Kur vdes motra e Simbolit të Rezistencës Kombëtare

Në moshën 84-vjeçare ka vdekur Ajshe Demaçi-Jashari, motra e Simbolit të Rezistencës Kombëtare, Adem Demaçi. Me rastin e varrimit, në varrezat e qytetit, në Prishtinë, pasi falënderoi të gjithë ata që kishin shkuar për të marrë pjesë  në ceremoninë mortore, Bacë Adem Demaçi solli në kujtesë sakrificën e motrës së tij dhe të motrave, bijave, nënave e nuseve shqiptare, të cilat në çdo kohë dhe në çdo rrethanë u gjenden pranë vëllezërve, bijve  e më të dashurve të tyre.


 


Motra Ajshe e Adem Demaçit, nuk iu nda vëllait të vet në rrugëtimin e tij të gjatë nëpër historinë e rezistencës shqiptare, një histori heroike,  të cilën ai  e kishte trasuar nga burgu në burg, nga njëri  kazamat në tjetrin,  në vende të ndryshme nëpër humbëtirat e  ish-Jugosllavisë.


Ajo, sakrifikoi, sikur sakrifikon motra për vëllanë, sidomos ashtu sikur sakrifikon motra shqiptare.


E vizitoi në të gjitha burgjet ku e kishin degdisur forcat e territ e të tmerrit. Jo vetëm që e vizitoi, por edhe e trimëroi, duke e mbështetur rrugën e tij të gjatë të sakrificës për kombin, për Atdheun, për Kosovën, Iliridën, Shqipërinë.


Ishte e vetëdijshme se kishte një vëlla trim dhe të vendosur, një vëlla që po e sfidonte një shtet, një fuqi, për të cilën pak shqiptarë kishin menduar se një ditë, ai shtet dhe ajo fuqi e madhe  do të shthurej, do të katandisej e kurrë më nuk do të ngrihej,  pikërisht ashtu sikur kishte parashikuar vëllai i saj i dashur, i cili me kohë ia kishte dhënë munxët, me kohë kishte bërë të ditur se jeta me ligjet e veta ka shtrirë për toke edhe perandoritë më të mëdha e më të fuqishme të botës, e lërë më një shtet që ishte bërë burg, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për kroatët, sllovenët, boshnjakët, hungarezët e shumë popuj të tjerë.


Rrugëtimi i saj për të mbajtur kontakte me vëllanë, për t’ i dërguar ndërresa të pastra e ndonjë ushqim shtëpie, për t’i treguar se si po gjallojnë të gjallët, se kush kishte lindur e kush kishte vdekur, për t’ia plotësuar ndonjë kërkesë të veçantë,  ishte po aq i gjatë sa edhe burgu i vëllait, plot 28 vjet.


Nga muaji në muaj, nga vitit në vit, ajo me afërmit e vet rrugëtoi nëpër Serbi, Bosnje e Kroaci, rrugëtoi nëpër humbëtirat e Jugosllavisë. Dy ditë rrugë me tren, për ta parë vëllanë, pas disa muajve dhe për të qëndruar e për t’u çmallur me të, vetëm një gjysmë ore, apo të shumtën  një orë. Kohën tjetër prej kthimit  nga vizita e deri te vizita e radhës duke menduar për shëndetin e tij, për vitet që po kalonin dhe ai nuk po kthente, as pas nëntë vitesh, sikur ishte kthyer Konstandini te motra Garentinë, as pas 20 vitesh sikur ishte kthyer në shtëpi, Odiseu i kohës së lashtë, as pas 25 vitesh sikur ishte kthyer Dedali i rrëfimeve të moçme shqiptare.


Motra Ajshe, priste vëllanë që një ditë të kthehej bashkë me lirinë dhe nuk vajtonte për të, por e bekonte me gjuhën e motrës, me bekimin e nënës.  Ajo kujdesej për nipin, Shqiptarin dhe mbesën, Abetaren, që po rriteshin pa e pasur pranë babanë, po  kujdesej për bashkëshortin e vet, bijtë e bijat. Po në zemër e në mendje kishte vëllanë e vetëm, Ademin, i cili me këmbëngulje tipike, heroike, vazhdonte ta sfidonte pushtetin, që i mbante nën robëri shqiptarët, dhe përpiqej t’ i bindte ata se kishin liri nën robëri, madje me tepër sesa ata,  në Shqipëri.


Me kohë e kishte kuptuar se në mos më shumë, vëllanë do ta ndihmonte e do t’ i jepte zemër me përkushtimin e saj, me besimin dhe  dashurinë e saj, me mbështetjen, të cilën mund t’ ia jepte dhe atë dashuri  e përkushtim  nuk e kurseu kurrë, deri në ditën kur u nda nga jeta.


Shembulli i Nënë Ajshes dhe i Motër Ajshes është shembull unikat i jetës shqiptare, ashtu sikur ishte dhe po mbetet unikat vëllai i saj, Ademi, Simboli i gjallë i të gjithë shqiptarëve liridashës, kudo ku ata jetojnë.


Nderimi që iu bë sot, me rastin e varrimit, motrës, Ajshe Demaçi, nënës, dhe gjyshes së dashur, zbuloi respektin e familjarëve dhe  liridashësve të vendit, që  kanë pasur dhe kanë për jetën dhe rrugën e saj të mundimshme, rrugën e sakrificave të panumërta të nënave e motrave tona.


“Nëna Ajshe iu kthye Nënës Tokë”, por kujtimi për të nuk do të harrohet kurrë, sepse kurrë nuk do të harrohet burgu dhe sakrifica jetësore e Adem Demaçit dhe kurrë nuk do të harrohet edhe motra e përkushtuar dhe Nëna e Madhe, bashkëveprimtarja e lirisë, Ajshe Demaçi-Jashari.  


(A.Q)


23. 1. 2014

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …