KMDLNJ

KMDLNj: Proceset private në gjykatën e privatizuar speciale, në Hagë

Prokurori i Gjykatën Speciale në Hagë, që nga fillimi i gjykimit të Salih Mustafës, presidentit Thaçi, kryetarëve të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli si dhe shefit të GP-së të LV-së, Rexhep Selimi si dhe të Pjetër Shalës ka këmbëngulur që procesi i gjykimit të jetë krejtësisht i mbyllur apo proces privat në emër të mbrojtjes të dëshmitarëve sikur edhe të viktimave në kohën kur shkelë rëndë të drejtat e atyre që po gjykohen (disa edhe janë dënuar me dënime drakonike) nga kjo gjykatë jotransparente dhe me mungesë kronike të llogaridhënies. Vetëm në rastin e gjykimit ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, gjykimi ishte kryesisht publik ndonëse me redaktuara të shumta. Pas reagimit të vazhdueshëm të mbrojtjes dhe të opinionit, kryetari i trupit gjykues deklaroi se seancat private janë bërë të tepërta duke rekomanduar Prokurorin e Specializuar që të kërkojë seanca të mbyllura vetëm në raste kur atë janë të domosdoshme dhe të pashmangshme. Gjykata Speciale në Hagë edhe deri më tani nuk ka qenë e shquar për transparencë dhe llogaridhënie duke u hapur për publikun vetëm në raste kur ka dashur ta arsyetojë dhe afirmojë (mos) punën e saj.

Ndonëse deklarativisht llogaritet si pjesë e sistemit të drejtësisë kosovare (Kuvendi i Kosovës është themelues i saj), së paku, deri më tani me asgjë nuk e ka dëshmuar këtë, përkundrazi, ka qenë hermetikisht e mbyllur për institucionet e Kosovës. Vizitat e pjesëtarëve të institucioneve të Kosovës, bartës të posteve më të larta, kur vizitojnë të arrestuarit që po mbahen peng në këtë gjykatë dhe po gjykohen sipas Kodit të Hamurabit në Shtratin (Gjykatën) e Prokrustit (të Hagës), ndonëse këto vizita i bëjnë kryesisht për përfitime politike të zhveshur nga çdo ndjenjë e solidaritetit dhe përgjegjësisë institucionale, futen si vizita familjare sikur që ishte vizita e Avokatit të Popullit të Kosovës dhe të tjerë. Gjykata Speciale i raporton rregullisht UNMIK-ut por asnjëherë Kuvendit të Kosovës që paraqet nonsens për një shtet që e ka themeluar (në rrethana të terrorizimit të deputetëve, shantazhit dhe mashtrimeve) aq më parë që të gjithë të të arrestuarit, ata që po gjykohen dhe ata që janë dënuar janë shtetas të Kosovës dhe të gjithë janë shqiptarë.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, si themelues të kësaj Gjykate Speciale kanë dështuar që të kërkojnë transparencë dhe llogaridhënie nga kjo Gjykatë sikur që edhe të sigurojnë një monitorim të pavarur për trajtimin e të privuarve nga liria si dhe monitorim të procesit gjyqësor. Të gjithë këto që KMDLNj po i rithekson për të satën herë nuk përbëjnë ndërhyrje në punën e kësaj gjykate dhe me asgjë nuk e cenon pavarësinë e kësaj gjykate por se deputetët po tregohen të pavullnetshëm në përmbushje të mandatit që e kanë, sidomos komisionet përkatëse parlamentare; ai për Legjislacion dhe për të Drejtat e Njeriut.

Përveç që kjo gjykatë po tregon mungesë të madhe të transparencës dhe llogaridhënies, metodat që po i përdorë në përpunimin e dëshmitarëve dhe sigurimin e provave, metodologjia e punës nuk dallon me asgjë nga atë që më parë ka përdorur UDB-ja serbe dhe KOS-i (shërbimi informativ i ushtrisë). Kjo Gjykatë po angazhohet maksimalisht në korruptimin profesional të mediave që raportojnë duke trajnuar (në mënyrë selektive) media të caktuara sikur që në emër të ndjekjes së atyre që po e pengojnë drejtësinë, maksimalisht po keqpërdorin dëshmitë e dëshmitarëve, postimet në media dhe deklarimet (edhe të porositura dhe me qëllim të përfitimit) të personave të caktuar. Mjafton që akëcili dëshmitarë ta përmend emrin në seanca private të kësaj Gjykate të privatizuar dhe hetuesit e paidentifikuar (asnjëri vendas) të të bastisin dhe t’iu mbajnë peng për një kohë të gjatë. Kështu më parë kishin vepruar autoritetet reperesive serbe dhe jugosllave gjatë zbatimit të nenit të famshëm 133 (propaganda armiqësore) që ishte mundësi të keq-përdorej në përputhje me nevojat e organeve represive, deri në çastin kur u suprimua. Të njëjtin efekt dhe mundësi për keqpërdorim e ka Gjykata Speciale me nenin që sanksionon frikësimin e dëshmitarëve (kryesisht të pa – mbrojtur) ndonëse iu kanë siguruar strehim (azil) në vendet tjera dhe ua kanë ndryshuar identitetin, për pengim të drejtësisë!

Dhe, midis shumë shkeljeve të të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria që po mbahen peng në Hagë e që nuk garantojnë as gjykim të drejtë, as të pavarur dhe as të pandikuar politikisht, seancat e mbyllura për publikun apo seancat private shkelin rëndë parimin e publicitetit që e përjashton publikun, qoftë për të siguruar informata reale për ecurinë e procesit, qoftë për monitorim të procesit. E tëra kjo bëhet për të mbrojtur interesat e dëshmitarëve të mbrojtur dhe viktimave që edhe për KMDLNj-në në raste të caktuara edhe është e domosdoshme mirëpo, gjithashtu është e domosdoshme të mbrohen edhe interesat e të akuzuarve përmes një procesi të drejtë gjyqësor gjithnjë duke respektuar parimin e publicitetit e që në rastin konkret, jo që nuk po respektohet por skajshmërisht po dhunohet!

Kontrolloni gjithashtu

Në rrethana ende të pasqaruara ka ndërruar jetë ish-oficeri i Sigurimit të Shqipërisë, Bujar Hoxha

Në rrethana ende të pasqaruara ka ndërruar jetë dish-oficeri i Sigurimit të Shqipërisë,  Bujar Hoxha, …