Gjergj Kastrioti - Skenderbeu

Kiço Kutali: Dëshmi dhe referenca historike, bindëse për origjinën mirditore të Kastriotëve

     Një mal me libra janë shkruar për Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti nga historianë shqiptarë dhe të huaj. Në këto libra është folur për anë të ndryshme të jetës dhe të veprës së Gjergj Kastriotit. Është folur për 25 betejat që ai fitoi kundër Perandorisë më të madhe të kohës, asaj turke. Është folur edhe për politikën e jashtme të Heroit tonë Kombëtar, për portretin fizik e moral të tij. Por, çuditërisht pak është folur për vendorigjinën e fisit legjendar të Kastriotëve.

     Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX dhe në këtë fillimshekulli, është folur për tri vendorigjina të mundshme të këtij fisi, për Matin, Dibrën dhe Kastratin e Hasit, duke lënë në harresë, çuditërisht, tezën e historianit austriak Jakob Falemrajer dhe të historianit shqiptar Athanas Gega, të cilët përcaktonin Kastrin në Vig të Mirditës si vendorigjinë të fisit të Kastriotëve, duke heshtur për këtë fakt edhe qarqet akademike në vendin tonë.

     Por, me sa duket, atë që nuk e bënë historianët dhe akademikët tanë në gjysmën e dytë të shekullit XX e në këtë fillimshekulli, e bëri dhe po e bën poeti, publicisti, gjuhëtari dhe studiuesi pasionant i historisë Preng Cub Lleshi. Kjo zbulohet në dritë të diellit në librin e tij të vogël, por me vlera të mëdha shkencore “Dëshmi dhe referenca historike për vendorigjinën e Gjergj Kastriotit”, që ka dalë nga shtypi këto ditë.

     Duket se në këtë libër, pas 550 vjet nga vdekja e Heroit tone Kombëtar, përcaktohet qartë e prerë se në cilën krahinë a në cilin fshat e përkundi nëna “Kalorsin e Lirisë” dhe “Mbrojtësin e qytetërimit evropian”-Gjergj Kastriotin. Se është një rast i rrallë në historiografinë shqiptare të sillen 105 dëshmi e referenca historike për të provuar saktësinë e një ngjarjeje historike apo të një fakti të caktuar  historik.

     Është meritë e këtij autori që shtegtimin në gjurmim të vendorigjinës së derës princore të Kastriotëve e nis jo me pohime vetiake subjektive, por me pohimet e dy kolosëve të historiografisë shqiptare, me Fan S. Nolin dhe me Marin Barletin. “Kjo ndodh, thekson ky autor duke kujtuar Fan S, Nolin, sepse ky historian pohonte qartë e prerë se “Mirditën dhe Hasin i kishte Gjon Kastrioti, po Barleti s’ua përmend emrat fare dhe i përmbledh me emrin e përgjithshëm Aemathia”, duke shtuar se “Aemathia e Barletit ka qenë, që nga koha e tij e gjer sot, një burim lajthitjesh, se me këtë emër quhej në kohët e vjetra Maqedonia Jugore dhe, shpesh, tërë Maqedonia”.

     Dhe, duke iu referuar historianit më të besueshëm për jetën dhe bëmat e Gjergj Kastriotit, Marin Barletit, autori i librit rrëfem për disa “lajthitje” a keqinterpretime të emërtimit “Mat” apo “Aemathia”, kur për shumë emra vendesh që tregojnë Mirditën etnografike dhe jo Matin, shkruhet se ato i përkisnin Matit dhe jo Mirditës. Për t`i bërë më bindëse këto “lajthitje” dhe keqinterpretime Prenga sjell një dëshmi të pakundërshtueshme,  që na vjen nga një fragment i shkëputur nga libri “Antologjia e re e shkencave, e letërsisë dhe e arteve”, volumi 33, botuar në Firencë më 1876, në të cilin thuhet se “Mati… shtrihet jo larg nga Drini dhe përbën një vend pjellor dhe të populluar, të banuar nga mirditorët e famshëm, njerëz të bukur, të guximshëm dhe të rreptë, të panënshtrueshëm ndaj çdo autoriteti. Në këtë vend lindi Gjergj Kastrioti i famshëm, i quajtur Skanderbeg”.

     Kjo dëshmi sikur vërtetohet edhe nga më i madhi historian i gjysmës së dytë të shekullit XX, Aleks Buda, i cili, duke u mbështetur në dokumente të sakta, shkruante se “Sipas të dhënave të një marrveshjeje tregtare me qytetin e Dubrovnikut (1420), tokat që iu përkisnin zotërimeve të Gjon Kastriotit nisnin në perëndim, në bregdet, në rrethinat e qytetit të Lezhës dhe arrinin deri në rrethinat e Prizrenit, d.m.th, përfshinin trevën në jug të lumit Drin, Mirditën e Lumën”.

     Dhe kjo e vërtetë sikur vërtetohet katërcipërisht edhe nga  historiani francez Zhan Dysylje, i cili, siç citon autori i librit, shkruante se “Midis rrjedhës së poshtme të Matit dhe të Drinit shtriheshin zotërimet e Kastriotëve dhe të Dukagjinëve, ku Lezha ishte kryeqendër”, ide që e bën edhe më të qartë edhe Rilindasi i shquar Preng Doçi, kur shkruan se “Lezha ka bërë pjesë, sikurse edhe sot (1885-shënimi im), në trevën e Mirditës, që lufton nën shenjën e Gjergj Kastriotit dhe qe cep i Dukagjinëve”.

     Mbështetur në dëshmi të tilla dhe shumë të tjera si këto, studiuesi pasionant i historisë, Preng Cub Lleshi, duke iu referuar historianit kroat Milan Shuflaj, Fan S. Nolit dhe historianëve Kasem Biçoku, Selman Riza e të tjerë hedh poshtë me argumenta bindës hipotezat mbi origjinën dibrane e hasjane të Kastriotëve. Për këtë autori i librit sjell edhe fakte konkrete, duke përmendur dy momente me shumë rëndësi në historinë e jetës dhe të betejave të Gjergj Kastriotit gjatë betejave kundër Perandorisë turke: Besëlidhjen e Lezhës më 2 mars 1444 dhe bashkëluftëtarët e Heroit tonë Kombëtar.

     Duke bërë fjalë për këto dy fakte, autori, me të drejtë, shkruan se “historiani serioz nuk mund ta konsiderojë si “rastësi” faktin që “Besëlidhjen e madhe të shqiptarëve kundër turqve, më 2 mars të vitit 1444, Gjergj Kastrioti e realizoi në Lezhë dhe jo në Mat, në Dibër apo në Kastrat të Hasit” edhe pse sapo ishte kthyer i përmalluar në tokën amtare, në tokën e të parëve të tij”, duke shtuar se  “nuk mund të konsiderohet si “rastësi” as fakti që “në Kuvendin e Lezhës nuk kishte asnjë përfaqësues nga Mati, nga Dibra apo nga Kastrati i Hasit”. Se, po të ishte nga këto anë, Gjergj Kastrioti do t`i kishte gjetur edhe në këto krahina ca përfaqësues në atë kuvend historik të shqiptarëve, ku pjesa më e madhe vinin nga viset e Principatës së Dukagjinëve, trojet e të cilës, në gjysmën e dytë të shekullit XVI, u njohën me emrin historik “Mirditë”.

     Po autori i këtij libri  bëhet më bindës në parashtrimet e tij për origjinën mirditore të Kastriotëve, kur sjell edhe dëshmitë e përfaqësuesve të tillë të Rilindjes Kombëtare si Risto Siliqi, Zef Jubani e Gavril Dara i Riu. Se nuk mund të jenë thjeshtë pjellë e fantazisë, po dëshmi e një të vërtete historike vargjet e Rilindasit Zef Jubani:

     “Leu nji yll në Shqipni,

     Me na shndritë, me na drejtue;

     Me shumë dije e trimni,

     Atje n’Kastër ish shënjue:

     Gjergj Kastrioti k’tij i thonë”!

        Dhe, nëse ndonjë historian vargjet e mësipërme i quan “pjellë të fantazisë së rilindasit” tonë, poeti dhe publicisti Preng Cub Lleshi sjell dëshmi të tjera interesante jo vetëm nga poeti arbëresh Gavril Dara i Riu, por edhe nga prifti historian Athanas Gega, të cilin Fan S. Noli e quante njohësin më të mire të historisë së Heroit tonë Kombëtar. Se ky historian duket se e përcakton qartë Kastrin në Vig të Mirditës si vendorigjinën e Kastriotëve, kur, siç citon autori i librit, shkruan: “Mbiemri Kastrioti… që ka mbijetuar në histori, lidhet më shumë me lokalitetin (fshatin-shënimi im) e Kastrit në Mirditë, që ndodhet midis fshatrave të Dibrit, (Dibri si bajrak i mëvonshëm i Mirditës-shënimi im) Mnelës, Kashnjetit e Vigut, se sa me lokalitete të tjera, që kanë të njëjtin emër”.

     Është meritë e këtij autori që, për ta bërë sa më bindëse tezën mbi origjinën mirditore të Kastriotëve, ka vjelur dëshmi e referenca me vlerë të madhe jo vetëm nga historianët më të dëgjuar shqiptarë, por edhe nga historianë të huaj, italianë, francezë, austriakë, gjermanë, anglezë, e turq, si Jakob Falmerajer, Zhan Klod Faverial, Serge Me’tais, George Hahn, Henri Franshue, Markus W. E. Petërs, Ami Bue, G. Shtadmyler, Eduart Gibon, Robert Kyprien, Milan Shuflay, Marçelino Çivezza,  Halil Inalçik, Mehmet Pashzade, Nuray Bozbora e të tjerë

     Dhe, për të mos u zgjatur, nga kjo listë e gjatë autorësh me emër në historiografinë evropiane dhe në atë botërore, për t`ia bërë më të qartë dashamirësit të historisë së Shqipërisë origjinën mirditore të Kastriotëve, e shoh të arsyeshme të sjell, së pari, një fragment, që ka zgjedhur Preng Cub Lleshi nga Enciklopedia Britanike, Edicioni 19-të, ku, midis të tjerave shkruhet se “Iskanderbeg ose Iskanderbej…i njohur si dragoi i Shqipërisë,… ishte i biri i Gjon Kastriotit, zot i Krujës dhe i Mirditës, zonë në Veri të Shqipërisë”, duke shtuar se “Është fakt që Skënderbeu, siç dëshmon vetë Barleti, nuk ishte vetëm princ i një pjese të vogël të territorit shqiptar, e atij që sot akoma quhet Mirditë”.

     Së dyti, nga historiografia turke, pa nënvleftësuar pohimet e Mehmet Pashëzade dhe Halil Inalçik, e shoh si më të rëndësishmin, pohimin që sjell autori i librit nga historiania Nuray Bozbora. Se ajo në veprën “Shqipëria dhe nacionalizmi shqiptar në Perandorinë Osmane”, sikur e vulos origjinën mirditore të Kastriotëve, kur pohon se “Gjon Kastrioti, kreu i familjes Kastrioti,… njihej si një nga princat katolikë të rajonit të Mirditës”. Dhe dëshmi të tilla nuk mund të injorohen nga historianët seriozë! Se, po të ishte nga një tjetër krahinë vendorigjina e Kastriotëve, Besëlidhja e madhe e shqiptarëve në 2 mars 1444, nuk do të organizohej në Lezhë. Se, po të ishe nga tjetër krahinë vendorigjina e Kastriotëve, Gjergj Kastrioti nuk do të vinte kurorë në kishën e Vaut të Dejës fare afër Kastrit dhe nuk do ta linte me amanet që të varrosej në kishën e Shën-Kollit, po në Lezhë!

     Ja përse, sipas mendimit tim, ka ardhur koha t`u jepet fund debateve shterpë për vendorigjinën e Kastriotëve dhe institucionet përkatëse shtetërore, Instituti i Historisë dhe Akademia e Shkencave, mbështetur në 105 dëshmitë dhe referencat historike, që sjell Preng Cub Lleshi në librin e tij, ta shpallin Kastrin në Vig të Mirditës në, këtë vit jubilar të 550-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, si vendorigjinën e fisit legjendar të Kastriotëve!

5.1.2019

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …