Komuna e Malishevës sot po shënoi 16 Qershorin-Ditën e Çlirimit dhe Ditën e Dëshmorëve

Komuna e Malishevës shënoi 16 Qershorin-Ditën e Çlirimit dhe Ditën e Dëshmorëve

Komuna e Malishevës sot po shënoi 16 Qershorin-Ditën e Çlirimit dhe Ditën e Dëshmorëve, datë kjo e cila ndërlidhet me rënien e dëshmorit të parë, Imer Krasniqi, i cili ra më 16 qershor 1998, dëshmorët të fundit, Mentor Gashi, i cili ka rënë më 16 qershor 1999, e po në këtë datë, pra me 16 qershor të vitit 1999, Malisheva dhe territori i saj është çliruar përfundimisht.

Për nder të datës me të rëndësishme të Komunës së Malishevës, sot është mbajtur një mbledhje solemne, janë ndarë çmimet tradicionale, si dhe janë bërë homazhe dhe nderime pranë përmendores së Komandantit Legjendar Adem Jashari në Malishevë, si dhe në varrezat e dëshmorëve në Malishevë dhe Kleçkë. Aktiviteteve të ditës së sotme, ju kanë paraprirë  një varg aktivitetesh kulturore dhe sportive të mbajtura ditëve të fundit, dhe të gjitha këto përfundojnë sonte, me ndezjen e fishekzjarrëve.

Në seancën solemne të mbajtur sot në shtëpinë e kulturës,  fjalime kanë mbajtur nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Rrahim Morina dhe kryetari i OVL të UÇK-së në Malishevë, Metush Kryeziu, të cilët kanë folur për luftën e UÇK-së, përpjekjet dhe sakrificat e të gjithëve, deri më 16 Qershor të vitit 1999, kur edhe është çliruar përfundimisht Komuna e Malishevës.

Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, në fjalimin e tij, foli për përpjekjet e vazhdueshme të popullit shqiptar gjatë okupimit, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rëndësinë apo rolin që ka pasur Malisheva si komunë, gjatë luftës, ku ka dhënë shumë dëshmorë e martir. Po ashtu, nënkryetari Berisha, tha se “që nga përfundimi i luftës e deri më sot, protagonistët e luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në vazhdimësi, padrejtësisht po gjykohen, duke filluar nga UNMIK-u, EULEX-i, Gjykata Ndërkombëtare në Hagë dhe së fundmi edhe nga Gjykata Speciale, dhe shënimi i ditëve të çlirimit, pa pjesmarrjen e protagonistëve të luftës, po e zbeh madhështinë e luftës çlirimtare dhe lirinë që sot kemi”. Berisha i uroi të gjithë qytetarët e Komunës së Malishevës, me rastin e 16 Qershorit, e në mënyrë të veçantë, familjet e dëshmorëve.

Edhe kryesuesi i KK të Malishevës, Rrahim Morina, foli në mënyrë kronologjike për luftën çlirimtare dhe përpjekjet e vazhdueshme për liri, si dhe për zhvillimin e pasluftës të Komunës së Malishevës. Kryesuesi Morina, gjithashtu i ka uruar të gjithë qytetarët e Komunës së Malishevës, me rastin e  shënimit të 16 Qershorit.

Për luftën dhe sakrificën e dëshmorëve, foli edhe  kryetari i OVL të UÇK-së, dega në Malishevë, Metush Kryeziu.

Në fund janë ndarë edhe çmimet për Trimëri dhe Heroizëm “Imer Krasniqi”, për luftëtarët Mustafë Shala dhe Jakup Morina, çmimi për kontribut në shkollën shqipe “Hamdi Berisha”, për Bukurije Mazrekun dhe Qazim Hoxhën (pas vdekjes), çmimi për kontribut në shëndetësi “Dr.Shpëtim Robaj”, për Aziz Thaçin dhe Hetem Elshanin.

Kontrolloni gjithashtu

Arben Gashi

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, kritikon pengesat në funksionin mbikëqyrës të Kuvendit të Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka akuzuar shumicën parlamentare për pamundësimin e …