Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka pritur sot në Shëngjin, kryeministren e Italisë, Gjorgjia Meloni

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pritur sot në Shëngjin, kryeministren e Italisë, Gjorgjia Meloni. Qëllimi i vizitës së kryeministres italiane është ecuria e punës për ndërtimin e strukturave në Shëngjin dhe Gjadër për strehimin e përkohshëm të emigrantëve të paligjshëm. Në mesditë Meloni dhe Rama do të vizitojnë dy zonat ku do të qëndrojnë emigrantët e paligjshëm dhe se në cilën fazë është ndërtimi i qendrave të identifikimit dhe të kampeve. Në nëntorin e vitit të kaluar dy kryeministrat firmosën protokollin e bashkëpunimit për çështjet e emigracionit. Ai parashikon që emigrantët e shpëtuar në detin Mesdhe të dërgohen në Shqipëri. Në këmbim të kësaj ndihme që qeveria e Tiranës po i jep asaj të Romës për të përballuar emigracionin e paligjshëm, të gjitha shpenzimet nga ndërtimi i qendrave të pritjes e deri te siguria, kujdesi shëndetësor dhe çdo nevojë tjetër do të financohen nga shteti italian. Vajtja e Gjorgjia Melonit në Shqipëri përkon me javën kulturore italiane në Shqipëri por edhe në prag të zgjedhjeve për deputetët e rinj të parlamentit evropian e ku lufta me emigracionin e paligjshëm është një prej çështjeve kryesore të Bashkimit Evropian.

Kontrolloni gjithashtu

Tri ditë para zgjedhjeve, partitë intensifikojnë fushatën me tubime në mbarë Kosovën

Me vetëm tri ditë të mbetura deri në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, partitë politike …