Kryekuvendari, Kadri Veseli takoi ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe, Toni Blair

Kryekuvendari, Kadri Veseli takoi ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe, Toni Blair

Gjatë qëndrimit në Britaninë e Madhe, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar edhe ish-kryeministrin britanik, Toni Blair. Në këtë takim të ngrohtë e miqësor, kryetari Veseli i shprehu mikut të Kosovës e të popullit të saj falënderime të thella për gjithë kontributin e tij e të Britanisë së Madhe për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Në takim u bisedua për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe situatën aktuale, hapat që janë ndërmarrë në shumë fusha, por edhe për detyrat që institucionet e vendit kanë para vetes, si në fushën e zhvillimit ekonomik, ashtu edhe në procesin e integrimit euro-atlantik dhe forcimin e sundimit të ligjit. “Sot, ne kemi nevojë për angazhimin e miqve tanë që të risjellin vëmendjen në Republikën e Kosovës për zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Kemi shumë argumente se kemi punuar dhe do të punojmë edhe më shumë në këtë drejtim, por kemi nevojë edhe për miq që do ta promovojnë këtë përkushtim tonin, përvoja e ekspertiza të reja në këtë fushë”, theksoi kryetari Veseli. Ish-kryeministri Blair, nga ana e tij, duke garantuar mbështetjen e tij për Kosovën edhe në të ardhmen, vlerësoi të arriturat e deritashme të Kosovës në procesin e integrimeve euro-atlantike dhe potencoi nevojën që ky rrugëtim të vazhdojë tutje me hapa të pandalshëm.

Kontrolloni gjithashtu

Ejup Maqedonci: Serbia me qasjen e saj hegjemoniste dhe agresive karshi Kosovës do të bëjë që tensionet të vazhdojnë

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, dje pas bllokimit në kufi me Serbinë të …