Driton Krasniqi

Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës mbështetet në Kushtetutën e Kosovës shtet “sekular dhe neutral në çështjet e fesë”

Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës, po i përcjell zhvillimet e fundit pas paralajmërimeve që vijnë nga Shqipëria për futjen e lëndës fetare në plan-programet e arsimit parauniversitar. Kjo temë në Kosovë ka riaktualizuar debatin pro et contra futjes së lëndës fetare në sistemin arsimor të Kosovës. KPUK porosit zyrtarët shtetëror të Kosovës që tё konsultohen paraprakisht me bashkësitë fetare, me popullatën e vendit tonë, me shoqёrinё civile, me profesionistë e ekspertë dhe me prindërit e fëmijëve që direkt apo indirekt përfshihen nё kёtё ndikim dhe përcaktim të së ardhmes tё arsimit dhe vendit tonë. Kushtetuta e Republikës së Kosovës e parasheh që bashkësitë fetare të jenë të përfshira në çështjet që ndërlidhen me fenë. KPUK mban njё qëndrim të pandryshuar publik të shprehur vite me radhë. Ne jemi të pajtimit që të vazhdohet me praktikën e deritanishme me ç’rast nxënësit e shkollave të Kosovës po pajisen me njohuritë bazike të fesë. Futjen e mësim-besimit të pjesshëm ose të plotë, në sistemin arsimor të Kosovës e konsiderojmë të hershëm, të dëmshëm për funksionimin e shoqёrisё sonë dhe shtetit. Prandaj, u bëjmë thirrje drejtuesve të Qeverisë së Republikës së Kosovës për largpamësi, kujdes e maturi ndaj kësaj çështje tё ndjeshme për qytetarët tanë. Komuniteti Protestant Ungjillor i Kosovës qëndron kundër idesë së futjes së lëndës fetare, të plotë apo të pjesshëm, në korrikulin arsimor të Kosovës:  Për dallim prej vendeve Evropiane dhe atyre të Lindjes që kanë traditë për ta mësuar fenë në shkolla, Kosova ka tjetër rrjedhë historike. Ne jemi shtet i ri dhe mos t’i shtojmë shtetit kёtё barrë. Imponimi i futjes sё lёndёs sё fesë mund të paraqes presion shoqëror e psikologjik fetarë mbi bashkësitë më të vogla fetare dhe anëtarët e tyre. Përveç kësaj, Kosova mund të nxjerr mësime nga dështimet e praktikës së mësim-besimit në shkollat publike në vendet tjera.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës e përkufizon shtetin tonë si “sekular dhe neutral në çështjet e fesë”. Pra, Kosova jo vetëm që është laike por shumë më tepër është neutrale. Futja e mësim-besimit në kurrikulin kombëtar mendojmë se e shkelë seriozisht paanësinë e shtetit në raport me fenë sepse krijon promovim të ndonjë feje të caktuar;  Në Kosovë ka faltore të mjaftueshme dhe feja mund të mësohet nëpër objektet fetare. Komuniteti ynë fetar është i vetmi me mungesë të theksuar të kishave dhe ne nuk e kërkojmë që të hapen objektet shkollore për predikimin e fesë tonë aty. Përgjigjen për mosvijimin e besimtarëve nëpër shërbesat a takimet tona fetare, ne predikuesit e fesë, duhet ta kërkojmë gjetiu ose ta lёjmё plotësisht tё lirë dhe nё ndërgjegjen e qytetarëve. Feja është çështje personale dhe krejtësisht vullnetare dhe edukata fetare është vlerë e familjes, dhe pse dikush sikur tё disiplinohet me anë tё fesë në shkollë për shkakun se nuk ka vijuar shërbesa fetare nëpër faltore të destinuara për qëllim të fesë.  Futja e klerikëve fetarë në institucione shkollore, nuk duhet tё ndodhë kurrë; kjo mund të përbëjë rekrutim të fëmijëve të moshës minorene për qëllimet e individëve të caktuar fetarë;  Jemi të brengosur se si mund të trajtohen, bie fjala, figurat tona kombëtare me renome botërore siç janë Skënderbeu e Nënë Tereza, duke e ditur tashmë qëndrimin e predikuesve të ndryshëm ndaj këtyre figurave tona. Për një komunitet fetar ata janë personazhe kombëtare e për ndonjë pjesëtarët të komunitetit tjetër janë tradhtarë. Pra, në tema tejet të ndjeshme si kjo, rrezikohet seriozisht vetëdija dhe përcaktimi ynë kombëtar.  Në Kosovë nuk ka kuadro të mjaftueshëm, jashtë bashkësive fetare, për dhënien e lëndës fetare në shkolla. Prandaj, nuk mund të aplikohet sepse ngritja e kuadrove profesionale merr kohë, nuk besojmë se përbën prioritet shtetëror e as shoqëror futja e fesë nё shkolla. Zoti e bekoftë dhe e mbrojt Kosovën! Pastor Driton Krasniqi, Kryetar.

Kontrolloni gjithashtu

Kosova dhe Serbia, janë zotuar se më 22 mars do t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit në Kosovë

Pas diskutimeve, në Bruksel, Lajçak, paraqiti një dokument kompromisi lidhur me qëndrimet e të dyja palëve për dinarin e Serbisë

Në takimin e fundit të dialogut në Bruksel, Kosova dhe Serbia nuk arritën një marrëveshje …