Albin Kurti

Kurti: Me 2 korrik 1990 i është dhanë formë për herë të parë Republikës së Kosovës, si një republikë-për-rezistencë

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka kujtuar 2 korrikun e vitit 1990 ditë në të cilën delegatët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës të mbledhur para dyerve të këtij institucioni e kanë shpallur Deklaratën Kushtetuese. Kurti ka thënë se me 2 korrik 1990 i është dhanë formë për herë të parë Republikës së Kosovës, si një republikë-për-rezistencë.

“Sot shënojmë 28 vjetorin e Republikës së Parë të Kosovës, që u shpall më 2 korrik të vitit 1990 përmes Deklaratës Kushtetuese e cila u nënshkrua prej 114 delegatëve nga shumica shqiptare e pakicat boshnjake e turke. Delegatët u mblodhën jashtë dyerve të Kuvendit, sepse nuk lejoheshin të hynin aty, në kushtet e represionit të pushtetit të Serbisë. Me shpalljen e Deklaratës Kushtetuese ata i dhanë formë e përmbajtje për herë të parë Republikës së Kosovës, si një republikë-për-rezistencë. Në deklaratë përmenden konceptet më të rëndësishme, “vetëvendosja politike” dhe “demokracia autentike”, si baza të shtetformimit modern, republikan e demokratik edhe pse nën okupim. Paradoksalisht, në liri e me pavarësi të shpallur, në Republikën e Dytë që tani i mbushi një dekadë, u shfaq arbitrariteti dhe mohimi i demokracisë e i vetëvendosjes. Kjo na obligon të çojmë përpara projektin tonë për Republikën e Tretë, ku liria më në fund do të bashkohet me demokracinë, vetëvendosjen, zhvillimin e drejtësinë. Shpresoj që Kryeministri dhe Kryeparlamentari nuk do të bëjnë ndonjë organizim a ceremoni sot. Pas ceremonisë së dështuar për 140 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit vetëm sa do të shkaktojnë njëherë ankth e pastaj zhgënjim te qytetarët”, ka shkruar Kurti.

Kontrolloni gjithashtu

Komisioni për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës miraton raportin për kërkesën e anëtarësimit të Kosovës

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka shënuar një hap të rëndësishëm në procesin e …