Krusha e Vogël e Anadrinit dha alarmin e madh për tërë Kosovën

 


(Më 25 maj 2006 në Krushë të Vogël, pjesëtarë të policisë ndërkombëtare, rrahën mizorisht e barbarisht nënat, nuset dhe fëmijët e martirëve, të masakruar nga kriminelët serbë 7 vjet më parë.)


Pretendimet për kthimin masiv të kolonëve serbë në Kosovë janë pretendime të kota dhe të mjera, sepse Beogradi zyrtar, kolonialist dhe hegjemonist, me gjithë angazhimin maksimal prej vitit 1912 e deri në vitin 1999 nuk ka arritur ta serbizojë Kosovën, edhe pse ky ka qenë angazhimi maksimal shtetëror si në aspektin administrativ e institucional ashtu edhe në atë ushtarak, policor e fetar.
Nuk ngulitën dot serbët në Kosovë. Edhe po të ngulitën dhunshëm ata do të ikin nga Kosova, sepse serbët gjithnjë rrëshqasin nga Kosova drejt Veriut nga ku kanë ardhur dhe sërish kanë ikur sa e sa herë. Ikin serbët nga Kosova sepse ata i tërheq forca magnetike, toka e tyre, vendi i tyre dhe gjaku i të afërmve të tyre, në Serbi.
Kosova asnjëherë në historinë e ekzistencës së vet nuk ka qenë serbe, nuk ka qenë madje as në mesjetë, sikur shkruan në historinë plot gënjeshtra të serbëve, të cilët për 500 vjet rresht janë munduar ta bindin Evropën e botën se Kosova paska qenë dikur “djep i Serbisë”, meqë Kosova paska do emra toponimesh e patronimesh të serbizuar qysh nga mesjeta.
Asnjëherë pakica serbe në Kosovë nuk e ka arritur 15 përqindëshin në numrin e përgjithshëm i popullatës. Në këtë situatë mjaft të tensionuar, të stisur edhe me shumë probleme të tjera të pazgjidhshme, politikanët tanë dhe përfaqësuesit e institucioneve, po angazhohen me të madhe për kthimin e mijëra kolonëve serbë në Kosovë, dhe askush prej tyre nuk premton, as nuk siguron, se së bashku me të kthyerit nuk do të kthehen edhe kriminelët serbë, ata që kanë vrarë, kanë pushkatuar dhe kanë masakruar popullatën liridashëse shqiptare gjatë kohës së luftës në Kosovë.
Pikërisht për shkak se nuk ekziston një plan i tillë unik, i selektuar dhe i specifikuar, lidhur me rikthimin e kolonëve serbë në Kosovë, dhe pikërisht për këtë situata e sigurisë në vendin po tensionohet dhe po acarohet. Kjo më së miri u tregua, më 25 maj 2006, në Krushën e Vogël të Prizrenit, në kohën kur pjesëtarët e policisë ndërkombëtare, bënë përpjekje për të kthyer në këtë fshat 20 serbë, në mesin e tyre edhe të dyshuar si kriminelë, që kishin masakruar më shumë se 113 shqiptarë të këtij fshati, disa prej të cilëve ende konsiderohen të zhdukur, meqë nuk ka gjurmë, as lajm për fatin e tyre, qysh prej 27 marsit të vitit 1999.
Veprimi i policisë ndërkombëtare dhe i aranzhuesve të planit të kthimit të serbëve në Krushën e Vogël, ishte një provokacion i llojit të vet, mbase për të matur durimin e fshatarëve shqiptarë, të cilët reaguan njëzëri kundër kthimit të paparalajmëruar dhe pa marrë informacione paraprakisht se cilët ishin ata serbë që po ktheheshin në shtëpitë e tyre, nga ku kanë ikur së bashku me policët dhe kriminelët e tyre në qershor të vitit 1999.
Revolta e krushjanëve, e grave, motrave dhe fëmijëve të martirëve e dëshmorëve, është një shembull që duket marrë kurdoherë në konsideratë, sidomos nga disa politikanë tanë mendjelehtë, të cilët në retorikat e tyre profane, çështjen e kthimit të serbëve e kanë pjesën më hipokrite dhe më djallëzore të fjalorit. Ata, nëse me të vërtetë duan të angazhohen në kthimin e serbëve, është mirë që edhe vetë të marrin pjesë në këtë fushatë tejet të rrezikshme, e cila fare lehtë mund të shpërthejë me revolta të përgjithshme si ato të marsit të vitit 2004, sepse jo vetëm në muajin mars ndodhin rizgjimet dhe protestat shqiptare.
Nuk mjaftojnë fjalimet retorike madje edhe me tone kërcënuese të autoriteteve ndërkombëtare e vendore se paska ardhur koha që në Kosovë të vihet në zbatim ligji, liria e lëvizjes dhe garancia për jetën dhe lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve. Ligji do të duhej të ishte i aplikueshëm dhe i vlefshëm për të gjithë njëlloj. Dhe, sipas ligjit kriminelët duhet të identifikohen, të dënohen dhe të ndëshkohen, pastaj, pasi të ketë përfunduar procesi i tillë i dënimit publik dhe juridik të krimit, do të mund të flitej për kthimin në Kosovë të atyre serbëve, që nuk kanë marrë pjesë në krime kundër shqiptarëve dhe me siguri se të tillë edhe mund të ketë pasur.
Aksioni i policisë ndërkombëtare kundër krushjanëve, tregoi një faqe të zezë të një segmenti të kësaj policie, ndërsa krushjanëve u ritregoi edhe një faqe tjetër të tmerrit e të barbarisë. Por edhe krushjanët, gratë, nuset e fëmijët e këtij fshati martir të Kosovës, i treguan edhe kësaj policie, edhe politikanëve tanë hijerëndë dhe premtues të pavarësisë se mbi gjakun e derdhur rrëke të këtij populli nuk do të vendos askush, për veç vetë “sovranit” popull, atij që u dogj dhe u poq gjatë shekujve, por që nuk u dha dhe kurrë nuk do të jepet. Janë fyese, poshtëruese dhe krejtësisht të marrëzishme deklaratat e pa përgjegjshme se të gjithë serbët që duan të kthehen mund të kthehen dhe të jetojnë në Kosovë. A nënkupton kjo se edhe të gjithë shqiptarët e Shqipërisë apo të ish RJ të Maqedonisë, apo të Turqisë, që duan të kthehen, mund të kthehen në Kosovë? Të gjithë shqiptarët me origjinë nga Kosova që jetojnë në Turqi, janë dëbuar me dhunë nga trojet e tyre, si në kohën e Mbretërisë serbe ashtu edhe në kohën e Titos e të Rankoviqit. Kjo çështje për ndërkombëtarët konsiderohet si punë e mbaruar, dhe këtë çështje nuk është marrë asnjëherë në shqyrtim nga bashkësia ndërkombëtare, mjerisht me këtë çështje nuk janë marrë as politikanët e qeveritarët shqiptarë, mbase duke qenë gjithnjë të robëruar dhe të keqtrajtuar nga fqinjët dhe shtetet e Evropës. Çështja e dëbimit të shqiptarëve nga trojet e tyre etnike, nuk është çështje e dëbimit të mijëra vetëve, që kanë ikur me ushtrinë turke, por është çështje e dëbimit sistematik të shqiptarëve nga Kosova dhe vise të tjera nën pushtimin jugosllav për në Turqi, të qindra mijëra prej tyre, të cilët tanimë janë asimiluar. Kthimi i serbëve në Kosovë nga bashkësia ndërkombëtare po bëhet mbase me qëllim që në këtë segment të rikthehet gjendja e para luftës në Kosovë dhe të legjitimohet kolonizimi i serbëve e bashkë me të edhe kthimi i dominimit serb në Kosovë.
Përderisa në Kosovë mbretëron kjo gjendje e rrezikshme e pasigurisë, përderisa varfëria dita ditës po thellohet,
përderisa korrupsioni, mashtrimet, hajnitë, plaçkitjet, trafiqet, droga prostitucioni, degjenerimi, amoraliteti dhe dukuri e fenomene të tilla kundër qytetëruese dita-ditës po zgjerohen e po marrin përmasa, përderisa në humbëtirat e Sodomës Serbi ndodhen eshtrat edhe të dy mijë shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës,
përderisa kriminelët serbë nuk janë përgjigjur para organeve të drejtësisë për krimet e tyre,
përderisa nuk Kosovë nuk funksionon asnjë segment i shtetit ligjor,
përderisa një segment i pjesëtarëve të policisë ndërkombëtare por edhe vendore vepron dhunshëm kundër popullatës së pafajshme,
përderisa mbretëron kjo situatë kaotike në shumë segmente,
nuk mund të krijohen kushte për jetë të lirë të qytetarëve dhe në kushte e rrethana të këtilla nuk mund të tolerohet vendosja e standardeve të dyfishta. Me një anë dënohen luftëtarët shqiptarë të UÇK-së që kanë luftuar kundër kriminelëve serbë, e në anën tjetër kriminelët e milosheviqit, Karaxhiqit, Mladiqit e të tjerëve, apo të dyshuar si të tillë, jetojnë dhe shëtisin fare lirshëm nëpër Serbi, dhe kjo nuk iu mjafton, por edhe duan të kthehen dhe të jetojnë në mesin e shqiptarëve, të cilëve mu para syve ua kanë vrarë dhe ua kanë masakruar më të dashurit e tyre, madje edhe fëmijët e tyre.

Në një situatë të tillë kthimi i organizuar dhe jo selektiv i serbëve në Kosovë, është veprim tepër i rrezikshëm, sepse strukturat e sigurisë në Kosovë janë shumë të brishta, të paorganizuara dhe të pamjaftueshme për të përballuar revoltën e mundshme gjithëpopullore kundër kthimit të kriminelëve, apo të atyre serbëve, për të cilët dyshohet me të drejtë se janë kriminelë, dhe për krimet e të cilëve ekzistojnë fakte e argumente të shumta. Jo vetëm njëherë janë afishuar emrat e mbiemrat e tyre nëpër vendet publike në Kosovë, dhe jo vetëm njëherë janë rrahur dhe janë ndëshkuar nga pjesëtarët e policisë vendore dhe ndërkombëtare, afishuesit e emrave të kriminelëve.
Nëse ekziston një marrëveshje e kthimit të serbëve së bashku me strukturat mbrojtëse, me ushtri dhe polici, nëse në Krushë të Vogël u bë eksperimenti i parë i realizimit të këtij plani, atëherë kthimi i tillë do të thoshte edhe kthim i Kosovës në gjendjen e para qershorit të vitit 1999. Nuk thuhet kot se “kush luan me zjarrin digjet vet në të”. Si duket disa qarqe ndërkombëtare po provojnë dhe po rrezikojnë, në mos më shumë po vënë në pikëpyetje vetë procesin politik nëpër të cilin po kalon Kosova. A.Q

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Hamza është shprehet optimist se do ta fitojë garën për kryetar të Mitrovicës pa balotazh

Bedri Hamza shfaq dyshime lidhur me komunikimin e njërit prej organizatorëve të sulmit në veri të Kosovës me Mimoza Kusarin

Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, ka ngritur një zë kritik në lidhje me dialogun me …