Ksenofon Krisafi: Shqipëria, krijesë e diplomacisë së Fuqive të Mëdha, apo produkt i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare

Pavarësia dhe shteti shqiptar ishin rezultat i kontributit të faktorit vendas, i luftrave dhe i përpjekjeve të vazhdueshme të shqiptarëve për t’u shkëputur nga perandoria osmane dhe për të konstituuar shtetin e tyre. Por, ngandonjëherë kujdesi i tepruar për të afirmuar rolin e tij ka shkuar deri në ekstrem, deri në injorimin e faktorit të jashtëm.

E vërteta është se faktori i brendshëm dhe ai i jashtëm, në një periudhë të caktuar historike, vepruan bashkërisht, interferuan te njeri-tjetri dhe sollën si rezultat daljen e Shqipërisë si subjekt i së drejtës ndërkombëtare dhe veçanërisht njohjen e saj nga aktorët kryesorë të skenës ndërkombëtare të kohës, që u realizua pikërisht nga Konferenca e Ambasadorëve e Fuqive të Mëdha, mbajtur në Londër, në dhjetor 1912- gusht 1913.

Në këtë optikë nuk mund të lihen mënjanë dhe pa vlerësimin e duhur edhe kontributet relative të diplomacisë ndërkombëtare. Nuk mund të mohohet fjala vjen se disa prej kancelerive europiane, nisur nga interesat e tyre, ndërmorën nisma për përkrahjen e lëvizjes kombëtare shqiptare dhe mbështetjen e disa prej eksponentëve kryesorë të saj për shpalljen e pavarësisë, siç ndodhi p.sh. me Austro-Hungarinë.

Nuk mund të mohohen gjithashtu edhe veprimtaria dhe kontributet relative të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK), të krijuar dhe të instaluar në Shqipëri nga Konferenca e Ambasadorëve, për organizimin e shtetit të pavarur shqiptar. U tha jo pa qëllim kontribute relative, sepse KNK ndërpreu ekzistencën e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës dhe veprimtarinë e saj. Ndërkohë që statusi dhe kompetencat veçanërisht të gjera që i ishin njohur KNK, përbënin një kufizim të ndjeshëm të sovranitetit të shtetit shqiptar, që tejkalonin së tepërmi precedentët e aplikuar nga diplomacia e Fuqive të Mëdha ndaj vendeve të tjerë, si Greqia apo Bullgaria gjatë shekullit të XIX.

Çështja nuk mund të gjykohet objektivisht nëse nuk pranohet bashkëveprimi ndërmjet faktorit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar.

Faktori ndërkombëtar nuk do të ishte aktivizuar dhe nuk do ta kishte marrë në shqyrtim çështjen shqiptare, nëse vetë shqiptarët, nëpërmjet kryengritjeve të vazhdueshme, veçanërisht në vitet 1910-1912, nuk do të kishin treguar se nuk pranonin më të mbeteshin pjesë e perandorisë osmane. Ata iu dëshmuan Fuqive të Mëdha se ishin një popull, që, si gjithë të tjerët, kishin aftësitë e duhura politike dhe organizative për të ngritur dhe mbajtur në këmbë shtetin e vet, çka e realizuan me vendimin e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, të 28 nëntorit 1912 dhe me veprimtaritë shtetformuese e organizuese që ndërmorrën në vazhdim.

Nga ana e vet segmente të caktuara të faktorit ndërkombëtar, robër të simpative të tyre ndaj fqinjëve të Shqipërisë, mbajtën qëndrime të rezervuara ndaj të drejtës së shqiptarëve për të pasur shtetin e vet, të organizuar në të gjitha hapësirat shqiptare. Por, ndërkohë nuk mund të gjykohej objektivisht për rolin dhe rëndësinë e faktorit vendas në raport me faktorin ndërkombëtar dhe anasjelltas, nëse skenari i zhvillimeve shqiptare do të përfytyrohej i zbatuar në kushtet e mungesës së reagimit, për aq dhe ashtu si ishte, të diplomacisë europiane për Shqipërinë e asaj kohe.

Më konkretisht çështja shtrohet në formën e pyetjes se çdo të ndodhte me Shqipërinë e pavarur, të shpallur nga Kuvendi i Vlorës, nëse Fuqitë e Mëdha dhe shtetet e tjerë, pjesëtarë të bashkësisë ndërkombëtare dhe fqinjët, do ta ndëshkonin përgjithmonë me bojkot dhe do ta shpërfillnin krijesën politike shqiptare të porsaformuar, duke mos e marrë në konsideratë?

A do të ishte e mundur që ajo të mbijetonte dhe a do të ishte në gjendje që, në kushtet e mungesës së njohjes ndërkombëtare, të konstituohej dhe të vazhdonte të ekzistonte si subjekt i së drejtës ndërkombëtare?

Në literaturën e huaj historiografike mbizotëron mendimi se shteti shqiptar ishte krijesë e diplomacisë europiane. Në këtë pikëpamje mund të ketë ndikuar edhe fakti që organizimin e brendshëm të shtetit shqiptar, njohjen dhe afirmimin e tij ndërkombëtar, krahas Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, e morën në dorë edhe Fuqitë e Mëdha. Ato përcaktuan statusin politik të Shqipërisë, kufijtë e saj shtetërorë, si dhe përpunuan një kuadër juridik, që ngërthente aspektet kryesore të organizimit të një shteti shqiptar “eksperimental”.

Vendimi i 29 korrikut të vitit 1913, i cili nëpërmjet 11 neneve të tij, përveç pranimit të njohjes së një shteti të pavarur, neutral e me kufij të përcaktuar, shprehej edhe për çështjet e tjera të rëndësishme të organizimit të brendshëm, që nga caktimi në krye të shtetit të një princi të huaj, dërgimi i një Komisioni Ndërkombëtar Kontrolli, i cili do të kontrollonte administratën civile dhe financat e vendit dhe do të hartonte një projekt për organizimin e të gjitha degëve të administratës së Shqipërisë, ruajtjen e qetësisë dhe rendit publik nga një xhandarmëri ndërkombëtare etj.

Strukturimi i mekanizmit shtetëror në Shqipëri nga ana e Konferencës së Ambasadorëve ishte një tregues i dukshëm i “ndërkombëtarizimit” të skajshëm të punëve të saj të brendshme dhe monopolizimit relativ të marrëdhënieve me botën e jashtme. Në institucionet që do të krijoheshin, elementi vendas dallohej me vështirësi për shkak të rolit dekorativ e formal që i ishte caktuar.

Përballë realitetit kompleks shqiptar, disa autorë që janë marrë me studimin e kësaj çështjeje, nuk kanë mundur të identifikonin ekuilibrin e duhur ndërmjet faktorit lokal dhe atij ndërkombëtar. Shqipërinë e pavarur ia dedikojnë tërësisht apo me tepri faktorit ndërkombëtar. Pohimet e tyre të vendosura ndonjëhere në kontekst sensacionesh, iu bëjnë jehonë qëndrimeve  tradicionale antishqiptare të fqinjëve dhe të disa prej Fuqive të Mëdha.

– Në këtë grup bëjnë pjesë zakonisht politikanë dhe autorë si Vlladan Gjeorgjeviç, i cili shkruan se pavarësia e Shqipërisë ishte një gabim, që duhej korrigjuar duke e ndarë territorin e saj, sepse përbënte “një rrezik të madh, jo vetëm për serbët, por për krejt Lidhjen Ballkanike”, siç plotësonte serbi tjetër, Nikolla Pashiç.

– Dragutin Nikoliç shprehej se popullit shqiptar “me anë të një rezolute të thjeshtë, me një dekret, iu dha diçka që popujt e tjerë e kanë fituar pas luftrash të përgjakshme e të vështira”.

– Në të njëjtën linjë qëndrimi antishqiptar ishin edhe grekët, përfaqësues të të cilëve deklaronin se “është e pamundur të lejohen shqiptarët barbarë të jetojnë të pavarur në djepin e qytetërimit grek”.

– Përsa iu përket Fuqive të Mëdha përmendet ministri i jashtëm rus, Sazonov, që thoshte se “shqiptarët nuk ishin homogjenë dhe të denjë për një shtet”, sepse siç plotësonte  ambasadori i tij ne Paris, Izvolski, nuk besohej “se do të ishte e mundshme të organizoheshin në një shtet autonom malësorët e egër që nuk njihnin e nuk zbatonin ligje”.

– Përfaqësuesi britanik në Beograd Ralph Paget, i cilësonte shqiptarët “turmë… të papërshtatshëm për vetqeverisje.” Kurse Eduard Grej thoshte se “Shqipëria në të vërtetë qe krijuar vetëm për hir të interesave të Italisë dhe të Austro-Hungarisë”.

– Një vlerësim tjetër, në fakt një zhvlerësim, vjen nga Berlini, i shkruar nga dora e Vilhelmit të Dytë, me fjalinë “një shtet hajdutësh nuk mund të bëhet kurrë i aftë për të jetuar”.

– Kambon, ambasadori i Francës, shprehet se “pranuam që të krijohej Shqipëria për t’i dalë para një konflagracioni europian që mund të rridhte nga konflikti austro-rus”.

-“Krijimi Shqipërisë ishte një suprizë…, souvenir historik ose pothuajse arkeologjik…, hipokrizi diplomatike”, thoshte francezi Gabriel Lui Zharé.

– Nicol  Gaj, mendon se “krijimi i Shqipërisë kishte shërbyer për të formatuar një ekuilibër të ri forcash në Ballkan dhe në Adriatik dhe për pasojë kishte ruajtur interesat e Fuqive të Mëdha…”.

– Dhe së fundi ambasadori italian Ferdinando Salleo, ka shkruar se vendimet e Konferencës së Londrës ishin shprehje e nevojës së Fuqive për “të rikrijuar ose më mirë të themi, për të shpikur një shtet europian, pikërisht atje ku nuk ekzistonte kurrfarë tradite për shtetin”.

Gjithçka që u citua më sipër shumë shkurt, dëshmon qartë se diplomacia e Fuqive të Mëdha, për të cilën nuk kursehen vlerësimet për të ashtuquajturën dhuratë të jashtëzakonshme që iu bëri shqiptarëve, shtetin e tyre, s’ka dyshim se ajo veproi e nisur nga interesi i vet, për ruajtjen e ekuilibrave midis fuqive, si dhe për plotësimin e ambicieve ekspansioniste të klientëve të vet ballkanike.

Këtë e ka pohuar haptazi dhe pa nguruar vetë kryetari i Konferencës së Londrës, Eduard Grei, kur, të nesërmen e përfundimit të punimeve të saj, deklaroi se “Une e di fare mire se kur gjithshka do te behet e njohur, kjo zgjidhje në shume pika do te jape kritika te forta nga kushdo qe e njeh vendin, por qellimi ka qene te ruhej Marreveshja midis Fuqive te medha dhe, neqoftese vendimi per Shqiperine e ka siguruar kete, atehere ai ka bere punen me te mire ne dobi te paqes ne Europë…”

Nëse Konferenca do të nisej vërtetë nga interesi i shqiptarëve, do të duhej që shtetin, t’ua “dhuronte” të plotë, të ngritur në të gjitha hapësirat shqiptare dhe jo në më pak se gjysmën e tyre, që të mos ndodhte ajo që shkruan Xhorxh Fred Uilliams, që “Shtetet e Europës … prenë copa me rëndësi nga toka shqiptare dhe ia dhanë fqinjëve në Veri, në Jugë dhe në Lindje, duke shkaktuar kështu ngatërresa dhe luftëra të përditshme në mes të këtyre shteteve. Copën që mbeti nga gërshëra e tyre e quajtën shteti i pavarur i Shqipërisë”.

Ajo ishte bërë therror në emër të paqes europiane, që gjithsesi rezultoi e paqëndrushme, sepse pas jo më vonë se një viti shpërtheu Lufta e Parë Botërore, që prishi ekuilibrat e vendosur, zhvendosi kufij shtetesh, shkatërroi disa prej tyre dhe krijoi të tjerë.

Çështja e faktorit prioritar në krijimin e shtetit të pavarur shqiptar ka qenë objekt trajtimi edhe në literaturën juridiko-ndërkombëtare. Në një pjesë të saj dallohet sërish i njëjti qëndrim nihilist ndaj faktorit vendas dhe rolit të tij në krijimin e shtetit shqiptar, si subjekt i së drejtës ndërkombëtare.

Zvicerani Pol Gugenhaim, e përmend Shqipërinë si një shembull të shteteve të krijuara nga e drejta e traktateve (konvencionale, ndërkombëtare) dhe e rendit së bashku me qytetin e lirë të Krakovit, shtetin e ishujve Jonianë, qytetin e lirë të Danzingut etj. që, siç thotë ai, janë krijuar nga diplomacia e Fuqive të Mëdha. Ishin ato, vazhdon ai, që vendosën ndarjen e Polonisë në vitin 1815, që njohën neutralitetin e Zvicrës më 1815 dhe që krijuan Belgjikën në 1831, Bullgarinë në 1878 dhe Shqipërinë në 1912.

Interesant është fakti se te Gugenheimi dallohet pothuajse për herë të parë në doktrinën e së drejtës një vlerësim juridik për ilegjitimitetin e pushtetit të Fuqive të Mëdha për të vendosur për fatet e popujve të tjerë. Ai thotë se ato ushtronin një pushtet të uzurpuar, ilegjitim, sepse përfaqësimi permanent i interesave europiane që ato i kishin dhënë vetes pa të drejtë, i kundërvihej parimit të barazisë së shteteve.

– Lui Kavaré, duke iu referuar krijimit të shtetit shqiptar shkruan, se Shqipëria u krijua si shtet në saje të traktatit të Londrës të 1913, nëpërmjet të cilit Turqia ua la Fuqive Europiane kujdesin e rregullimit të situatës.

– Në të njëjtat pozita shfaqet edhe ndërkombëtaristi tjetër francez Sharl Ruso, i cili thotë se shteti shqiptar u krijua nëpërmjet një vendimi të një organi ndërkombëtar, që ishte Konferenca e Ambasadorëve.

– Finlandezi Rafael Waldemar Erich, duke përkrahur të njëjtin qëndrim nihilist, shkruan se Shqipëria “nuk u formua si shtet si rezultat i ndonjë lufte për pavarësi në kuptimin e vërtetë të fjalës, por në sajë të faktit që në Traktatin e Londrës të majit 1913, Perandoria Otomane ua pati lënë Fuqive të Mëdha kujdesin për të rregulluar pozitën e saj”.

Interpretimet që e lidhin themelimin e shtetit te pavarur shqiptar me 29 korrikun e vitit 1913, kane nje pikenisje te gabuar teoriko-juridike, disa prej tyre, madje të motivuar politikisht. Prof. Kristo Frashëri, lidhur me këtë thotë se “historianët që përkrahin tezën se pavarësinë e Shqipërisë e farkëtuan Fuqitë e mëdha dhe jo vetë shqiptarët, i përkasin kryesisht historiografisë serbe dhe greke. Si argument kryesor në mbështetje të tezës së tyre ata përdorin faktorin gjeopolitik-pozitën gjeografike të Shqipërisë në brigjet e Adriatikut jugor dhe interesat strategjike që kishin disa prej Fuqive të Mëdha në këtë sektor.”

Të vlerësuara në aspektin juridik, pohimet e mësipërme mbeshteten në teorine konstitutive të njohjes ndërkombetare të shteteve, reminishencë e kohëve kur jetën politiko-nderkombetare e përcaktonin Fuqite e Medha. Sipas saj, është njohja ndërkombëtare akti i krijimit të një shteti.

Doktrina e sotme juridiko-nderkombetare e konsideron të kapercyer atë. Vendin e saj e ka zënë teoria deklarative, që thotë se shteti ekziston realisht pavarësisht nëse njihet ose jo prej shteteve të tjera. Njohja ndërkombëtare vetëm e konstaton, e deklaron faktin e lindjes dhe i jep mundësi shtetit që të drejtat inherente që ka, t’i ushtrojë efektivisht.

Ky qëndrim doktrinar është përqafuar dhe është adoptuar si qëndrim zyrtar nga disa organizma ndërkombëtare autoritare, si p.sh. Instituti i së Drejtës Ndërkombëtare, Konferenca Europiane për Paqen në ish Jugosllavi, e vitit 1991, Komisioni i Arbitrazhit i Konferencës për Paqen në ish Jugosllavi, Karta e Organizatës së Shteteve Amerikane, etj.

Mbi bazën e kësaj teorie vlerësohet edhe ajo që ndodhi me Shqiperinë. Ajo u krijua si shtet i pavarur me 28 nentor 1912. E themeluan shqiptarët. Të huajt, diplomacia e Fuqive të Medha, vetëm e njohu dhe ofroi mbështetje në përshtatje me interesat e veta.

Politikanët dhe autoret e permendur më lartë, që ia atribuojnë diplomacisë europiane krijimin e shtetit shqiptar, flasin nga pozitat e teorise konstitutive të njohjes. Teorikisht dhe juridikisht, gjykuar në optiken e të drejtës ndërkombëtare, Shqipëria e pavarur është produkt i luftrave dhe përpjekjeve, aftësive organizative dhe inteligjencës politike të shqiptareve dhe jo krijesë e ndërkombëtarëve.

Në favor të këtij pohimi, flet edhe nje akt juridiko-kushtetues me rëndesi dhe vlerë të pakontestueshme. Është Statuti Organik i Shqipërisë, i përgatitur nga Komisioni Ndërkombetar i Kontrollit, në Vlorë, më 10 prill 1914. Në pikën 22, të kreut të tretë të tij, thuhet shprehimisht: “Janë  shtetas  shqiptarë  të  gjithë  ata  që kanë  lindur  ose  që  janë  vendosur  në Shqipëri  përpara  28  nëntorit  të  1912-s  dhe  që,  nën  qeverinë  osmane  kanë  pasur nënshtetësinë osmane”.

Nje interpretim i thjeshte të çon drejtpërsëdrejti në konkluzionin se Shqiperia, si shtet, si subjekt i se drejtes nderkombetare, u krijua me 28 nentor 1912, datë që merret si pikënisje e përcaktimit të shtetësisë së shtetasve të saj. Nëse do të ishte Vendimi i 29 korrikut të vitit 1913, që është vetem akt i njohjes ndërkombëtare, Statuti do t’i referohej atij dhe jo vendimit te Kuvendit te Vlores.

Pikerisht ky percaktim, që ka formen e një perkufizimi juridik, zgjidh në menyrë të plotë, te qarte dhe perfundimtare çeshtjen e madhe, me të cilën studiues dhe politikanë nga qarqet antishqiptare në vendet fqinjë dhe protektorët e tyre kanë mashtruar dhe spekuluar vazhdimisht.

Ai përkon plotësisht edhe me pohimin e profesorit Robert Redslob, i cili thotë: “Kur Fuqitë e Mëdha pretenduan të ngrinin Shqipërinë si principatë më vete me Princ Vidin në krye dhe i dhanë edhe një Statut, kjo ishte nga ana e tyre një vepër pa themel. Monarkia e re nuk u krijua veçse në letër dhe në imagjinatën e diplomatëve. Ajo nuk jetoi kurrë për arsyen e thjeshtë, se nuk hodhi rrënjë në popull. Pastaj plasi Lufta e Madhe dhe vetëm pas një periudhe të gjatë anarkie, përleshjesh dhe trazirash, Shqipëria mundi të bëhej vetë me forcat e saj, me vullnetin e saj kombëtar, që është edhe e vetmja mënyrë me të cilën mund të themelohet një shtet i vërtetë”. (DITA)

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI: Më 11 Janar  të vitit 1946 Shqipëria shpallet Republikë

Albert Z. ZHOLI: Më 11 Janar  të vitit 1946 Shqipëria shpallet Republikë

77 vjet më pare, si u zbatuan procedurat për ndryshimin e regjimit nga Monarkia në …