Prokuroria e Specializuar në Hagë është përballur me kritika të ashpra pas vlerësimeve negative që i ka bërë ndaj disa prej dëshmitarëve ndërkombëtarë që dëshmuan në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së në procesin gjyqësor në Gjykatën Speciale. Në dosjen përfundimtare të dorëzuar në gjykatë, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka vënë në pikëpyetje kredibilitetin e ish-komandantit të NATO-s, Wesley Clark, dhe ish-diplomatit amerikan James Rubin, duke i cilësuar si dëshmitarë “të njëanshëm”, “të pabesueshëm” dhe të ndikuar nga raportet personale me Hashim Thaçi. Kjo qasje e Prokurorisë ka nxitur reagime në opinionin publik dhe në qarqet juridike, ku po konsiderohet si tentativë për të zhvlerësuar dëshmitë që kanë sfiduar narrativën e aktakuzës. Avokati Ardian Bajraktari deklaroi se reagimi i Prokurorisë erdhi pikërisht për shkak të peshës që këto dëshmi kanë pasur në procesin gjyqësor. “Përtej autoritetit dhe kredibilitetit që bartin këto personalitete, dëshmitë e tyre goditën në themel tezat e Prokurorisë dhe ekspozuan dobësitë e aktakuzës”, ka theksuar Bajraktari. Sipas tij, sulmet ndaj figurave ndërkombëtare që kanë pasur rol kyç në periudhën e luftës në Kosovë tregojnë krizën e argumenteve të Prokurorisë, e cila po përballet me vështirësi në mbështetjen e pretendimeve të saj para trupit gjykues.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
