leoni

Kilaj

Kilaj: Pse 26.100 qytetarë marrin asistencë përmes bankave e jo përmes postës

Zëvendësministri i Financave të Kosovës, Isni Kilaj, në një reagim të tij drejtuar medieve ka shtruar pyetjen pse paratë e skemave sociale është më racionale të shpërndahen përmes postës sesa përmes bankave. Kilaj ka zbuluar se “në Republikën e Kosovës janë 26.100 qytetarë që marrin asistencë sociale nga MPMS. Për shpërndarjen e tyre kujdeset një nga bankat e shumta komerciale në Kosovë. Ka shumë vite që këtë e bën BpB. Vetëm për shpërndarjen e tyre banka kërkon një provizion prej 1,50 euro për çdo person. Kjo i bie që Qeveria e Kosovës i paguan bankës shumën prej 39.150 euro çdo muaj x 12=469.800 euro në vit. MPMS po ashtu i paguan BPB shumën prej 300.000 eurosh çdo vit për mirëmbajtjen e llogarive bankare inaktive të përfituesve të skemës sociale. Shuma e përgjithshme që paguan Qeveria e Kosovës është 769.800 euro çdo vit për shërbime bankare për skemën sociale në BpB. Skemat sociale kudo në shtetet e Bashkimit Evropian shpërndahen nga posta e atij vendi. Kjo sepse shërbimet janë më të lira, paguhet një numër i madh i qytetarëve që marrin paga si të punësuar në postë, janë më të sigurta, më të shpejta për shkak të rrjetit të gjerë, shërbime më të lira për shfrytëzuesit që nuk humbin kohë dhe nuk maltretohen në pritje e udhëtim dhe mbahet një mekanizëm shtetëror funksional, i fuqishëm e me traditë siç është posta.

Por në Kosovë është e kundërta. Këto shërbime i kryen BpB! Posta e Kosovës, e cila ka mbetur shtetërore, e cila punëson mijëra punëtorë në këtë Kosovën e të papunëve të shumtë, ka biseduar me muaj të tërë për të lidhur një kontratë, e cila do i sillte përfitime Postës, do i sillte kursim buxhetit të Qeverisë së Kosovës në shumën prej 600.000 eurosh në vit, pa e dëmtuar nivelin dhe cilësinë e shpërndarjes së skemave sociale në Kosovë, transmeton Koha.net. Përkundrazi, shërbimet do të ishin jo vetëm më të lira për 600,000 euro për buxhetin e Kosovës, por do ishin më të lira edhe për shfrytëzuesit e tyre – qytetari në vend të 1,50 euro do paguente 1,30 euro, por gjithashtu do t’i ofrohen shumë më afër këto shërbime në 160 pika të shpërndarjes që ka Posta anë e këndë Kosovës, kurse BpB mund të këtë më së shumti 30 pika, të cilat bëjnë që qytetarët të presin me orë të tëra në rresht para sporteleve të BpB, të udhëtojnë më gjatë dhe të paguajnë më shumë për shërbimet që u ofrohen.

Më 4 maj 2016 me Vendimin Nr.590115 PSH.590/15 OSHP ka anuluar tenderin e MPMS-së për parregullsi dhe për kriteret e kërkuara, të cilat ua mundësonin vetëm bankave një konkurrim, por jo edhe Postës së Kosovës. Por, shtrohet pyetja pse MPMS pas shumë muaj bisedimesh nuk nënshkroi kontratën më PTK-në? Apo është e vështirë të përgjigjesh dhe të kuptosh së kemi të bëjmë më interesa të ngushta personale, që përmes aferave korruptive t’u mundësohet aksionarëve të BpB të përfitojnë shuma marramendëse duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës, qytetarët drejtpërdrejtë dhe aq më keq kategorinë më të varfër në Kosovë. Të dashur lexues ju gjejini aksionarët e fshehtë dhe realë në BpB! Thuhet në letrën e Isni Kilajt dërguar medieve.

Kontrolloni gjithashtu

Kryeministri, Edi Rama me Genc Cakajn e Qemal Minxhozin sot në Hagë, kanë vizituar ish kryetarin e Kosovës, Hashim Thaçi

Kryeministri Edi Rama, përshpejton krijimin e Komisionit Parlamentar të Posaçëm për Luftën kundër Dezinformimit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka theksuar nevojën për një përparim të shpejtë në krijimin …