Kryetari Bahtiri priti ambasadorin e Hungarisë në Prishtinë, Laszlo Markusz

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri ka pritur në kabinetin e tij ambasadorin e Hungarisë në Prishtinë, Laszlo Markusz, me të cilin ka biseduar për gjendjen e përgjithshme në Mitrovicë dhe mundësitë e bashkëpunimit të bizneseve të komunës së Mitrovicës me ato nga Hungaria.

Kryetari Bahtiri i tha ambasadorit Markusz se prej ardhjes së tij në krye të komunës së Mitrovicës, situata ka ndryshuar rrënjësisht për të mirë dhe në të gjitha fushat.

“Mitrovica ka qenë e njohur për probleme të shumta, tensione të ngritura dhe pasiguri për qytetarët e të gjitha përkatësive etnike. Mirëpo, me punë, angazhim të pandërprerë dhe përkushtim të madh, kemi arritur që Mitrovicën ta bëjmë njërën nga komunat më  stabile në vend, ku siguria për qytetarë është ngritur dhe ku kriminaliteti ka rënë për 43.8 për qind”, tha ai.

Kryetari Bahtiri në vazhdim e njoftoi ambasadorin Markusz edhe për punën që është bërë në krijimin e kushteve për investime dhe rregullimin e infrastrukturës.

“Kemi krijuar Zonën e lirë ekonomike dhe tani po presim ligjin për lirim të investitorëve nga të gjitha taksat. Ndërkohë, kemi krijuar një Zonë industriale me një hapësirë pre 44 hektarësh, ku deri tash është ndarë toka për shfrytëzim falas për 99 vjet për më shumë se 20 biznese, ndërsa që ka hapësirë edhe për 80 biznese tjera të interesuara. Në Austri i kemi dërgua 23 projekte nga fusha e infrastrukturës dhe po presim përgjigjen për mbështetje financiare, ndërsa që kemi edhe 43 projekte të tjera të gatshme për t’iu ofruar investitorëve të ndryshëm”, tha ndër të tjera kryetari Bahtiri.

Ambasadori i Hungarisë në Prishtinë, Laszlo Markusz, pasi falënderoi kryetarin Bahtiri për mikpritje, tha se është i njoftuar mirë për situatën në Mitrovicë, edhe para se të bëhet ambasador, pasi që në cilësinë e zyrtarit të lartë të BE-së, e ka vizituar Kosovën dhe Mitrovicën disa herë.

“Më vjen mirë që situata është përmirësuar dukshëm në Mitrovicë dhe që tani ka mundësi më të mira dhe më të mëdha për të biseduar për çështje të tjera e sidomos për ato ekonomike dhe të infrastrukturës”, tha ai.

Ambasadori Markusz tha se beson që Hungaria dhe Kosova, pra edhe Mitrovica, kanë hapësirë dhe potenciale që bashkëpunimin ekonomik ta ngritin në nivel më të lartë se deri tash.

Ai foli konkretisht për mundësinë e arritjes së një marrëveshje midis Hungarisë dhe Kosovës, për të cilën është duke u biseduar, për një kredi pa kamatë që shteti i Hungarisë do t’ia ndante Kosovës për realizimin e projekteve të ndryshme nga infrastruktura.

“Besoj se nga kjo kredi edhe Mitrovica do të mund të përfitonte duke e ngritur bie fjala një impiant për menaxhimin e ujërave të zeza. Në këtë fushë, po edhe në fushat tjera të infrastrukturës, Hungaria ka kompani të njohura të cilat punojnë me sukses jashtë shtetit dhe ato do të mund  të bashkëpunonin me sukses me kompanitë e juaja këtu. Pastaj ka mundësi bashkëpunimi edhe për ndërtimin e një fabrike për prodhimin e pajisjeve makinerike për bujqësi, të cilat më pastaj do të mund të eksportoheshin edhe në rajon”, tha ndër të tjera ambasadori Markusz.

Bahtiri dhe Markusz u dakorduan që në muajt në vijim të organizojnë një takim të investitorëve nga Hungaria me bizneset në Mitrovicë, për të parë mundësitë dhe potencialet për bashkëpunim më fusha të ndryshme me interes të përbashkët.

Kontrolloni gjithashtu

Komiteti për Politikë dhe Financa ka mbajtur mbledhjen e rregullt

Këtë të mërkurë Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Ferizajt Xhavit Zariqi, ka mbajtur mbledhjën …