Brickos

Kristo Frashëri: Ahmet Zogu për interesa personale dhunoi integritetin kombëtar të Atdheut

Cili është portreti i mirëfilltë historik i A. Zogut si burrë shteti? Ç’vend zë ai dhe regjimi i tij në historinë e re të Shqipërisë? Këtyre pyetjeve u përgjigjet historiani Kristo Frashëri në njërin nga seria e shkrimeve të publikuara në portalin Shqiptarja, kushtuar kësaj figure historike shqiptare.

Panegjiristët e regjimit zogist i mbushin vlerësimet e tyre pa u ndikuar nga retorika, kryesisht me argumente për reformat që ndërmori A. Zogu në fushën administrative, juridike dhe arsimore. Për të gjykuar rëndësinë që tri reformat patën në procesin politik shtetëror të Shqipërisë drejt qytetërimit evropian, ato janë të pamjaftueshme. Ato kanë rëndësi sektoriale, por nuk përfaqësojnë krejt regjimin.

Edhe penelatat e tre bashkëpunëtorëve të Zogut tepër kritike kanë gjithashtu karakter sektorial. Ato përvijëzojnë portretin e A. Zogut si person dhe jo si regjim. Si person që të tre e portretizojnë A. Zogun vetëm nga pikëpamja morale, politike dhe intelektuale. Edhe ky portretizim sado i dommosdoshëm që është në historinë politike të një shtetari është gjithashtu i pamjaftueshëm. Ata i mëshojnë shumë lakmisë së A. Zogut për të vjelur me çdo mjet pasuri monetare. Kjo lakmi pa dyshim e dënueshme – shpjegon shumë akte politike të Zogut si shtetar. Megjithatë, jo gjithë aktet politike të Ahmet Zogut shpjegohen me prirjen për të siguruar në mënyrë të pamerituar dhe të pandershme pasuri monetare. Në këtë çështje tre bashkëpunëtorët e Zogut flasin si moralistë dhe jo si historianë.

Historia kritike nuk kufizohet vetëm me cilësitë morale, politike dhe intelektuale të një udhëheqësi që i ka vënë vulën një epoke. Historia ka nevojë të shqyrtojë dhe të vlerësojë rezultatet që ka arritur shoqëria e vendit gjatë periudhës së këtij apo atij regjimi apo sundimtari nga dy këndvështrime. E para, nëse rezultatet e arritura kanë shënuar hapa para ose hapa prapa në krahasim me gjendjen që sundonte para se të vinte në fuqi ai regjim ose ai personalitet; e dyta, nëse rezultatet e arritura ishin hapa përpara ose hapa prapa në raport me mundësitë reale që ekzistonin për atë vend.

Të dënosh A. Zogun nga pikëpamja morale, siç e kanë dënuar të tre bashkëpunëtorët e tij, është diçka. Por ta dënosh në vështrimin historik është gjithçka.

Përkundrazi, gjykimi i B. Fischer-it për regjimin e A. Zogut ka vlerë të veçantë mbasi ai arsyeton si historian. Për më tepër, ai është historian i një vendi siç është ShBA, që nuk ka arsye ta mbivlerësojë për oportunitet, as ta dënojë pa të drejtë veprën e një mbreti shqiptar, i cili kur ai u mor me të nuk ishte sovran dhe, ca më tepër, ksihte vdekur. Megjithatë, historiani amerikan është treguar tepër i ngurtë në kuptimin se ai duket se nuk e ka vënë fare në peshë faktorin moral. Duket se për të nuk ka çuar peshë prirja e Zogut për të zhvatur para nga kushdo dhe për t’i shpërblyer donatorët në dëm të sovranitetit dhe të pavarësisë së atdheut. Ndoshta ai nuk i jep rëndësi faktit se një nga faktorët që i siguroi Zogut pushtetin e pamerituar ishte përdorimi në shkallë të gjerë i ryshfetit.

Burimet dokumentare dhe dëshmitë personale që njihen deri sot tregojnë se Zogu ka siguruar mbështetjen e forcave të armatosura të krerëve lokalë duke u dhënë grada ushtarake të pamerituara dhe duke i subvencionuar në mënyrë të pajustifikuar me të holla. Në Shqipërinë e varfër dhe të prapambetur kjo ka qenë një praktikë e zakonshme, e cila ka dominuar edhe ligjin. Një historian amerikan duket se e ka vështirë ta besojë dhe ta pranojë se ryshfeti ka qenë, ndoshta vazhdon të jetë edhe sot, gjeneratori që ka vënë në lëvizje motorin politik në Shqipëri. Dy shekuj e ca më parë një poet shqiptar Hasan Zyko Kamberi në një poezi kushtuar parasë, thotë në një varg proverbial: “Paraja këtu vërtit edhe Sheriatin” (ligjin e shenjtë islamik). Paranë si mjet korruptimi politik kanë përdorur edhe fuqitë e huaja të interesuara për të shkallmuar themelet e shtetit shqiptar. Në “Kujtimet” e diktuara kolonelit Hysen Selmani, mbreti Zog përshkruan një rast interesant që ndodhi në pragun e okupacionit të 7 prillit 1939.

Në një takim të fshehtë që agjenti i njohur italian Giovanni Giro organizoi me ndihmën e Jak Koçit, agjenti i Italisë në oborrin mbretëror shqiptar, në Tiranë më 12 shkurt 1939, me dy krerë dibranë Murat Kaloshin dhe Miftar Kaloshin ai u dha atyre 5000 napolona ar ryshfet me qëllim që ata të vrisnin mbretin Zog. Të dy krerët dibranë pasi morën shumën e majme me vete shkuan natën vonë te mbreti Zog. Në “Kujtimet” e tij të botuara nga Hysen Selmani thuhet tekstualisht: Me t’u takuar me Mbretin, “Murat Kaloshi i paraqiti Mbretit Zog 5000 napolona, duke i deklaruar se ua kishte dhënë G. Giro për të vrarë mbretin Zog. Mbreti qeshi dhe u tha: “Ju merrini paratë dhe ju bëfshin mirë. Mos besoni fare në këto propaganda, se qeveria i ka marrë masat kundër Giro-s e të tjerëve”. (Nga notimet e Zogut I mbretit të shqiptarëve, f. 290). Ky është një rast më tepër që të bind se ryshfeti ishte një praktikë e zakonshme. Për këtë arsye, historiani nuk duhet të rrijë pa e stigmatizuar. Përkundrazi, duhet ta nënvizojë si faktor që gërryente themelet e mbretërisë zogiste dhe nevojën që ka ky vend për të pastruar veten nga kjo sëmundje.

Nuk kuptohet arsyeja përse historiani B. Fischer e kalon sipërfaqësisht cedimin e Shën Naumit dhe të Velipojës së Vermoshit që Zogu ia dha si dhuratë Jugosllavisë për ndihmat që mori nga Beogradi për interesa personale, për të rimarrë pushtetin në Shqipëri. Opinioni publik amerikan do të shqetësohej me siguri nëse presidenti i ShBA-së do t’i dhuronte një territor qoftë edhe të vogël sa fusha e një stadiumi një fuqie të huaj për përfitime personale. E njëjta pyetje mund të bëhet edhe në rast se cilido president qoftë do të shkelte për interesa personale betimin që kishte dhënë për të respektuar integritetin tokësor të vendit të vet. Përgjigjen e jep ish-presidenti R. Nikson, i cili dha menjëherë dorëheqjen më 1974 kur me skandalin e Ëatergate kishte shkelur kushtetutën amerikane. Edhe tek ne dhurimin nga Zogu të Manastirit të Shën Naumit dhe të kullotës së Vermoshit opinioni publik shqiptar e ka stigmatizuar me të drejtë dhe vazhdon ta stigmatizojë si një tradhti kombëtare.

Një çështje tjetër, e cila ka një peshë tepër të rëndësishme në biografinë politike të A. Zogut është qëndrimi i tij ndaj pavarësisë kombëtare të Shqipërisë. Mbrojtja e Pavarësisë së Shqipërisë, e cila u realizua pas mijëra vjet përpjekjesh, ishte përparësi mbi të gjitha përparësitë për çdo  qytetar të thjeshtë, ca më tepër për kryetarin e shtetit. Edhe pohimet që dëgjojmë poshtë e përpjetë se mbreti Zog e mbrojti pavarësinë e Shqipërisë, mbeten deklarata pa vlerë kur mendojmë se lëshimet që ai i bëri qeverisë italiane sollën jo ruajtjen e pavarësisë, por fundin e saj.

E përsërisim edhe një herë se regjimi i Zogut nuk mund të mbulohet fund e krye me ngjyrë të zezë. Ndër meritat e tij mund të përsëritim reformën administrative, e cila krijoi një stabilitet deri diku të konsoliduar në një masë të panjohur deri atëherë; reformën juridike, e cila e shkëputi Shqipërinë nga e kaluara feudale apo gjysmëfeudale; reformën arsimore, e cila e pajisi shkollën shqiptare me program kombëtar, laik, shkencor dhe iluminist dhe një varg reformash të tjera: ndalimi i mbulesës së gruas me perçe, ndalimi i përdorimit të qylafit turk nga burrat, liria e komunikimit me botën e jashtme, etj.

Jo pak vëzhguesa shqiptarë dhe të huaj vënë në dukje se një nga meritat e politikës zogiste ishte lëvrimi i ndjenjës nacionaliste. Para së gjithash, duhet sqaruar se çfarë nënkuptojmë me “nacionalizmin” si fenomen, të cilin duhet ta dallojmë nga “patriotizmi” si ideologji. Të dyja këto fenomene – “nacionalizmi” si ideologji që frymëzon bashkimin e mbarë trojeve etnike në një kupolë të përbashkët shtetërore, ashtu dhe “patriotizmi” si ideologji që frymëzon çlirimin e atdheut nga zgjedha e huaj – kanë tek shqiptarët një origjinë më të hershme se regjimi i Zogut. Ajo që ka lidhje me prirjen për një Shqipëri moderne, të paktën sipas botëkuptimit të shqiptarëve, nuk është nacionalizmi, por patriotizmi, më saktë patriotizmi i kulturuar. Në bazë të këtij këndvështrimi, Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte para së gjithash pjellë e nacionalizmit, mbasi synonte bashkimin e mbarë trojeve etnike në një formacion të vetëm shtetëror (në Vilajetin e Shqipërisë). Ajo ishte në të njëjtën kohë, edhe pjellë e patriotizmit, madje të patriotizmit të kulturuar përderisa ideologët e ndritur të saj kërkonin që shteti shqiptar, qoftë autonom, qoftë i pavarur, të kishte karakter laik, demokratik dhe iluminist. Nëse mbështetemi në këto koncepte, mendojmë se është i pasaktë pohimi i B. Fischer-it se “kur Zogu u largua prej pushtetit në vitin 1939, në Shqipëri ishte vënë në lëvizje procesi i krijimit të një forme rudimentale nacionalizmi, të domosdoshme për krijimin  e një shteti modern”. (Po aty, f. 321).

Nga ana tjetër, nuk duhen lënë pas dore problemet serioze të pazgjidhura, nga të cilat vazhdoi të vuante vendi deri në fund të regjimit zogist. Vendin më kryesor midis këtyre problemeve e zinte gjendja e vajtueshme ekonomike e Shqipërisë. Shqipëria me shumicën dërrmuese të popullsisë fshatare, nuk zgjidhi dot as krizën e bukës. Ndonëse 80% e popullsisë merrej me bujësi, me grurin dhe misrin e prodhuar në vend, në vitet me korriet më të mira, zakonisht plotësoheshin nevojat e bukës vetëm për 7 muajt e vitit. Një nga mangësitë, madje nga ato mangësi që peshojnë më rëndë se të tjerat, ishte ngurrimi i A. Zogut për të zgjidhur në mënyrë radikale problemin më të mprehtë ekonomik-shoqëror që kishte trashëguar Shqipëria nga sundimi shekullor osman, të paktën në atë masë sa e kishin zgjidhur shtetet e tjera të Gadishullit Ballkanik, kur ato u çliruan nga zgjedha e gjatë e Gjysmë-hënës turke.

Fjala është për çështjen agrare, e cila kishte bllokuar si përparimin e ekonomisë së Shqipërisë në përgjithësi, ashtu dhe atë të individit fshatar në veçanti. Fshatari i çifligjeve nuk u çlirua dot nga diktati i beut. Fshatari i malësisë për mungesë toke mbeti i lidhur pas varfërisë shekullore. Në qytete mbizotëroi prodhimi zejtar, ku pronari ishte vetë prodhues. Në një kohë kur në Europë mbizotëronte proshimi industrial modern, për shkak të konkurrencës së saj, prodhimi zejtar në Shqipëri hyri në krizë. Shteti nuk mori asnjë masë për të rregulluar deri diku papunësinë gjithnjë në rritje të fuqisë punëtore. Nga mungesa e përkrahjes nga shteti, i cili ndoqi politikën e “dyerve të hapura”, edhe industria vendëse përveçse u rrit ngadalë, mbeti në përgjithësi në nivelin e shekullit XVIII. Prodhimi i saj zinte rreth 4% të prodhimit të përgjithshëm. Bilanci tregtar mbeti vazhdimisht negativ. Nga niveli i ulët i eksportit në krahasim me mallrat e importuara, burimet monetare të Shqipërisë shteronin çdo ditë e më tepër.

Edhe dy fjalë për vetitë personale që bashkëpunëtorët dhe panegjiristët i atribuojnë Ahmet Zogut si njeri i pajisur me inteligjencë të jashtëzakonshme, e cila i dha atij mundësinë të arrijë shumë shpejt në majën e hierarkisë pushtetore. Kjo veti, edhe pse nuk duket se ka qenë e jashtëzakonshme, nuk mund të mohohet, por në të njëjtën kohë duhet të qartësohet. Vetia për të ngjitur shkallët e hierarkisë nuk është e njëjtë me aftësinë për të qeverisur mirë vendin. Dihet se nga aftësia e parë, e cila quhet karrierizëm,  përfiton individi; nga aftësia e dytë, e cila kur është e mirë, përfiton vendi. Nga kjo pikëpamje, A. Zogu, siç e cilësojnë tre bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, u takon atyre karrieristëve që ka plot historia, të cilët tregohen të shkathët për të ardhur në pushtet, por dalin të paaftë për ta ruajtur fitoren e arritur.

Si përfundim, nga sundimi i Zogut si ministër, kryeministër, kryetar republike dhe si mbret i Shqipërisë, vendi pati shumë pak përfitime, madje mund të thuhet se Shqipëria humbi shansin që nën një udhëheqje më patriotike, më të kulturuar, më të ndershme, më largpamëse, t’i afrohej më tepër qytetërimit evropian. Për këtë kohë të humbur përgjegjësinë kryesore, e ka për shkak të vetive personale, vetë  Ahmet Zogu dhe jo populli shqiptar.

Në përfundim të këtij trajtimi të shkurtër kushtuar veprimtarisë së A. Zogut si personalitet politik dhe si sovran i shtetit shqiptar, ai ka në bilancin e vet pa dyshim veprime pozitive dhe negative. Si veprime pozitive mund të numërohen: mëkëmbja e administratës së rregullt shtetërore; miratimi i korpusit juridik përparimtar; mëkëmbja e arsimit kombëtar; prestigji i lekut shqiptar në arenën ndërkombëtare e ndonjë tjetër. Nga ana tjetër, ai ka veprime negative për Shqipërinë. Ahmet Zogu dhunoi për interesa personale integritetin kombëtar të atdheut; cenoi pavarësinë e Shqipërisë me traktatet që lidhi me Italinë fashiste; dëmtoi prestigjin e Shqipërisë si shtet i pavarur në arenën ndërkombëtare; la pa përmirësuar gjendjen ekonomike të popullsisë; praktikoi gjerësisht ryshfetin për të shtënë në dorë pushtetin; grabiti arkën e financës shtetërore në momentin e largimit nga Shqipëria.

Para se të japim një gjykim përfundimtar se nga cila anë e peshores shkon gjykimi historik, le të pyesim dhe vlerësimin popullor. Gjatë gjashtë fushatave të lira elektorale që janë zhvilluar pas vitit 1991 deri sot, partia “Lëvizja e Legalitetit”, e cila ngul këmbë për të rivendosur kushtetutën e mbretërisë zogiste, nuk ka fituar asnjë deputet. Ky fakt pa dyshim ka vlerën e një gjykimi popullor, i cili e ka shprehur kaq herë haptazi se nuk e mbiçmon trashëgiminë e mbretit Zog përballë bilancit politik negativ të tij. Me këtë vendim, i cili ka vlerën e një verdikti historik, pajtohemi dhe ne.

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …