Brickos

Labinot Dervishaj

Labinot Dervishaj: Dikur shëmbëlltyra e idealit, për çka dalloheshin shqiptarët dhe çrrënjosja e moralit

Që kur është shkruar historia e jonë kombëtare por edhe para së kjo të bëhet ka të dhëna që e përshkruajnë karakterin unikat, tiparet personale të veçuara të shqiptarëve. Jemi shquar si njerëz të besës, trimërisë, nderit, sinqeritetit, mirësisë dhe bujarisë së pafundme. Pra kjo ka qenë narrativa psikologjike e një kombi vite e shekuj më parë, kohë kur nuk kemi pasur shumë shkolla dhe as të shkolluar por kemi pasur njerëz të mençur, këto virtyte janë bartur ndër breza përmes këngëve e bisedave nëpër oda të burrave. Ndërsa sot fatkeqësisht kemi shumë pak njerëz të besës sepse është çrrënjosur si atribut kombëtar e shoqëror dhe jo vetëm besnikëria por edhe morali, empatia, mirësia, altruizmi e humanizmi është në zhdukje.

Tash kemi më bollëk shkolla, të shkolluar, të diplomuar e të post-diplomuar por kemi shumë pak të zgjuar. Në fakt të gjithë dinë por për çudi po dinë vetëm për keq prandaj ka humbur nderi, respekti dhe konsiderata ndaj njëri tjetrit. Njerëzit e kësaj kohe janë shndërruar në materialist dhe egoist të paparë, prandaj për çdo ditë kemi aq shumë probleme, padrejtësi, përbuzje, shkelje, injorime dhe krime deri në përmasa makabre. Për emërues të përbashkët të gjithë këtyre akumulimeve negative themi se si shoqëri jemi në krizë të thellë morale. Amoraliteti, dhuna, prostitucioni, pedofilia… sot është në kulminacion, promovohet më vetëdije anti-vlera sikur të ishte vlerë!

Kjo gjendje është e jashtëzakonshme, shëndeti mendor i shumë njerëzve e ka marrë tatëpjetën dhe shumë të rinj në vend së të ishin shpresa e kombit dhe atdheut po rrëshqasin në idiotizëm më sjelljet dhe veprimet e tyre vandale, kriminale dhe skandaloze, të cilat po i virtualizojnë më mburrje dhe krenari! Të dhunohet një nënë e dëshmorit nuk e di se ku ka ma keq! Një nënë që e ka dhënë gjakun e vet për të gëzuar lirinë ky popull, e tash të dalin nga ky popull disa krijesa që vetëm njerëz nuk mund të quhen e ta rrahin pamëshirshëm një nënë plakë të moshuar, të lodhur, më shpirt të djegur e më zëmër të plasur, ndërsa shoqet e saj ta aprovojnë çmendurinë e koleges së tyre duke qeshur është diçka që nuk mund t’i jepet asnjë konotacion apo kuptim tjetër pos aset psikopatologjik në vend së të ishte e kundërta.

Ky është vetëm një nga shumë shembujt e këqij të ditëve tona sepse është çrrënjosur shumë morali ynë si popull. Na u janë verbuar sytë dhe na ka ikur mendja prandaj po shkelet vrazhdë mbi gjakun e dëshmorëve, mbi gjakun e bijve dhe bijave më të mirë të kombit, po shkelin disa faqezinj e faqezeza që më veprimet e tyre e vejnë në mëdyshje edhe ADN-n, pro-materien e tyre. Nuk po i lenë të qetë dëshmorët as atje në përjetësi, nga këtej po i trazojnë edhe matanë shpirtzinjtë, dikush duke i përzënë nga shtëpitë nënat e tyre për të synuar për ta përvetësuar gjithë botën veç për veten e tyre por pa e pasur një plak apo plakë në shtëpi së po i pengojnë, dhe dikush tjetër duke i rrahur mizorisht në emër të kujdesit dhe mirëqenies ndaj tyre. Pra deri në këtë derexhe kemi arritur mjerisht.

Nuk ka se si mos të vijnë në mend vargjet e autorit madh të letërsisë shqipe, Pashko Vasa dhe ta konvertosh poezinë e tij më realitetin e kësaj kohe më këtë modernizim të çuditshëm që nuk është asgjë  pos një tregues i një bote iracionale. Të flasësh për djalërinë e vajzërinë e viteve 80-ta dhe 90-ta të cilët kanë qenë më të bashkuar, më të motivuar me vizionar kanë qenë shëmbëlltyra të idealit për liri e pavarësi të Kosovës të shprehura nëpër demonstrata, aksione dhe organizime të tjera kundër armikut dhe më vonë më inkuadrimin dhe rreshtimin në UÇK, trimërinë dhe sakrificën e tyre deri në sublim për liri, janë histori e papërsëritshme dhe e pakrahasueshme më rininë e sotme.

Sot kemi një rini që shumë pak dinë, e shumë pak lexon për të kaluarën e atdheut, për historinë e luftën e lavdishme dhe çlirimtare, madje për këtë fajtorë janë një pjesë edhe vet prindërit që për gjithçka kanë kohë vetëm për fëmijët e tyre jo. Rinia e sotme është e varur kryesisht nga rrjetet sociale si facebooku, instagrami dhe tik-toku etj. Vet-kënaqësinë dhe përmbushjen e gjejnë vetëm në rrjete sociale, aty ku promovohet e shpërndahet pa censurim bullizmi, dhuna, urrejtja patologjike, mosmirënjohja, degradimi, amoraliteti dhe degjenerimi i paskajshëm.

Është momenti i fundit që të reflektojmë si shoqëri përndryshe jemi buzë humnerës së pafund, mëkatet dhe të bëmat e një pas njëshme negative nuk na i lanë as Drini as Buna. Reflektimi të filloj nga gjithsecili prej nesh, nga mjedisi ynë social, të bëhemi pjesë e një komuniteti më produktiv që synon kthjellimin kognitiv, emocional dhe social.

 

Kontrolloni gjithashtu

Besnik Fahredin Hoti: TË MOS HARROJMË KURRË!

(25 vite nga tragjedia dhe gjenocidi serb në Krushë të Madhe)    Në përkujtim dhe …