Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, po kërkon dorëheqjen e zëvendësministrit Gjergj Dedaj, nga Ministria e Punëve të Jashtme të cilën e drejton Behxhet Pacolli. Shkarkimin e Dedajt e kishin kërkuar edhe deputetët turq të Kuvendit të Kosovës, pas një shkrimi të zv.ministrit kundër Turqisë Ai përmes një njoftimi dërguar medieve, i ka kërkuar Kryeministrit Haradinaj që urgjentisht ta shkarkojë Dedajn për shkak se ka nxitur përçarje dhe po prish raportet me vendet mike të Kosovës. Edhe deputetët minoritarë të 6 plusit kanë dhënë ultimatum për shkarkimin e Dedajt, por kryeministri ende nuk ka marrë asnjë hap. Jo zyrtarisht flitet se Dedaj, nuk do të shkarkohet por nga pozita e zëvendës-ministrit do të emërohet ambasador i Kosovës në Maqedoni.
