Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka uruar qytetarët për 79-vjetorin e çlirimit të Tiranës

Data e sotme, 17 nëntor shënon 79-vjetorin e çlirimit të Tiranës nga ushtria gjermane në vitin 1944. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka uruar qytetarët për 79-vjetorin e çlirimit të Tiranës. Përmes një postimi Veliaj shkruan: “Gëzuar 79-vjetorin e çlirimit Tirana jonë! Nderojmë dhe respektojmë heronjtë që luftuan për lirinë e qytetit! Sot, jemi krenarë për Tiranën tonë – më e bashkuar dhe më e bukur se kurrë më parë”. Në këtë ditë të veçantë, Bashkia e Tiranës ka planifikuar një sërë aktivitetesh festive. Lufta për çlirimin e Tiranës ishte operacioni më i madh i shkallës operativo-strategjike i zhvilluar nga Ushtria Nacionalçlirimtare e Shqipërisë kundër forcave gjermane e bashkëpunëtorëve të tyre për çlirimin e qyteteve të Shqipërisë. Çlirimi i kryeqytetit iu ngarkua Korparmatës së I Sulmuese. Shtabi i korparmatës hartoi një plan operacioni të hollësishëm në bazë të planit operativo-strategjik të Komandës së Përgjithshme. Plani parashikonte krijimin e frontit të brendshëm dhe të jashtëm me qëllim mbylljen dhe goditjen e garnizonit gjerman brenda Tiranës.

Operacioni u zhvillua në tri faza: faza përgatitore (12 shtator – 28 tetor), faza e parë e sulmit (29 tetor – 10 nëntor) dhe faza e sulmit përfundimtar (11 – 17 nëntor). Operacioni i mësymjes për çlirimin e Tiranës përfundoi me fitore, pas 19 ditë luftimesh të ashpra (29.10 – 17.11) brenda në qytet, si dhe gjatë rrugëve të komunikacionit që çonin drejt tij. Më 17 nëntor Tirana u çlirua. Rol të veçantë për suksesin e operacionit luajti beteja e Mushqetasë. Lufta për çlirimin e Tiranës kishte karakterin e luftës së vërtetë ballore, ku u dukën qartë shkalla e organizimit të UNÇSH. Në luftën për çlirimin e Tiranës, një kontribut të çmueshëm dha populli i kryeqytetit, i cili i mbështeti fuqimisht të gjitha luftimet që u zhvilluan nëpër lagjet dhe rrugët e tij. (ATSH)

Kontrolloni gjithashtu

Borut Pahor

Ish-kryetari i Sllovenisë, Borut Pahor thotë se është i gatshëm të bëhet emisar i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi

Ish-kryetari  i Sllovenisë, Borut Pahor, ka gjasa të emërohet  emisar i Bashkimit Evropian për dialogun …