Klina shpall sportistët më të mirë të vitit 2016

Në përkujdesje të kryetarit të Komunës së Klinës, Sokol Bashota, organizuar nga drejtoria për kulturë, rini dhe sport në Klinë, të mërkurën është mbajtur manifestimi i zgjedhjes së sportistit të vitit 2016 në Komunën e Klinës. Kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota ka uruar gjithë sportistët për rezultatet e arritura në sporte të ndryshme. “ Kemi krijuar një infrastrukturë të mirë sportive. Është rregulluar stadiumi i qytetit, Qendra Sportive “ Adem Jashari” ndërsa sivjet planifikojmë edhe ndërtimin e një fushe ndihmëse për femra dhe Qendrën Rinore”, ka thënë Bashota sipas të cilit komuna e Klinës me mundësitë e veta buxhetore ka mbështetur sportin.

“E ardhmja e të rinjve është shkolla dhe sporti. Synimi ynë këtë vit është që KF Dukagjini i Klinës të rikthehet në Super Ligën e Kosovës dhe për këtë do ta ketë edhe mbështetjen e Komunës”, pohoi kryetari Bashota. Ai vitin 2017 e quajti vit të sportit dhe premtoi stimulim edhe më të madh të rinjve që janë të angazhuar në klube të ndryshme në këtë komunë dhe që garojnë në ligat e Kosovës.

Sportist i vitit u shpall futbollisti i KF Dukagjini Emanuel Zallaj. Në mesin e sportisteve me të mirë janë edhe futbollistja Xhenifer Pjetri, Laura Prenaj- volejboll, Pirro Quni-boks, Arbnor Mustafa- gjimnastikë, Liridon Morina – ping pong, Kushtrim Bojaj-volejboll, Skënder Maxharraj-shah, Visar Haxhijaj – futboll dhe Arion Tanushi- hendboll. Trajneri më i mirë i vitit u shpall Severin Elezaj i KF Dukagjini ndërsa si sportistë më të mirë “shpresat” u shpallën Leurant Mermollaku, Klejdi Haliti, Ylberina Berisha dhe Elma Kadriu. Pedagogu më i mirë sportiv u shpall Rexhep Veseli ndërsa mirënjohje për kontribut në sport ju nda edhe udhëheqësit të sportit Xhafer Ademi dhe gjyqtarit Nazmi Raci.

Vitin e kaluar në komunën e Klinës janë themeluar ekipi i futbollit dhe volejbollit të femrave si dhe klubi i hendbollit për meshkuj.

Kontrolloni gjithashtu

Në Ferizaj diskutohet për bashkëpunimin e mëtutjeshëm për avancimin e gruas

Grupi i grave të Kuvendit të Komunës së Ferizajt në kryeje me kryetaren Mimoza Sojeva-Pajaziti, …