KQZ nënshkruan kontratën për shtypjen e fletëvotimeve, çmimi mbi 58 mijë euro më i lartë se planifikimi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nënshkruar kontratën për shtypjen e fletëvotimeve, broshurave të kandidatëve dhe listave të votuesve për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, me një vlerë dukshëm më të lartë se ajo e paraparë fillimisht. Kontrata është dhënë me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë dhe i është besuar sërish kompanisë sllovene Cetis d.d., e cila do të realizojë shtypjen e materialit zgjedhor për shumën prej 342 mijë eurosh. Sipas të dhënave të publikuara në sistemin e-prokurimit, vlera e parashikuar për këtë tender kishte qenë 284 mijë e 506 euro, që nënkupton se kontrata është lidhur për rreth 58 mijë euro më shumë. “Operatori Ekonomik pas kërkesës së KQZ ka ofruar zbritje nga oferta financiare dhe si rrjedhojë oferta finale ka çmim prej 342,000.00 euro”, thuhet në njoftimin zyrtar. Kompania “Cetis d.d.” kishte shtypur edhe fletëvotimet për zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, proces gjatë të cilit ishin evidentuar mospërputhje në numrat serikë të disa fletëvotimeve në Mitrovicë. Pas reagimeve publike, kompania kishte pranuar një gabim teknik në printim, duke mohuar çdo mundësi manipulimi dhe duke theksuar se fletëvotimet përmbajnë elemente të larta sigurie.

Kontrolloni gjithashtu

Endrit Thaçi në mbështetje të Bedri Hamzës: Kosovës i duhet ndryshimi, votoni 125

Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur publikisht mbështetjen e tij …