrinë turke, hetohet mëdyshja e mbretit Llazar e sidomos mëdyshja dhe frika e Vuk Brankoviqit. Sipas përmbajtjes që na rrëfen memoria kombëtare për Luftën e Kosovës, pasi mbreti Llazar provon epërsinë morale dhe epërsinë në numër të ushtarëve turq, dhe duke qenë se konsideron të pamundshme fitoren kundër ushtrisë armike shumë më të madhe në numër, ai shkruan një letër dhe ia dërgon sulltanit;


 


 


Menjiherë letrën mbretit ja ka que,


Unë ty, mbret du me t u dorëzue,


Edhe raje unë due me mbetë!


Kqyr çka bajke Vuku, Brankoviqi,


Edhe ai letrën mbretit po ja qojke


Prej sot turk, unë du me t u bamun,


Vetëm guhen mue mos ma prish,


Ashikinë mue me ma lanë…


Kqyr shka thojke Milush Kopiliqi,


Ndigjo kha mor, Vuko Brankoviqi,


Pa ndigjo ti mbret, o dielli ynë!


Ju tradhtar mue më kini thanë,


Sot po e shihni Milush Kopiliqin,


Sot po i dal un‘ mretit në mejdan.


 


… Kqyr shka bajke Milosh Kopiliqi


Ma shtëngojke ai kalin me lara,


Në kmishë të çelikut ai koka farkue


Marrke rrugën drejt në Kosovë ka shkue


N‘ Fushë të Kosovës ai dalke n‘ mejdan…


Po aty…


 


Varianti i këngës për Luftën e Kosovës të vitit 1389, kënduar nga rapsodi shqiptar, Hamëz Xhemë Bojkoviqi


 


Varianti më i fuqishëm për nga përmbajtja dhe më i ndërtuari astistikisht për Luftën e Kosovës, është shënuar nga studiuesi serb Glisha ( Gligorije) Elezoviq, në rrethana paksa të çuditshme. Duke qenë në njohuri se këngët për Luftën e Kosovës ishin shumë të përhapura te shqiptarët, Elezoviq kishte dëgjuar për një rapsod që ndodhej në burg, i dënuar me vdekje nga regjimi serb. I kishin thënë se rapsodi Hamëz Xhemë Bojkoviqi këndonte variantin më të plotë të kësaj kënge. Ai merr leje nga autoritetet e burgut dhe kontakton rapsodin shqiptar, asokohe rreth shtatëdhjetëvjeçar, i lindur mbase rreth vitit 1860. Ai pranon t‘i ia rrëfejë tekstin e këngës, ”daskalit serb”, pa pasur mundësi ta përcjellë me lahutë apo çifteli. Elezoviq shënon 513 vargjet epike heroike të këngës, i vetëdijshëm se teksti nga ana artistike stilistike kishte pësuar shumë në mungesë të përcjelljes me ndonjë instrument. Duke folur për mënyrën si e kishte shënuar këngën Elezoviq thotë:


( Visaret e Kombit I Shtypshkronja Nikaj, Tiranë, 1937. fq. 18.)


Rrëfimi për Luftën e Kosovës në këtë këngë, sipas studiuesit Elezoviq, është më i fuqishëm se variantet homonime serbe. Elezoviq ka konstatuar kështu, por nuk ka bërë krahasime dhe nuk i ka shqyrtuar veç e veç motivet e kësaj kënge, e cila pa dyshim se mbetet krijimi popullor më i përmbaruar për Milush Kopiliqin dhe për Luftën e Kosovës të vitit 1389.


Në mënyrë që lexuesi të ketë sa më shumë të dhëna për kryetrimin e Drenicës, Milush Kopiliqi, po marrin në shqyrtim dhe po i analizojmë të gjitha vargjet ku spikatet figura dhe veprimet e këtij trimi të mesjetës. Kjo këngë është botuar në numrin e parë të vëllimit Visaret e Kombit në Tiranë, në vitin 1937, në vigjilje të shënimit të 550- vjetorit të kësaj beteje.


 


 


 


1. Betimi i Milush Kopiliqit


 


Milosh Kopiliqit ( mbreti) letër i ka çue,


Drynat e nantë kralave, ti, me mi dorëzue,


E teslim me m’i ba mue,


Ose kemi me luftue,


Ose luftë unë me ty kam.


Letra Miloshit po i shkon,


Mori letrën Miloshi po e k’non,


Kqyr grueja çka i ka thanë:


Ç’ ka Milosh letra shka po t’ kallxon?


E Miloshi letrën ja ka kallxue:


Sulltani thotë n’ Kosovë na ka ardhë,


Ai po lypë me ne me luftue,


Edhe hallit nuk di si t’ ja bajmë.


Gruaja mendjelehtë, Vukosava, e bija e prijësit Llazar, e qesëndis burrin duke e mburrur dhe duke i thënë se as mbreti i Turkisë nuk ka çka të bën. Milushi hidhërohet, dhe sipas këngës i jep grusht të fortë bashkëshortes duke ia thyer disa dhëmbë. Pa vonuar niset për në Pejë ku asokohe ndodhej prijësi Llazar, vjehrri i Milushit.


Shpejt Miloshi koka çue


Se në Pejë ai paska shkue,


Aty kralit i ka kallxue


Në Prishtinë Sulltani ka ardhë,


Luftë po lypë, ti qysh po thue,


Qysh po thue, kralit i ka thanë,


Kqyre krali çka i ka thanë


Ma mirë na bjen me u dorëzue


Se me ta nuk mujmë me luftue


Ai Miloshi çka ka thanë:


Kurrë teslim unë nuk i bahna


Pa e therë tybe s’ kam me e lanë!


( po aty fq 13.).


 


2. Milushi mashtron Llazarin


 


Në vazhdim të kësaj kënge epike heroike, këngëtari popullor rrëfen se si prijësi Llazar do të hulumtojë moralin e luftëtarëve të ushtrisë së Sulltanit. Ai, nga dervishët dhe njerëzit e vet kishte mësuar se ushtria turke ishte e moralshme. Andaj urdhëron prijësit të zgjedhin 30 vasha të reja dhe të bukura, nga të gjitha krahinat e Drenicës dhe të Kosovës, t’i veshin me rroba të teleisura në ar dhe serm, të cilat do të shkojnë dhe të futen në taborret e ushtrisë së sulltanit. Milushi e përcjell situatën nga afër. Pas tri ditëve, në kohën kur 30 vajzat kthehen nga taborret e ushtrisë turke, Milushi me disa ushtarë të tij besnikë, iu del në rrugë dhe i pyet se si janë trajtuar nga ushtria turke. Vajzat tregojnë se askush nga ushtarët nuk i kishte prekur. Ato kishin qëndruar kot, dhe nuk e kishin tërhequr vëmendjen e ushtarëve. Milushi, i cili me çdo kusht donte ta fuste në luftë prijësin Llazar dhe ushtrinë aleate të ballkanasve, iu thotë 30 vajzave:


Na te krali kur të shkojmë,


Po batë drejt ju me i kallxue


T’ tanave kryet kam me jau shkurtue,


Por ju kralit keni me i thanë:


Dergjë e madhe asqerit i ka ra,


Ishin lodhë të tanë me dekë,


Ne asqeri na ka kapë,


Edhe paret na i ka marrë…


Bashkë me to Miloshi te mbreti ka shkue.


Qysh ish Turku oj çika i ka pvetë:


Aty çikat çka i kanë thanë:


Dergjë e madhe iu kish ra, Ishin lodhë asqeri me dekë,


Edhe neve na kanë kapë,


Edhe dukatin na kanë marrë.


 


Intriga që kishte përgatitur Milush Kopiliqi, na jep të kuptojmë jo vetëm urrejtjen që shprehte ai kundër ushtrisë invaduese turke, por edhe dëshirën e madhe që të nxiste prijësin Llazar dhe aleatët ballkanas për luftë.


Motivi i Milush Kopiliqit për të luftuar kundër turqve, sipas përmbajtjes së kësaj kënge është i veçantë dhe në asnjë nga këngët e tjera nuk është interpretuar decidivisht. Atë e quajnë tradhtar, ndërsa ai ishte tepër sedërtar për të pranuar atë përbuzje. Ai kishte kërcënuar vajzat se do t’ ua shkurtonte kokat po t‘i tregonin drejt mbretit, nga frika se Llazari do të dorëzohej pa luftë. Milushi e dinte se ushtria turke ishte e fortë, e moralshme dhe më e madhe në numër. Ai, ishte një trim popullor shqiptar që nuk e pranonte përuljen, teslimin, e as përbuzjen dhe intrigat që kurdiseshin nga princërit e korruptuar dhe qyqarë të asaj kohe. Fiksionit të tij për ta vrarë sulltan Muratin fillimisht askush nuk i beson, edhe pse në darkën e fundit të princave më 14 qershor të vitit 1389, prijësi Llazar, vjehrri i tij, i kishte dhënë për të pirë verë nga kupa e tij e artë dhe i kishte thënë:


-Pi nga kupa ime edhe pse po të thonë tradhtar!


 


3. Milush Kopiliqi therr me hanxhar Sulltan Muratin


 


Gjithnjë duke interpretuar këtë variant të këngës shqiptare për Luftën e Kosovës, këngëtari popullor rrëfen momentin kritik kur Milush Kopiliqi ishte dukur te çadrat e Sulltan Muratit, në kohën kur ende nuk dihej finalja e betejës, ndërsa binin kokat e ushtarëve të palëve ndërluftuese. Këngëtari popullor shqiptar Hamëz Xhemë Bojkoviqi në variantin e kësaj kënge nuk përshkruan mënyrën e depërtimit të Milush Kopiliqit në kapim armik. Ai në një moment të caktuar ndodhet para çadrave të mbretit dhe i drejtohet sulltanit, i cili qëndronte në pëlhurat e tij të buta, i freskuar me ajrosje nga hyzmeqarët:


E Miloshi te mbreti ka shkue,


Çojke kambën mreti me ja dhanë,


Hanzxhar mretit Miloshi i ka ra,


Dekun n vend mretin e kish lanë


Mirë atkijes në shpinë i ka ra


Ka marrë udhën edhe ka tfillue,


Shumë asqeri mbrapa po e ndjekin


Nuk po mujnë Miloshin me pre


( po aty fq.16.).


 


Zbulimi i fshehtësisë së paprekshmërisë fizike të Milush Kopiliqit nga një “shkinë plakë”


Rapsodi martir, Hamëz Xhemë Bojkoviqi shtjellon edhe fundin tragjik të heroit të tij. Milushi, sipas tij, ishte trim mbi të gjithë trimat. Ai kishte veshur rroba në pancir hekuri. Edhe ati i tij ishte farkuar në pancir, kështu që ai bënte kërdinë mbi ushtarët turq të cilët e ndiçnin, por nuk arritën ta therin. Në një moment të caktuar ushtarëve turq iu drejtohet një shkinë plakë, e cila iu bën me dije se Milushi është i paprekshëm në çdo pjesë të trupit por e meta e fshehtësisë ishte thembra e këmbës së atkijës së tij. Po të goditej në thembër, atkija do të përplasej për tokë, ndërsa Milushi mbante në mustaqe çelësat e rrobave të hekurta.


Ja si e rrëfen këngëtari popullor fundin tragjik të Milush Kopiliqit


 


Shumë asqeri mbrapa po e ndjekin…


Po mundohen Miloshin me pre,


Nuk po mujnë ata për me pre,


Kur po shkojnë në Babimos


Nji shkinë plakë turqit e kanë gjetë,


Ata shkinës i kanë kallxue,


Ata shkinës i kanë thanë,


Miloshi, Sulltanin na e ka therrë,


Nuk po mundemi Miloshin me pre.


Aty shkina çka ju ka thanë,


Ju Miloshin nuk mundeni me e pre,


Se i veshun në hekur ai asht,


Edhe atkinë veshun n’ hekur e ka,


N’ thundër të kambës atkinë ju me pre,


Atëherë Miloshin ju të gjallë e zini,


Ju si n mujshi Miloshin me nxanë


Çelësat e rrobeve n’ mustaqe i ka…


( po aty fq.17.)


 


Këngëtari popullor Hamëz Xhema, ndër të tjera, në këngën të cilën nuk e kishte hartuar vetë, por e kishte mësuar në fëmijëri nga rapsodët, ka veçuar këtë element të tradhtisë që një shkinë plak i bën kryetrimit të Drenicës dhe të mbarë Kosovës. Ajo rrëfen fshehtësinë e Milushit, dobësinë e vetme, ashtu sikur ishte thembra e Akilit në Iliadën e Homerit. <


Pasi turqit e zënë Milushin, ai kërkon nga ata që ta takojnë me plakën, e cila ka rrëfyer fshehtësinë e fuqisë dhe të mos zhdukjes së tij. Në çastin kur ia afrojnë shkinën plakë, edhe pse me duar të lidhura, Milushi e kafshon plakën tradhtare, së cilës ia nxjerrë shpirtin.


Tradhtia, që i bën një shkinë plakë heroit të Luftës së Kosovës, vullnetarisht, pa qenë e kërcënuar nga ushtarët turq, zbulon zemërligësinë mbase edhe urrejtjen e saj, meqë Milushi i përkiste një etniteti tjetër. Përse do ta bënte tradhtinë shkina plakë, nëse Milushi do të kishte qenë serb? Jo rastësisht këngëtari e veçon përkatësinë etnike të një plake. Në variantet e tjera shënohet një hallë plakë. Ky element është i njohur edhe në këngën serbe për Luftën e Kosovës, por aty përmendet një plakë shpirtkeqe e cila rrëfen fshehtësinë, pa dhënë hollësi për përkatësinë e saj në pikëpamje etnike. Sa do që ky detal duket spontan, ai zbulon në mos më shumë urrejtjen që kishte një pjesë e njerëzve të asaj kohe për veprën heroike të Milush Kopiliqit.


Në vjeshtë të vitit 1912, derisa forcat okupatore serbe kishin pushtuar Elbasanin, kapiteni serb Çajkanoviq ndër të tjera ka shënuar: Derisa po qëndroja me togën time në rrethe të Elbasanit, vendësit më dëftuan se aty, në një vend afër Elbasanit ishin disa shqiptarë që mbaheshin se ishin pasardhës të Milosh Obiliqit…


( Visaret e Kombit I, Tiranë, 1937, f.12.)


 


Përmbajtja dhe motivet mjaft autentike që ofron ky variant i këngës, është njëri ndër krijimet më të spikatura të këngëve për luftën e Kosovës. edhe sipas supozimit të studiuesit serb Gligorije Elezoviq. Subjektin e këngës e kishte rrëfyer një shqiptar i dënuar me vdekje, për kundërvënie forcave pushtuese serbe. Megjithatë, ai kishte pranuar të rrëfente historinë e Milush Kopiliqit, i bindur se po e rrëfente historinë e të parëve, ashtu sikurse e kishte mësuar nga rapsodët.


Rapsodi Hamëz Xhema ka rrëfyer variantin më autentik të shënuar dei tani. Simpatia e tij për bëmat e Milush Kopiliqit, është pjesë e mbamendjes historike shqiptare, është pjesa më e dhembshme e saj, pjesa e rrëfimit që kurrë nuk e harroi mbamendja e popullit.


 


 


4. Të dhëna të tjera për Milush Kopiliqin


 


Në Drenicë prej shumë vjetësh e shekujsh ekziston fshati i quajtur Kopiliq. Në saje të konfiguracionit dhe shtrirjes gjeografike fshati është i ndarë në dy pjesë. Në pjesën e sipërme dhe në atë të poshtme. Kopiliqi i Epërm dhe Kopiliqi i Poshtëm. Shqiptarët e Drenicës pa kurrfarë rezerve pranojnë përkatësinë shqiptare të trimit të tyre Milush Kopili, i cili e ka vrarë Sulltan Muratin. Në Kopiliq ruhen edhe shumë emërtime vendesh që lidhen me heroin e mesjetës si: Mullini i Milushit, Livadhet e Milushit, Kodra e Milushit e të tjera.


Bedri Tahiri Përtëritja rrëfime Prishtinë 2002, f.12.)


 


Në këtë truall, te shqiptarët, paralel me këngën, organikisht jetojnë edhe një sërë legjendash, kujtimesh, toponimesh etj. Sipas legjendës popullore: “Miloshi ka pas lindur në Kopiliqin e Epërm, por më vonë është vendosur në Kopiliqin e Poshtëm”. Pleqtë e Drenicës tregojnë se “Milosh Kopiliqi â kanë prej ktuhit” (Drenicës). Ata vënë një vijë të qartë demarkacioni: “Car Lazari â kanë i serbëve, Milosh Kopiliqi i yni”; “Milosh Kopiliqi â kanë më i madhi kreshnik i shqiptarëve në luftën e Kosovës”. Në Kopiliq të Poshtëm ka vende që quhen: “Te trolli i Miloshit”, “Veneshta e Miloshit”, “Te kisha e Miloshit” etj. Në Sallabajë gjendet “Vorri i Milosh Kopiliqit”. “Miloshi e mbante ushtrinë në pyjet e Çiçavicës e të Kukës” (pyje të Drenicës). “Car Lazari… venin e tij e ka pas kah Kraleva dhe jo në Kosovë”. Qerim Dalipi.


 


Mbështetur në burimet nga terreni që ka sjellë në librin e tij, studiuesi i mirënjohur i Drenicës, Ibrahim Çitaku, në monografinë “Drenica”, botim i vitit 2004, thuhet se fshati Kopiliq, i cili shtrihet 13 kilometra në perëndim të Skënderajt, dallohet për lashtësinë e begatshme, e cila ruhet në toponime dhe legjenda. Ai përmend toponimet “Bunari i Milleshit”, “Kroni ne dy Krena”, “Fusha e Sharanit”, “Varret Llatine”, “Ara e Kishës” etj.


Sa i përket “Bunarit të Mileshit (Milushit) ekziston bindja se ky emër pusi lidhet me kryetrimin e Mesjetës  Milush Kopiliqin. Përtej lumit  gjendet ara e Kishës dhe kjo ka lidhje me vendlindjen e Milushit.


Në vitin 1985 në arën e Imer Smajlit nga ky fshat u gjend një gur i gdhendur me dimensione 1.20 me 165 cm. dhe u dërguar në oborrin e Shtëpisë së Kulturës në Skënderaj ku ndodhet edhe tani.


 


Banorët e Kopiliqit janë vendës të hershëm të cilët nuk dinë për kurrfarë shpërnguljeje. Ata kanë ruajtur nga brezi në brez rrëfimin për trimin e tyre dhe të tërë Kosovës. Këngët më të përkushtuara për luftën e Kosovës dhe për Milush Kopiliqin janë shënuar pikërisht në Kopiliq, në Polac e fshatra të tjera të Drenicës. Banorët e këtij fshati në mesjetë ishin shqiptarë të krishterë, të cilët kah fundi i shekullit të 18 kaluan në fenë isalme, por kurrë nuk e mohuan përkatësinë e tyre të vjetër. Deri në gjysmën e parë të shekullit të njëzet banorët e Kopiliqit ashtu sikurse edhe banorët e krejt Drenicës i kanë shënuar festat tradicionale të krishtera si: Shën Gjergjin, Shën Mitrin, Shën Markun, Ditën e Aligjynit, Bozhiqin e festa të tjera. Këto festa të krishtera janë të emërtuara në një shqipe të pastër, dhe janë festa tradicionale të shqiptarëve ortodoksë që ende ruhen te vëllezërit e tyre ortodoksë në Shqipëri e gjetkë.


As para shkenca tendencioze serbe nuk e mohon mundësinë që Milush Kopiliqi të ketë qenë banor vendës i Kopiliqit. Në praktikën shqipfolëse, burri i cili ka bërë emër për trimëri apo mençuri thirret në emër të fshatit apo të krahinës si Leka i Dukagjinit, Azem Galica. Kjo formë identifikuese nuk është aq e pranishme ndër serbë, edhe pse nuk përjashtohet mundësia që në mesjetë të ketë qenë e pranishme, nën ndikimin e popullatës shumicë shqiptare.


Milush Kopiliqi, ishte fëmijë jetim të cilin nga mëshira për ta shpëtuar, e mori dhe e rriti Mbreti Dushan, thotë rrëfimi shqiptar, të cilin nuk e kundërshton as rrëfimi serb. Milushi mbeti kundërshtar i rrethit në të cilin ishte rritur. Atë e quan gjakpërzier, tradhtar, dhe si të tillë, të përbuzur pa shkas, nuk e duronte vjehrri as miku, as prijësit e tjerë të krishterë. Ai kishte një origjinë të panjohur dhe për më keq ishte i etiketuar si bir i një nëne të çuditshme, uloke.


Milush Kopiliqi gjithnjë sipas rrëfimeve shqiptare dhe sllave, ka qenë trim, kryengritës, në pamje, sipas rrëfimeve popullore ishte shtathedhur, tejet i zhvilluar fizikisht, i aftë në përdorimin e shpatës dhe kalorës shumë i përgatitur në fushën e artit luftarak. Këto cilësi ia njeh edhe historiografia turke, evropiane dhe botërore. Ai ishte kalorës i veçantë edhe në pikëpamje të përgatitjes së tij luftarake. Kur kishte vendosur të depërtonte në kampin armik, paraprakisht ishte kalitur te armëpunuesit në parzmore hekuri. Po në parzmore hekuri kishte farkuar edhe kalin.


Duke përshkruar figurën e këtij kalorësi trim, e sidomos pajisjet e tij luftarake të hekurta, historiani i mirënjohur i Perandorisë Otomane, austriaku Josef Von Hammer, thotë se Milush Kopiliqi ( pas vdekjes) ishte më i lavdëruar ndër turq se sa ndër serbë. Rrobat e tij, shpata dhe parzmorja e çeliktë ruhet në muzeun e Stambollit (Hammer…Historia e Perandorisë Otomane f 75… 76).


Duke folur për eposin popullor shqiptar të luftës së Kosovës, studiuesi i mirënjohur serb, Glisha Elezoviq, ka pranuar se motivet e eposit shqiptar për luftën e Kosovës, e në veçanti për Milush Kopiliqin janë shumë më të forta dhe më tipike se sa këngët dhe rrëfimet serbe. Ai ishte habitur kur kishte shënuar Këngën e Luftës së Kosovës, në burg, nga një kryengritës shqiptar i dënuar me vdekje nga regjimi në kohën e pushtimit serb të Kosovës. Elezoviq kishte shënuar variantin më të plotë dhe më të sintetizuar deri atëherë në një këngë të vetme me motiv nga lufta e Kosovës e vitit 1389.


Vështirë se mund të mohohet përkatësia shqiptare e Milush Kopiliqit. Këtë nuk do ta mohonte asnjë studiues objektiv qoftë serb, kroat apo bullgar, sepse të gjitha të dhënat, emri mbiemri, jeta e tij, karakteri kryengritës, mospajtimet që kishte me miqtë sllavë, tregojnë se ai ishte diçka tjetër në gjak, por i njëjtë në fe, mbase edhe në gjuhë, meqë gjuhë e fronit mbretëror dhe gjuhë e predikimeve fetare në kishë ishte gjuha greke e pak më vonë edhe gjuha e vjetër sllave.


Studiues të historisë shqiptare nuk e kanë studiuar si duhet dhe sa duhet jetën dhe veprën e Milush Kopiliqit për shumë arsye. Në radhë të parë, historiografia jonë ka filluar të shkruhet pas historisë sllave, serbe greke e bullgare. Si e tillë ajo ka trashëguar të dhënat nga këto burime, të cilat trimin më të njohur të mesjetës e trajtojnë me përkatësi serbe. Të tillë e trajtonte dhe ende e trajton edhe historiografia e përgjithshme e krishtere evropiane. Miti serb për Milosh Obiliqin ka pësuar tronditje të shumta dhe falsifikime pikërisht nga kisha shënsaviste serbe. Edhe pse historiografia turke dhe përgjithësisht burimet e mesjetës heroin e luftës së Kosovës e njohin me emrin Milush Kopiliq, ose Bilesh (Milesh) Kopil, sikur e quan historiani turk, Ashik Pashazade ( Lufta shqiptaro- turke, në shekullin 15. Tiranë 1968. f 55). serbët mbiemrin e tij, mbase për shkak të kuptimit pezhorativ e kanë konvertuar në Milosh Obiliq, bazuar në emrin e një vendbanimi afër Prishtinës, apo afër vendit ku mendohej se ishte zhvilluar Beteja e Kosovës. Serbët, në kohën kur i kanë bërë këto ndërrime si duket nuk kanë pasur të dhëna mbi përkatësinë e vërtetët të Milush Kopiliqit, ose konvertimin e kanë bërë me qëllim të falsifikimit.


Në rrëfimet epike legjendare shqiptare nuk është shënuar asnjëherë trajta e konvertuar sllave, por është ruajtur emërtimi burimor, nga antroponimi Kopil, trajta sllavofone Kopiliq me prapashtesën sllave -iq.


Përkatësia e gjuhës dhe e racës së Milush Kopilit asnjëherë nuk ka qenë objekt i studimeve të thella shkencore. Edhe pse kemi të bëjmë me një personazh historik, edhe pse kemi të bëjmë me një luftëtar ( të mirënjohur) uniforma e luftës, shpata, parzmorja e të cilit së bashku me pajisjet e kalit të tij ruhen në Muzeun e Stambollit.


(J.V Hammer, vepra e cituar f. 76.)


 


Kjo figurë impozante dhe tejet e rëndësishme e historisë së Ballkanit dhe të Evropës, duket sikur për një qëllim të caktuar iu ka lënë mëshirës dhe mjegullës mitologjike. Historiografia serbe nuk ka bërë përpjekje për të aktivizuar ndonjë ekspeditë shkencore në terren, veçmas në Drenicë, për të mësuar të vërtetën për Milush Kopiliqin. Ky fakt tregon mungesën e interesimit të tyre të mirëfilltë shkencor për ta ndriçuar këtë figurë tejet të rëndësishme të së kaluarës, apo zbulon edhe frikën e arsyeshme se rezultatet e ekspeditës mund të zbardhin fakte që dëshmojnë përkatësinë e tij të vërtetë.


Historiografia jonë në këtë drejtim është treguar tejet indolente, edhe me faktin se ajo vuan nga shumë mani të natyrës ideologjike dhe fetare. Përkatësia e krishtere e Milush Kopiliqit, ose fakti se ai e mbyti me hanxhar sulltan Muratin, fenë e të cilit më vonë në rrethana të caktuara e pranoi shumica shqiptare, nuk janë fakte të qëndrueshme, për të mos gjurmuar përkatësinë shqiptare ortodokse të Milush Kopiliqit, i cili është personazh tejet i rëndësishëm i mbamendjes tonë popullore, prezent në eposin heroik dhe në kujtesën e popullit.


E kaluara fetare shqiptare nuk do të duhej të ishte kurrfarë pengese për të pranuar të vërtetën lidhur me përkatësinë e dikurshme të shqiptarëve. Shqiptarët nuk kanë ardhur nga Azia as nga Karpatet. Ata kanë qenë dhe janë vendës, janë populli i dytë pas helenëve që e pranoi krishterimin qysh në periudhën e parë të përhapjes, në periudhën e quajtur apostolike. Shqiptarët në përgjithësi si të krishterë kanë gjalluar më shumë se 1700 apo 1800 vjet. Pjesa tjetër pakicë ortodokse dhe katolike ende gjallon me përkatësinë e dikurshme fetare. Dhe pikërisht për këtë shqiptarët kanë nivelin e lartë të kulturës së tolerancës fetare.


Të gjitha aspektet studimore, duke filluar nga këngët popullore, fragmentet e mjaftueshme nga historia turke, serbe, shqiptare dhe evropiane përgjithësisht, japin informacione të mjaftueshme për ta ndriçuar personazhin e Milush Kopiliqit në të gjitha segmentet hulumtuese. Faktet, që duhet të kihen para sysh me rastin e gjurmimeve të tjera në lëmenj relevantë shkencorë për këtë trim të mirënjohur të së kaluarës, janë të shumta. Milush Kopiliqi është personash realist i historisë, i tillë si Skënderbeu, Lekë Dukagjini apo Gjergj Ballsha. Shënimet historike, për këtë trim të Drenicës të kohës së mesjetës nuk mungojnë. Prezenca e tij në këngët heroike historike shqiptare, dhe jo vetëm shqiptare, gjallon edhe sot. Dihet fshati ku ai ka lindur. Gjurmët toponimike të pranisë së tij fizike në Kopiliq janë ruajtur deri në ditët tona. Milushi, sipas burimeve të vërteta historike nga kronikat turke, ishte i vetmi ndër princërit e rangut të lartë që depërtoi në fushën e betejës në kampin armik, i vetmi që ishte betuar se do ta vriste sulltan Muratin dhe besën e dhënë e çoi në vend, sepse përkushtimi për ta çuar në vend besën, ishte përkushtim tipik i njeriut të racës shqiptare.


Thellimi i studimeve në këtë segment do të qartësonte mjegullën mesjetare, të cilën e ka shkaktuar mitologjia serbe. Ajo, me apo pa qëllim, për Milush Kopiliqin ka dhënë informacione të gabuara për përkatësinë fetare, klasore dhe etnike, në kuptimin mesjetar të fjalës.


Zbërthimi i përkatësisë etnike të Milush Kopiliqit, përveç tjerash i vetëdijëson serbët e shekullit 21 se Kosova ka qenë, është dhe do të jetë në radhë të parë shqiptare. Se, kryetrimi i mesjetës dhe më trimi ndër princërit e aleancës së krishterë nuk ishte serb, por shqiptar ortodoks i fshatit Kopiliq të Drenicës, i cili u rrit në pallatin e mbretit Dushan për shkak se ishte fëmijë i mbetur bonjak.


Shumica shqiptare në të kaluarën në rrethana të caktuara dhe të njohura ka hequr dorë nga feja e krishterë, por kurrsesi edhe nga tradita historike mijëvjeçare e krishterimit dhe e ngjarjeve të së kaluarës historike. Edhe pas pranimit të islamit shqiptarët e luftuan sundimin turk dhe klasa e shqiptarëve liridashës asnjëherë nuk u pajtua me robërinë, për hir të fesë së përbashkët me turqit.


Aktualisht shqiptarët e Kosovës nuk do të lejojnë të mbesin peng i një historie të falsifikuar, sikur është historia e mitizuar serbe, një histori që ka mbjellë urrejtje, ndasi, përçarje, luftë e shkatërrime ndër më mizoret.


Ndriçimi i gjithanshëm i figurës së Milush Kopilit do të ishte një argument tjetër i pakontestueshëm, për të dëshmuar para tërë botës se e drejta e ashtuquajtur historike e serbëve për Kosovën, nuk është e drejtë e natyrshme, por një falsifikim që mbështetet pikërisht në historinë e mesjetës dhe pikërisht në personazhin e Milush Kopiliqit, trashëgimtarët e të cilit, sipas të gjitha gjasave janë banorët e sotëm të Kopiliqit të Drenicës.


Rikthimi në vendin e merituar, rikthimi në panteonin e trimërisë tradicionale të këtij princi me gjak arbri, është detyrë e historianëve dhe e studiuesve edhe të lëmenjve të tjerë relevantë, sepse trimëria fenomenale e Milush Kopiliqit e kryer më 15 qershor të vitit 1389, në Fushë të Kosovës, pas 589 vjetësh më 5.6.dhe 7 mars të vitit 1998, shpërtheu në kullën e Jasharëve në Prekaz, jo shumë larg fshatit Kopiliq. Kjo përsëritje ciklike e historisë, në esencë është e njëjtë, por e ndodhur në kushte dhe rrethana të tjera historike. Sfida dhe sakrifica që bëri kryetrimi i Shqipërisë së kohës sonë Adem Jashari, kundër pushtuesit serb, tregon se kush ka sakrifikuar dikur dhe sot, për të mbrojtur këto troje.


 


 


 


Kënga e Luftës së Kosovës, kënduar nga Hamëz Xhema


 


( Pjesa e parë)


 


Paska kanë ai Sulltan Murati,


Mirë avdesin ai e paska marrë,


E jacinë e paska pas’falë,


Paska ramun mbreti për me fjetë


Thonë, ni andërr ai e paska pa,


Gjumin andrra ia paska nxjerrë.


Çohet mreti fort koka kujtue,


Apet avdes ai paska marrë,


Paska ra rishtas për me pushue,


Apet andrra iu ka diftue,


Apet gjumin ia paska nxjerrë.


E sulltani në kambë koka çue,


Paska çue nanën paska thirrë,


-Ti bre nanë, dishka mem kallxue,


-Qe dy andrra në gjumë i kam pa.


-Nuk po muj un’ gjumin rahat me ba!


-Kallxo andrrën!- nana i ka thanë,


Nis Sulltani andrrën pe kallxon.


– I pash’ dy orla mue m’ kanë ardhë,


-N’ krah të djathtë mue m’ kan ra.


-Qiell e tokë seç janë bashkue,


-Hanë e diell në det na kanë ramun!


-Hajrli koftë nana i ka thanun,


 


Kur ma fali Zoti sabahun,


Shka po ban ai Sulltan Murati,


Çoj e thirri dime takbirxhinë,


Çoj e thirri at’ Shejhul-islamin,


Çojka thirrka edhe Sadrazemin,


Bashk me ta e xhihon Serasqerin,


Kta t’ katër shpejt kokan çue,


Fill te mreti ata paskan shkue,


-Shka don babë!- ti shka ke urdhnue?


-Un nji ander mbramë qi e kam pa,


-Ju takbir keni me ma ba,


-Kallxo andrren, o baba Sulltan!


-Kallxo andrren ata i ka thanë,


Niske mbreti andrren pe kallxon,


-I pashë dy orla mu m’ kishin ardhë,


-N krah të djathë orlat mu kanë ndalë,


-Tana yjzit prej qielli kanë ra,


-Qiell e tokë sikur janë bashkue,


-Hana e dielli në det kishin ra.


 


Kqyr shka thojke dime takbirxhia:


-Ata orlat në krah qi t’ kanë ra,


-Në krah të djathtë orlat qi t’ kan ra,


-Ke me marrë Sanxhakisherifin,


-Tan asqerin ke për m’ i bashkue,


-Se n Kosovë me ta ki me dalë,


-Ti Kosovën ke për me zaptue,


-Vet shehid ti ki për me shkue,


-Vet shehid ti ki per me mbetë,


-Hana e dielli në det qi kanë ra,


-Ti shehit në Kosovë ke m’u ba,


-Pa Dovlet hanë as diell nuk nxejnë…


 


Kqyr shka bani ai Sulltan Murati:


N’tan’ gjytetet ai fjalë paska çue


-Tan’ asqerin un’ këtu e due,


-Pashallarët ketu me mi prue.


Gjithë ushtria koka kanë shtrëngue


Se te mreti ata paskan shkue.


Kqyr shka bani ai Sulltan Murati.


Mirë ma mori Sanxhakishefifin,


Te ushtria me ta paska shkue,


Niske mreti fjalën ka fillue,


-Ngoni bij shka kam me kallzue


-Un’ për veti gadi sot jam ba


-Se n’ Kosovë na dona me dalë,


Mirë asqerin mbreti po numron,


Shtatdhetmijë në tubim i kanë ardhë.


Shka po thojka ai Sulltan Murati,


-A po ngoni ju o evladt’ e mi,


-Ju pishman në kofshi për me ardhë,


-Keni leje në shpi për me shkue,


-N harxhe t’ mija në shpi kam me ju çue


-Se familja shumë të dhimbshem janë.


Fjalën mretit ia paskan ndigjue,


Shumë asqerë mreti ju kanë da


Tridhet mijë veç i paskan mbet’.


 


Po merr rrugën mreti asht shtrëngue


Shpejt te deti me asqer ka dalë,


Xhemitë para tek i paskan ardhë,


Po dron mreti në xhemi per me hypë,


Po i dhimben ushtarët mos pi mbytë,


Duert drejt qiellit i paska drejtue,


-Hej Allah ty tu kam drejtue.


-Detin mue me ma prapue,


-Neper t’ thatë detin me kalue.


Edhe Zoti lutjen ia ka pranue,


Në dy anash deti asht prapue,


Me ordi nëpër det ka shkue


Kanë kalue detin paskan dalë,


Kokan ulun ata me pushue,


Mreti ushtarëve iu ka drejtue:


-A po ngoni ju evladt’ e mi,


-Ju qi s’ doni me mu’ per me ardhë,


-Ju qi rrugës pishman i keni ra


-Te shpija ju mundeni mu’ kthye.


-Edhe ju haramin qi e hani


-Edhe ju pesë vaktet qi nuk i falni,


-Kthenu mbrapa sa nuk asht mshelë deti.


Shumë asqer mrapa kokan kthye


Tetëmbdhetë mijë thonë janë largue


Dymbdhet mijë sahi paskan mbetë.


Apet mreti dua paska ba,


Apet mreti ju paska drejtue:


-Ju pishman n’ koftë qi jeni bae


-Mir’te shpija ju mundi me shkue.


Kqyr asqeri shka paskan pasë thanë:


-Aman babë o baba Sulltan!


-Asnja ma na pishman nuk jemi,


-Kurrë Allahu mos na daftë prej teje,


-Na haramin kabull nuk e bajmë,


-Të pesë vaktet na kena me i falë,


-Na me ty së bashku kem me vdekë,


Atëher mreti n’ kamb’ koka çue


Me ushtarë ai asht hallallue


Tanë asqeri avdes qi po marrin


Menjiherë luftën kanë fillue,


Tana vendet i kanë shpartallue


Selanikun e paskan pushtue,


Ditë për ditë po shkojnë tue luftue,


Deri n Shkup ata paskan shkue,


S’ po del kush me ta me qindrue,


Te nji lum asqeri kan’ ndalue,


Ni asqer nji mollë e ka marrë,


Veç nji herë e kishte kafshue,


Edhe mollën me veti e merr,


Urra!- bajshin n kambë kokan çue,


Apet luftën e paskan fillue,


Luftë e madhe fort ish’ marue,


Tym e mjegull Zoti e ka lshue,


Shumë shehidë ata paskan ra,


Në Kaçanik ushtria paska mbrri,


Luftë e madhe aty ish kan ba,


Hiç përpara nuk po mujn’ me shkue,


Shumë asker shehid paskan mbet’.


Paska metë edhe Sheh Islami,


Sheh Islami paska met’ me nipin,


Paska metë edhe Sadrazemi,


Sadrazemi paska met’ me të birin.


Fort arsqeri ishin kan’ lodhun,


Tym e mjegull Zoti e ka ba,


Shoqi- shoqin nuk po mujnë me pa,


Shka po bajke ai Sulltan Murati,


Duert drejt qiellit i kishte drejtue


-Ej Allah qi je hak taman!


-Ti ket mjegull mu me ma prapue!


-Sa t’ i shoh asqerin ku e kam!


Menjëherë mjegulla asht prapue,


Krejt asqerin mbreti e ka tubue,


Me asqer ai ka besatua,


-Nuk po mujmë, Babë, përpara me shkue!


-Shumë shehidë neve na kanë metë


-Shej Islami ka mbetë me gjithë nipin,


-Sadrazemi ka metë me djalë t vet.


Dhimtë të madhe Sulltani ka pasë


Por be n’ Zotin ai paska ba,


Luftën kurr’ un’ nuk ka me ndalë,


Deri në gu gjaku për pa ardhë.


-A po ndini ju evlat e mi!


-Në hak t’ huj ju mos keni hi,


-Në hak t’ huej ju mos keni ra,


-Qi s po mujmë përpara me ba


-Me hak t’ huej lufta mbarë s’ na shkon


-Danju anash ju n’ hak qi keni hi.


Tanë asqeri janë kanë turbullue,


-Na hak t’ huej babë nuk kemi marrë.


-Tana vaktet na i kemi falë,


Ni asqer anash ish ka nda.


-Ni mollë n lum’ une e kam gjetë,


-N’ ujë ish kan’, mollën e kam marrë,


-Veç ni here un’ e kam kafshue,


Ktu me veti un’ mollen e kam.


Kqyr shka thojke ai Sulltan Murati,


-Nisuni drejt lumit ju me shkue,


-T zotin e mollës ju me takue,


-T zotin e mollës ju me gjetë,


-Ju hallallin me ja lypë,


-Ai hallallin mos jau dhashtë


-Epni grosh sa ka me lypë.


Teposhtë lumit kokan lshue,


Edhe pemën e kanë gjetë,


T’ zotin e mollës e kanë takue,


Ni asqer iu ka drejtue


-Na ni mollë ta kemi marrë,


-Ti hallall a po na ban?


Hallall mollën i zoti nuk jau ban.


-Lyp sa t du’sh grosh kem me t’ dhanë!


-Ti me pare mollën me na shitë


-Hiq me pare mollën nuk e shes


-Veç m’ baftë mreti mue Sadrazem


Shkojnë asqet mbreti i kanë kallxue


Kqyr Sulltani shka ka punue,


-Shkoni t’ zotin ktu per me prue


, E te mreti asqert e kanë çue


Sadrazem mbreti e ka emnue,


Edhe nishanat ja ka dhanë


-Para evlat! ju ka thanë


Shpejt asqeri janë shrëngue,


Shpejt avdes ata paskan marrë,


Krejt ndër veti kokan hallallue,


Menjiherë lufta ka fillue,


Kërkund shkau nuk po mun me pritë,


Se n’ Golesh kur paskan mb’rri


Nuk po gjajnë askund ujë me pi.


Hiq askund ujë nuk po gjajnë,


Etja asqerin e paska tha,


Krejt për tokë ata paskan ra


Shkojnë Sulltanit i paskan kallxue


Na pa ujë krejt kena marue


Askund ujë na n’ ket’ vend s po gjajmë


Atherë mbreti në kambë koka que,


Duert drejt qiellit i paska drejtue,


-Ej Allah qi je hak taman,


-Ti nji ujë mue me ma falë


Merr me shpatë nji guri i ka ra


Ka fillue, uji paska dalë.


Tanë asqeri ujë paskan pi


Edhe hajvanati ujë i paskan dhanë


Edhe avdes asqert paskan marrë


Se n atë vend namazin e kanë falë,


Mirë aty ata kanë pushue


Po vonue lufta ka fillue


Nuk po mundet shkau me qindrue,


Hiq kërkund asqerin s’ po e pret


Në Ferizaj kur kokan ra,


Luftë e madhe ish’ kan’ ba,


Deri n gu gjaku ka shku,


Se n Prishtinë ata paskan mbrri


Aty Sulltani ka ndalu’,


Atu qadrat i ka shpalu’,


I ka marrë dyrbit po kqyrë


Qyqavicën e ka pa,


Bardh’ shtatë kulla i ka pa


Shtat baloza n’ kulla kokan kanë


Kullat mbreti mirë na i ka kqyrë


Se n frengji kullat janë marue,


Ndermjet veti balozat me luftue,


Kqyre mreti shka paska punue


Sadrazemin e paska afrue,


-Shka janë kullat ti me m’ kallxue?


Sadrazemi i paska kallxue,


-Shtatë baloza n’ kulla janë ngujue


-Për çdo ditë nder veti tue luftue.


 


(Pjesa e dytë)


 


Atëherë mbreti n’ kamb’ koka çue


Kopiliqit letër i paska shkrue


Milosh Kopiliqit fjalë i paska çue,


T’ nantë kalave, drynat, un’ ti due,


Ti teslim ki me mi ba mue,


Ose kena me luftue,


Ose luftë un’ me ty kam


Edhe letra Miloshit i ka shkue.


Merr Miloshi letren me kendue,


Afer gruja ju paska qillue,


-Ç’ka Milosh, letra shka po thot’?


E Miloshi letren ja kallon:


-Në Kosovë mreti neve na ka ardhë,


-Luftë me ne ai po don me ba,


-Nuk di hallit si me ia ba!


At’her’ gruja shka i paska than’


-Hajt Milosh marak mos u ban!


-Tye mbreti nuk ka shka t’ ban!


Fort Miloshi, thon’, koka idhnue,


Grues s vet grusht i paska mshue.


E Miloshi n’ kambë koka çue,


Mirë atkijës në shpinë ju ka gjue,


Drejt në Pejë ai paska shkue,


Atje kralit i paska kallxue,


-Se Sulltani në Prishtinë ka mbrri,


-Luftë po lypë ose mu dorëzue,


-Qysh po thu’ Milosh, shka me marue,


-Ma mirë na bjen me u dorëzue,


-Ma mirë teslim na mbretit me ju ba.


-Nuk po mujmë me ta me luftue.


E Miloshi kqyr shka i ka thanë:


-Kurr teslim un’ nuk kam mu ba!


-Për pa e therrë mretin s kam me la!


 


Atherë krali shka paska pas’ ba,


Urdhën krali paska pas’ dha,


-Tridhjet vajza ju me i shtërngue,


-Me i veshë, e mirë me i marue,


-Shumë dukat me veti me ju dhanë,


-E n’ ordi të turkut për me i çue,


Me marrë vesh asqerin si e ka!


-Noshta asqerin kan’ me mashtrue,


Edhe vajzat tek i kanë shtrëngue,


Tridhjet vajza ma të bukra po i gjajnë,


Shumë dukat u paskan pas’dhanë.


Atherë krali vajzave iu ka drejtue,


-Në ordi t’ mretit ju keni me shkue,


-Ju si n’ mujshi asqerin me mashtrue,


-N’ koftë asqeri paret me jav marrë,


-Krejt kur t’ kthehi ju me na kallxue.


Atëherë vajzat n’ kambë kokan çue,


Me dukat hjeshëm janë marue,


N’ ordi t mretit ato paskan shkue,


Tri ditë shpejt paskan pas’ kalue,


Askush vajzat me sy s’ i ka shikue,


As dukatin nuk jau kanë marrë,


Kush me dorë nuk i paska prekë,


As me pare bukë nuk ju paskan dhanë,


Mbas tri dite Sulltanit i kanë kallxue,


-Tridhet vajza krali na i ka çue,


-Janë lodhë uje krejt kanë marue,


-As me pare bukë s’ ju kemi dhanë.


Atëherë mbreti shka ju paska thanë:


-Jepnu bukë, evlad, ju ka thanë,


-Por dukatin ju mos me marrë,


-As me dorë nuk ban për me i prekë.


Atëherë vajzat shka kanë ba,


Te Miloshi vajzat paskan shku’,


Nis Miloshi vajzat po i pvetë,


-Si ish Turku?- oj çika!- po thotë?


Aty çikat shka i paskan thanë,


-Tri ditë e net na aty kemi mbetë,


-Kush me dorë neve s na ka prekë,


-Askush paret neve s’na ka marrë,


-As me sy nuk na kanë shikue,


-Shum asqert’ mbreti i ka prue,


-Ju me ta s’ mundni me qindrue.


 


Nisë Miloshi koka kanë kujtue,


Edhe çikave ju paska drejtue:


-Na te krali bashk’ kena me shkue,


-K’shtu kralit n’ koftë me i kallxue,


-T’tanave kryet kam me jau shkurtue,


-Na te krali kur të shkojmë,


-K’shtu ju kralit kemi për mi thanë:


Dergjë e madhe asqerit i kish ra


Ishin lodhë asqeri me dekë,


Se asqeri neve na ka kapë,


Edhe paret neve na i kanë marrë!


Fill te krali Miloshi ka shkue


 


Tridhet çikat përpara i ka çitë


Para kralit ato paskan dalë,


-Qysh ish turku oj bija?- jau ban’,


Edhe çikat shka i paskan than’:


-Dergjë e madhe asqerit i ka ra,


-Ishin lodhë asqeri me dekë,


-Paret neve na i kan marrë,


-Asqeri neve na ka kapë!


Atherë krali shka paska marue,


Shumë ushtarë na i ka tubue,


Janë ba gati don’ për me luftue,


Kqyr Miloshi shka ju paska thanë:


-Ndal kadal’, o kral, ja ban,


-Edhe un’ kam me u shtrëngue,


-Vet te mbreti un’ kam me shkue,


-Se n’ ma dhashtë mbreti dorën mue,


-Unë atij kam me ju dorëzue,


-Se n ma dhashtë ai kamben mue,


-Me nanxhar un’ kam me shitue!


Mirë Miloshi koka kanë shtrëngue,


Ni pobratim ai e kish pasë,


-Pobratim bre!- ai i ka thanë,


-Ti me mue sot a don me ardhë,


Pobratimi koka kanë pajtue,


N’ shpinë atikjave iu paskan gjue,


Se te mbreti ata kan’shkue,


Nibetxhitë Miloshin e kanë ndalue.


-Ku po don Milosh ti me shkue?


-Un’ te mreti du për me shkue.


-Ndalu ktu!- mretit kem me i kallxue


Edhe mretit i paskan kallxue,


 


Atëherë mreti shka ka marue,


Shejhul islamit iu ka drejtue:


-Qysh po ban, ti, qysh po m thue?


-Ne Miloshi tash qi po na vjen,


-Ma lypë dorën aj me ja dhanë,


-Me ja dhanë a mos me ja dhanë?


-Ktu Miloshi kur të vjen,


-Atij dorën mos me ja dhanë,


-Kambën n’ vend dorës me ja dhanë.


Fill Miloshi te mreti ka shkue,


Qojke kambën mreti ja ka dhanë,


Miloshi hanxharin në dorë e kish pasë,


Me hanxhar mretit i ka ra,


Dekun në tokë mbretin e ka la.


Shpjet Miloshi ka tfillue


Në shpinë atkisë ju paska gjue,


Marrka udhën ka t’fillue,


Shumë asqeri mbrapa i kanë shkue,


Po mundohen Miloshin me pre,


Nuk po mujn’ Miloshin me pre,


Kur janë shkue në Babimos,


Ni shkinë plakë e paskan gjetë,


Aty shkina ju ka thanë


-Shka keni turq, ju shka po doni?


-Miloshi mretin na ka therë,


-Nuk po mujmë Miloshin me pre.


Atëherë shkina shka u ka thanë:


-Ju nuk mundni Miloshin me pre,


-Se i veshun në hekur ai asht,


-Edhe atkinë veshun n’ hekur e ka,


-Por ju shpatat ne dhe me i palue,


-Atkijes në bylyzyk keni me i ra


-Edhe kambën keni me ja premun,


-Atherë Miloshin ju keni me zanun.


-Ju si n mujshi Miloshin me zanun,


-Qelsat e pancirit në musteqe i ka.


Dhe asqeri shka kanë marue,


Tana shpatat për tokë i kanë shtri,


Mir’ atkijen në shej e kanë marrë,


N’ bylyzyk, atkisë i kanë ra.


Përnjëherë atkija në tokë ka ramun.


Gjallë Miloshin asqert’ e kanë zanun,


Po dojnë kryet Miloshit me ja pre.


-Amanet po thot’ e kam ni fjalë,


-Ni shkinë plakë ktu ju me ma thirrë,


-Fort për mallë un’ shkinën qi e kam,


-Kam dy fjalë shkinës me ja thanë,


Edhe shkinën para ja kanë çue,


-Afromu ngat, oj hallë, po ja ban,


-Ty çirak une du me të ba,


-Shumë e mallin un’ kam me ta dha,


Edhe shkina afër po i shkon,


Shkina afër koka kan’ afrue,


Kqyr Miloshi atherë shka po ban.


Ja ka ngulë ai shkinës ni dham’


Me dham’ shkines ai ja paska ngjitë,


N’Babimos e paska pas’çit.


Dhe asqeri kryet ja kanë pre.


 


Kqyr shka bajke Milosh Kopiliqi,


Kryet n’ sjetull ai e paska marrë,


Po shkon para, ai po fluturon,


N’Sallabajë, ai kur paska shkue,


Nji nanë me çikën paskan qillue,


Tue la rroba paskan kanë,


-E po sheh ti mori nanë,


-Ni njeri pa krye qysh po shkon,


Atherë Miloshi shka ka thanë:


-Un’ pa kry, ju mbetshi pa sy!


E n at’ vend Miloshi ka mbetë.


Pa vonue popat janë tubue,


Edhe shkrimet i paskan shfletue,


Me mujtë ni kish’n’at vend me marue,


Për pa knue knojsit e sabahit,


Miloshi paska për me mu çue.


Kanë nisë kishen e paskan marue,


Qeremidet ata tuj ja çitë,


N’ sabah knojsit paskan knue,


Dhe Miloshi atëherë jetë ka nd’rrue.


Në at vend ku ai po nd’rron jetë,


Nji ujë t’ madh Zoti e ka falë,


Për ilaç ai ujë koka metë.


 


(Pjesa e tretë)


 


fragment


Shka ka ba nana e Sulltanit,


Për të birin ajo ka marrë vesh,


Qi Miloshi, djalin, ja ka pre.


Dhimbje t’ madhe nana paska pasë,


-Ej Kosovë!- ajo paska thanë,


-Ej Kosovë e shkretë!- kish’ pas thanë,


-Pa evlad ti mu m’ paske lanë,


-Bereqeti n’ ty’ fort u baftë,


-Por ragbet kurr ni sen’ mos pastë.


-Kurr’ pa gjak ai vend mos u marrtë!


 


(pjesa e katërt)


 


fragment


Nji çikë t’amës shka i ka thanë:


-Ku po shkojmë na mori nanë?


-Po ikim prej turku!- nana bijës i ka thanë,


-E kur kthehemi, mori nanë?


-Kur të prishet turku si na!- i ka thanë,


-Kur Qyqavia t’ bahet ashtu si asht kanë,


-Atëherë Kosovën na kena me marrë.


 


Visaret e kombit I Shkodër 1937).


 Ahmet Qeriqi nga libri: Milush Kopiliqi serb apo shqiptar?

Kontrolloni gjithashtu

Dr. sc. Bekim Vishaj: Në shenjë përkujtimi, 39 vite me parë u nda nga jeta Doajeni i folklorit shqiptar, Dervish Shaqa

Dervish Shaqa  u lind në fshatin Llukë e Epërme të Deçanit, në vitin 1912. U …