KQZ emëron rreth 14 mijë anëtarë të trupave zgjedhore për zgjedhjet e 6–7 qershorit në Kosovë dhe diasporë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka marrë vendim për emërimin e rreth 14 mijë anëtarëve të trupave zgjedhore që do të angazhohen në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 6 dhe 7 qershor 2026, si brenda vendit ashtu edhe në diasporë. Sipas vendimit të miratuar në mbledhjen e 59-të të KQZ-së, fillimisht janë emëruar anëtarët e Këshillave të Vendvotimeve për vendvotimet e rregullta dhe ato me kusht, të cilët do të menaxhojnë procesin zgjedhor në ditën e votimit më 7 qershor. Në 2,498 vendvotime të rregullta, të organizuara në 911 qendra votimi, do të angazhohen gjithsej 12,678 anëtarë, përfshirë edhe mbi 1,000 anëtarë rezervë, ndërsa pritet që në një fazë të dytë të emërohen edhe rreth 700 anëtarë shtesë në komuna të ndryshme të vendit. Për votimin me kusht, në 52 vendvotime të shpërndara në 38 qendra votimi, do të angazhohen 192 anëtarë të tjerë. KQZ ka bërë të ditur se këta anëtarë përfaqësojnë subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhje dhe do të kenë përgjegjësinë për administrimin teknik dhe organizativ të procesit në vendvotime. Gjithashtu, është miratuar edhe emërimi i trupave zgjedhore për votimin jashtë vendit, i cili do të zhvillohet më 6 qershor 2026 në 47 vendvotime të hapura në 30 përfaqësi diplomatike të Kosovës, përfshirë 17 ambasada dhe 13 konsullata në 18 shtete të ndryshme.

Kontrolloni gjithashtu

Joe Wilson: Deklarata e ministres serbe është e neveritshme, Beogradi s’duhet të organizojë sesionin e OSBE-së në 2027

Kongresisti republikan amerikan Joe Wilson ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviq, …