Sot duke filluar në orën 10.00 është thirrur vazhdimi i seancës konstituive, në të cilën pikë e vetme e rendit të ditës do të jetë zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve. Megjithatë, koalicioni PDK-AAK-NISMA, ka ritheksuar se nuk do të marrë pjesë në seancë për të propozuar kandidatin e tyre, duke e bojkotuar kështu edhe një tjetër përpjekje për zgjedhjen e kreut të Kuvendit. Anëtarja e kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu- Kodra, në një prononcim për KosovaPress, ka deklaruar se deputetët e koalicionit PAN nuk do të jenë pjesë e seancës meqë është thirrur në mënyrë të njëanshme. Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, e ka bërë të qartë se Grupi Parlamentar do të bojkotojë seancën, në rast se nuk mbahet takimi konsultativ i të gjitha subjekteve politike.
