Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (DKRS) në Ferizaj ka marrë masa për rritjen e sigurisë dhe mbrojtjen e hapësirave sportive, duke ndaluar hyrjen dhe parkimin e veturave dhe motoçikletave në fushat sportive pranë Pallatit të Sporteve “Bill Clinton”.
Sipas njoftimit të DKRS-së, në hyrje të këtyre hapësirave janë vendosur barriera fizike, me qëllim që terrenet sportive të mbeten të sigurta dhe funksionale për fëmijët, sportistët, vrapuesit dhe të gjithë qytetarët që i shfrytëzojnë çdo ditë për aktivitete sportive dhe rekreative.
Institucioni ka bërë të ditur se hyrja e automjeteve do të lejohet vetëm në raste të veçanta, gjatë organizimit të aktiviteteve dhe ngjarjeve të mëdha sportive.
DKRS ka paralajmëruar se çdo shkelje e këtij vendimi do të raportohet te organet kompetente, përkatësisht Policia e Kosovës, e cila do të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore ndaj kundërvajtësve.
“Fushat sportive u takojnë fëmijëve dhe sportistëve, jo makinave”, thuhet në mesazhin e Drejtorisë, e cila u bën thirrje qytetarëve të respektojnë këtë vendim dhe të kontribuojnë në ruajtjen e hapësirave publike.
Përmes kësaj mase, DKRS synon të krijojë një ambient më të sigurt, më të rregullt dhe më funksional për të gjithë qytetarët, duke promovuar sportin, rekreacionin dhe kulturën e respektimit të pronës publike.