Prokuroria e Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka vënë në pikëpyetje kredibilitetin e disa dëshmitarëve ndërkombëtarë që kanë dëshmuar në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së në procesin gjyqësor në Gjykatën speciale. Në dosjen finale të dorëzuar në gjykatë, Prokuroria ka cilësuar ish-komandantin e NATO-s Wesley Clark dhe ish-diplomatin amerikan James Rubin si dëshmitarë “të njëanshëm” dhe “të pabesueshëm”, duke pretenduar se ata janë të ndikuar nga raporte personale dhe lidhje të mëparshme me ish-presidentin Hashim Thaçi. Këto qëndrime kanë nxitur reagime dhe kritika nga mbrojtja ligjore, ku avokati Arbet Jashari i ka cilësuar pretendimet e Prokurorisë si përpjekje për të delegjitimuar dëshmitarët që, sipas tij, kanë qenë në favor të mbrojtjes. Sipas Jasharit, nuk mund të interpretohen si “miqësi personale” marrëdhëniet institucionale, ushtarake dhe diplomatike që kanë ekzistuar gjatë periudhës së luftës dhe pas saj, duke theksuar se ato janë pjesë e kontekstit historik dhe jo lidhje personale të ndikimit. Ai ka shtuar se dëshmitë e Clark dhe Rubin janë në përputhje me rrethanat faktike të kohës së luftës në Kosovë dhe se ato, sipas tij, tregojnë mungesë të një strukture komanduese të qartë në UÇK, çka sipas mbrojtjes ka rëndësi për vlerësimin e përgjegjësisë penale.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
